Politika

Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth: Punojmë për një vendim pozitiv të Këshillit Europian

Konferenca e përbashkët për median e Kryeministrit Edi Rama me ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Michael Roth:

Kryeministri Edi Rama: Ishte nder që mirëpres sot, një mik të shtrenjtë të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe një avokat të zëshëm në rrugëtimin europian të të gjithë rajonit tone, por edhe të Shqipërisë posaçërisht, ministrit gjerman të Shtetit për Ҫështjet Europiane. Natyrisht e dimë të gjithë që kjo vizitë përkon me një kohë jo të parëndësishme, në prag të një tjetër takimi të Këshillit Europian për një vendimmarrje të rëndësishme në lidhje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më vjen shumë mirë që sot nuk janë vetëm ata që e thonin deri dje, por janë të gjithë, edhe ata që dje, edhe nëse e mendonin nuk e thonin, që Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e veta dhe miratimi i kornizës negociuese, bazuar në vendimin e marrë për çeljen e negociatave nga vetë qeveritë dhe mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare është thjesht dhe vetëm çështje e brendshme e Këshillit Europian, në një moment kur përtej faktit se duket se ka një prirje më pozitive se asnjëherë tjetër, së brendshmi, Bashkimi Europian ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanike përreth që lidhet me ngërçin e krijuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Natyrisht, unë nuk mund veçse të përsërisja të njejtën gjë që them me bindje dhe fakte, sipas meje natyrisht, sipas nesh, prej kohësh, që ne duhet të hapim menjëherë procesin dhe Bashkimi Europian duhet të zbatojë vendimin që ka marrë duke miratuar kornizën negociuese duke thirrur Konferencën e parë Ndërqeveritare.

A do të ndodhë apo nuk do të ndodhë kështu, këtë unë nuk e di, këtë nuk e dimë sepse natyrisht, kjo do varet nga sa do të arrihet të zgjidhet ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe sa Bullgaria do jetë e gatshme të heqë barrikadën që i ka vënë këtij procesi, në një forum ku pa konsensus nuk merret dot asnjë vendim.

Ajo që është e rëndësishme është që sidoqoftë, ne sot kemi një mbështetje të zëshme dhe të përgjithshme nga të gjitha vendet, të paktën deri tani që flasim e posacërisht nga Gjermania, për të ecur më tutje. Ministri do flasë vetë, nuk do flas unë në emër të tij natyrisht, por në mbyllje dua të bëj një falënderim publik për të gjithë mbështetjen, jo vetëm për këtë temë, por në tërësi, që kemi pasur nga Republika Federale e Gjermanisë, qeveria gjermane, Parlamenti gjerman dhe miq, jo të paktë, fatmirësisht, në këto instance, të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Uroj që këtë sezon veror të kemi sa më shumë turistë nga Gjermania. I thashë dhe ministrit që ndryshe nga çfarë mund të perceptohej duke lexuar deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë gjermane, Shqipëria është vendi më i përshtatshëm sot, në Europë, për të ardhur për pushime. Meqë ra fjala, sot nuk ka më maska në rrugë në Shqipëri.

Ministri Michael Roth:

Është bukur të jesh sërisht këtu. Nuk e di nëse ju ka marrë malli për mua, por mua më ka marrë malli për ju dhe jam i lumtur që të mund të tregoj sot, një shenjë solidariteti nga ana e Gjermanisë për vendet e Ballkanit Perëndimor, por para së gjithash kundrejt Shqipërisë.

Dëshiroj sot të jem i hapur me ju. Padyshim ka kolegë në Bashkimin Europian, të cilët thonë që ndoshta zemra ime rreh ca si shumë për Ballkanin Perëndimor. Unë përgjigjem gjithmonë se këtu nuk bëhet fjalë për preferencat e mia personale, por për një interes strategjik të spikatur të Bashkimit Europian. Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasëm, por oborri i brendshëm i Europës. Paqja, stabiliteti, demokracia, mirëqënia, shteti ligjor, pajtimi rajonal janë në interesin europian dhe interesin gjerman. Pikërisht theksimi i kësaj për mua është i rëndësishëm.

Sigurisht që unë gëzohem që jam këtu në këtë ndërtesë, që jo vetëm është seli e qeverisë, por edhe një vend, një qendër e artit dhe kjo tregon se Shqipëria shkon në rrugët e veta, të cilat unë i vlerësoj mjaft. Shumë prej jush janë të frustruar e deri në një farë mase të zhgënjyer nga Bashkimi Europian, sepse në të shkuarën është bërë shumëçka dhe ju të gjithë e dini që ka patur kushte të tjera për të plotësuar nga ana e Shqipërisë, sikundër ka qenë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Dhe prej një periudhe të mirë kohe, ne mund të themi dhe ky është pozicioni i qeverisë sime, Shqipëria ka bërë, ka shënuar arritje. Ashtu sikurse mund të thuhet dhe për Maqedoninë e Veriut. Edhe ajo ka bërë e ka shënuar arritje.

