Bota

Alarmi i kryebashkiakut të Palermos: Mafia u ka deklaruar luftë emigrantëve afrikanë

Një vrasje mafioze e ndodhur në mes të ditës në Palermo, ka rritur dozat e shqetësimit për një “luftë” mes bosëve të mafias italiane “Cosa Nostra” dhe emigrantëve afrikanë që mbërrijnë çdo ditë në ishullin turistik të Siçilisë.
Nga raportet mediatike mësohet se “Cosa Nostra” kërkon të ruajë supremacinë në territoret e kontrolluara prej saj, por një gjë e tillë është e kërcënuar prej kriminelëve gangsterë afrikanë që mbërrijnë në ishull të infiltruar mes emigrantëve të shumtë, prej të cilëve numërohen rreth 1.000 zbarkime në ditë në ishullin jugor të Italisë.
Një shtetas i pafajshëm nga Gambia u qëllua në kokë nga një mafioz italian në mes të ditës, gjë që ka shtuar frikën mes qytetarëve siçilianë se gjakderdhja mund të vijojë tashmë edhe më tej.
Kryebashkiaku i Palermos, Leoluca Orlando është shprehur se “Palermo nuk është më një qytet italian, as europian, pasi në çdo moment që vendos të lëvizësh nëpër qytet, të duket sikur gjendesh në Stamboll apo Bejrut”.
Emigracioni në Itali u rrit me 90 për qind gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Emigrantët e vendosur në Ballaro, pjesë e Palermos ku edhe ndodhi vrasja mafioze, janë shtuar me rreth 20%, nga 5% në 25%, që prej nisjes së krizës së emigrantëve.
Ndërkohë, një shqeësim të thellë ndajnë thuajse të gjithë italianët, për faktin se numri i emigrantëve të mbërritur po i tejkalon edhe kapacitetet e Romës zyrtare për t’u përballur me ta, e mes këtyre kritikëve, ata më të ashpërit e më të rrezikshmit duket se janë pjesëtarët e mafies siçiliane.
Kryebashkiaku i Palermos, Leoluca Orlando ka vijuar edhe më tej, kur thotë se “në të kaluarën, kur mafia ka qenë edhe më e fuqishme, kanë parandaluar me çdo kusht futjen e emigrantëve në qytet. Derisa unë isha 30 vjeç, kurrë nuk kam parë ndonjë afrikan apo aziatik në Palermo. Mafia duket se ende nuk e ka kuptuar që qyteti ka ndryshuar. Tashmë ne jemi një qytet emigrantësh dhe bosët e saj duket se nuk po qëndrojnë më dot në podiumin drejtues. Palermo është kthyer tashmë në një qytet i Lindjes së Mesme në Europë, edhe pse është një qytet piktoresk për të cilin ne jemi krenarë”.
Lufta vdekjeprurëse mes mafies italiane dhe emigrantëve duket se ka nisur pasi, pjesëtarë afrikanë të grupeve kriminale kanë hyrë të infiltruar mes emigrantëve, e pas kësaj kanë nisur të veprojnë me metodat e tyre të kundërligjshme “në dyert e mafies siçiliane”. Mafiozët siçilianë ankohen se policia vijon të shënjestrojë aktivitetet e tyre, por harrojnë të merren me aktivitetet e gangsterëve afrikanë.
Vetëm dy javë më parë, një emigrant i pafajshëm nga Gambia u qëllua me plumb në kokë, nga një mafioz italian i cilësuar si “kafsha”. Mrekullisht ai i ka mbijetuar atentatit, por sulmi ka qenë një shembull tepër brutal i dhunës që duket se po rrezikon ishullin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button