Dhe për këtë arsye, ne po punojmë me trysni që në 22 qershor, Këshilli i Ministrave të Europës të mund marri një vendim pozitiv. Duhet që më të fund të nisim. Sigurisht që ka shumëçka për të bërë ende, jemi në fillim të një rruge. Shteti ligjor, një sistem drejtësie funksional, një administratë moderne, një qasje me respekt ndaj pakicave kulturore apo fetare e të tjera. Ne nuk jemi thjesht një komunitet ekonomik dhe monetar, por komunitet vlerash dhe këto vlera duhet t’i mbushim me jetë. Këtë nuk duhet ta bëjmë vetëm.

Pandemia ka treguar që ne jemi …. [e pakuptueshme] Ju keni arritur progres të madh. Respekti e vlerësimi im shkon pikërisht për këtë fakt. Ne në Gjermani nuk jemi ende në atë pikë, ne duhet të mbajmë ende maska. Ky është një fakt që më gëzon e për këtë arsye nuk na duhen strategjitë kombëtare në luftën kundër pandemisë, sigurisht nuk na ndihmojnë masat e izolimit, ne të gjithë duhet të mbështesim njëri-tjetrin. Për këtë arsye është në interesin e origjinës të Gjermanisë, të Bashkimit Europian, por edhe të fqinjësive tona të drejtpërdrejta, që strategjia e përbashkët është që të mbështetemi në mënyrë reciproke, të mbështesim njerëzit, të kemi sa më pak humbje jete. Në qoftë se Shqipëria është e sukseshme në këtë drejtim, atëherë ky është një sukses edhe i yni. Pikërisht në këtë pikëndeshjeje, është e rëndësishme që të shmangim, të elimonojmë edhe paragjykimet. Pikëndeshjet, pikëtakimet janë histori suksesi në BE dhe BE-ja nuk lë askënd vetëm në këtë drejtim. Deri në 12 miliardë euro do vendosim në dispozicion të ditet e ardhshme për Ballkanin Perëndimor, para së gjithash për të amortizuar pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë. Unë nuk e them këtë si një xhaxha po të themei bujar. Nuk dëshiroj që të lindë përshtypja që Rusia e Kina të jenë më shumë të angazhuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dëshiroj të dëgjohemi sa më mirë prej të gjithëve ju. Unë premtoj më tepër angazhim nga të gjitha shtetet anëtare.

Ju mund të keni gjithmonë besim tek Gjermania, por pikërisht sepse ne duhet të marrim vendime të njëzëshme dhe unanime është e rëndësishme të përfshihen të gjithë partnerët. Zoti Kryeministër e tha që në këtë moment kemi një problem bilateral mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Normalisht problemet bilaterale do duhej të zgjidhen në nivel bilateral, jo në nivel të BE-së. Por tani ne ndihmojmë dhe unë i jam tepër mirënjohës presidencës portugeze që ata janë duke vijuar pikërisht linjën e presidencës gjermane, por pikërisht për këtë ne kemi nevojë për politikanë të guximshëm që janë të gatshëm të ndërtojnë ura, të cilat të jenë solide. Ky është apeli im i drejtuar të gjithëve.

Dëshirij të shpreh urimet e mia përkundrejt Kryeministrit, i cili me partinë e tij arriti një shumicë të qartë dhe si socialdemokrat, unë mund ta them që kjo nuk është diçka e vetkuptueshme. Dëshiroj që edhe këtu të mbërrihet në një raport, në një qasje, marrëdhënie me respekt midis partisë që qeveris dhe opozitës. Konkursi i ideve dhe personave është eliksiri i jetës së një demokracie të gjallë. Ҫështjet e Kodit Zgjedhor, çështjet e demokracisë, vlerat e përbashkëta të BE-së do duhej të arrihej një gatishmëri minimale kompromisi. Ky do të jetë edhe mesazhi im përkundrejt palës tjetër. Unë do të takohem me përfaqësues të shoqërisë civile, sikundër edhe të opozitës. Por këtu kam ardhur para së gjithash të dëgjoj se ku ne, BE-ja, Gjermania mund të ndihmojë më mirë.

Për mua është e rëndësishme para së gjithash t’u kushtojmë vëmendje të rinjve, të cilët, për fat të keq, në Ballkanin Perëndimor, edhe në Shqipëri po largohen gjithnjë e më shumë, për të ndërtuar të ardhmen e tyre diku tjetër. Uroj shumë që shumica e tyre të kthehen sërish në vendet e tyre, sepse do të shohin që do t’ia vlejë që të kthehesh në vendlindje pikërisht se ka shanse realiste dhe konkrete për një Shqipëri të zhvilluar, sikundër për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për këtë do të duhet të kapërcehen disa pengesa, por rruga ia vlen.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit i dashur minister! E meqë ra fjala, do të ishte shumë më e rëndë sesa shtyrja e radhës së vendimit për miratimin e kornizës negociuese dhe Konferencës së parë Ndërqeveritare, pamundësimi i qytetarëve të Ballkant për të udhëtuar normalisht në Europë për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori; kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore. Unë shpresoj që të mos ndodhë kështu dhe uroj që edhe ju, edhe miqtë e tjerë të na ndihmoni që ta përçojmë këtë mesazh. Nuk ka arsye pse të ndahen njerëzit në kategori, kur bëhet fjalë për të drejtën e tyre elementare të lëvizjes së lirë, kuptohet në bazë të të gjitha rregullave, por njësoj për të gjithë.

– Në fakt është treguar qartë që jo vetëm zemra juaj rreh për Ballkanin Perëndimor, por zemra e gjithë politikës së kancelares Merkel, por deri më tani, kur ka pasur vendime kaq të rëndësishme për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor nga Këshilli Europian, ju keni qenë të vendosur që të mos ndaheshin në vendimin e tyre për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ashtu siç tha Kryeministri, tani kemi një surprizë, kemi këtë ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Do të veproni kështu? Do të veproni që për të dyja këto vende të ketë një vendimmarrje në 22 qershor apo ju jeni duke lobuar ndërkohë me Bullgarinë që të heqë dorë nga kjo veto e saj?

Për kryeministrin, mendoni që duhet të ndahet Shqipëria nga Maqedonia e Veriut në 22 qershor? Vendimmarrja për këto dy vende?

*Ministri Michael Roth: Në politikë vendoset në fund, jo vetëm sipas ndjesive, por sipas fakteve. Faktet janë vendimtarë. Faktet në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë janë të qarta. Të dyja shtetet, në këndvështrimin tonë kanë përmbushur kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit dhe për këtë arsye duhet që me të dy shtetet të nisin këto negociata dhe tani, më së fundi, duhet të fillojë ky proces e pikërisht për këtë punojmë ne me vendosmëri. Ne do të shfrytëzojmë çdo ditë, të bisedojmë me kolegët e koleget tona, në kuadër të Presidencës së Këshillit Europian kemi negociuar në mënyrë intensive me Bullgarinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe këto negociata janë duke u vijuar më tej, në mënyrë po aq intensive, nga presidenca portugeze. Duke qenë se unë merrem me Europën, jam sigurisht optimist e kështu do të mbetem dhe shpresoj që kjo të mund të mbërrihet në 22 qershor.

Kryeministri Edi Rama: Të jemi të qartë, përsa më takon mua personalisht, nuk diskutohet që do ta konsideroja një çlirim të madh pas kaq kohe pritjeje tek dera, pasi na u tha që dera do hapet e dera nuk është hapur, që dera të hapej. Por edhe nëse dera nuk hapet, nuk do të jem absolutisht i shqetësuar, siç isha kur nuk u hap herën e parë e kur nuk u hap herën e dytë, sepse besoj shumë që ky është një proces që lidhet në radhë të parë me ne, me vendin tonë, me fëmijët tanë dhe ne nuk i bëjmë reformat, nuk i bëjmë përpjekjet, nuk i bëjmë sakrificat pse na i kërkojnë në Berlin, në Paris apo në Bruksel. Ne i bëjmë sepse kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Natyrisht, vetëm duke bërë këtë që po bëjmë dhe edhe më shumë sesa kemi bërë deri tani në funksion të procesit të integrimit europian, ne do të arrijmë që t’u japim fëmijëve tanë Shqipërinë europiane, si shtet që funksionon njësoj si çdo shtet anëtar i Bashkimit Europian.

Ndërsa se çfarë ndodh e si ndodh e kur ndodh me njohjen dhe afirmimin e punëve të bëra nga ne, kjo nuk është detyra jonë, kjo është puna e të zotërve të asaj shtëpie që janë anëtarët e Bashkimit Europian dhe të Këshillit Europian. Kështu që ndahet apo nuk ndahet, bashkohet apo nuk bashkohet njëri me tjetrin apo të tjerët me të tjerët, kjo nuk është çështja jonë, kjo është çështja e Këshillit Europian. Sepse është shumë e qartë që vendimmarrja në Këshillin Europian lidhet në këtë situatë më shumë se asnjëherë më parë me çfarë duan të bëjnë ata, jo me çfarë kemi bërë ne. Ne e kemi bërë punën tonë, do vazhdojmë ta bëjmë punën tonë. Ia thashë edhe ministrit, ne jemi de facto, në disa aspekte të procesit të integrimit, më përpara sesa ata që po negociojnë e që kanë hapur kapitull pas kapitulli. Por kjo nuk do të thotë asgjë tjetër, përveçse ne po bëjmë detyrën e do ta bëjmë dhe më mirë detyrën.

Pra, për mua personalisht, sfida është si të rrisim më shumë kërkesën ndaj vetes e si të bëjmë më shumë vetë për veten. Çfarë do të vijë nga miqtë e nga partnerët tanë, patjetër që është e mirëseardhur. Nëse nuk do të vijë e do të vonojë, ne do të vazhdojmë të bëjmë punën e do të presim deri kur të vijë. Nuk shoh asnjë ndryshim mes këtyre të dyjave. Në fund të fundit këto janë aspektet e rëndësishme formale të një procesi. Përmbajtja e procesit është diçka që nuk na pengon askush që ta pasurojmë përditë, siç po e pasurojmë sepse në ndërkohë, ne punojmë ngushtësisht me Komisionin Europian, punojmë ngushtësisht me partnerët, punojmë ngushtësisht me qeverinë gjermane e me miq gjermanë në këtë proces e me të tjerët.

Reforma në drejtësi nuk do ndalojë se u hapën apo nuk u hapën dyert për Maqedoninë e Veriut e për Shqipërinë për të pasur Konferencën e parë Ndërqeveritare. Reforma e drejtësisë do vazhdojë, procesi do vazhdojë. Sfida jonë është si ta bëjmë edhe më mirë punën tonë, si ta çojmë edhe më larg çdo arritje në këtë punë. E tha ministry, por e dimë vetë të parët, ky është fillimi i një rruge të gjatë, nuk është fundi. Ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, pavarësisht se ca vende e kanë bërë këtë muhabet sikur në 22 qershor do merret vendimi, në 23 do ulemi atje e do fillojmë të vëmë dhe ne vetot tona. Ne thjesht po kërkojmë atë që na takon. Fatmirësisht, sot, të gjithë e dinë që na takon tani. Do na e japin apo nuk do na e japin është çështje kohe.

– Do të ishte në interes të dinim ndërkohë që data 22 qershor është duke u afruar, cila është klima mes vendeve anëtare përsa i përket dhënies së dritës jeshile për Shqipërinë për hapjen e mbledhjes ndërqeveritare, a ka vende skeptike, ka vende kundërshtuese? Faleminderit! 

*Ministri Michael Roth: Pandemia na ka ndryshuar të gjithëve. Ndoshta diçka është zhvilluar në drejtim jo aq pozitiv, por shumëçka në drejtim pozitiv. Është një krizë që na ka atakuar e na ka ndikuar të gjithëve, prej pasojave të të cilës jemi të varur të gjithë, çka e bën praninë e gjithsecilit prej nesh reciprokisht të nevojshme. Pikërisht vendet, të cilat janë të orientuara nga agresioni dhe revanshizmi nuk janë me perspektivë të ardhmeje dhe ne sigurisht jemi të ndërlidhur në këtë kontekst me njëri-tjetrin. Ne mund të na shkojnë gjërat mire, nëse edhe fqinjëve tanë u shkojnë gjërat mirë. Në Europë, ne kemi një situatë të privilegjuar. Ky rajon dallon nga ai lindori. Këtu ka një perspektivë anëtarësimi për të gjitha vendet dhe ju e dini që gjendja në vendet e Ballkanit Perëndimor është e ndryshme, pra, jo e njëjtë në të gjitha vendet. Në Lindje, sigurisht që nuk ekziston për të gjitha vendet perspektiva e anëtarësimit. Në Shqipëri, sikundër dhe në Maqedoninë e Veriut, pra, përsa i përket rrugëtimeve të këtyre dy vendeve, klima është bërë më pozitive dhe edhe në kontekstin e pandemisë. Pra, kemi një vështrim apo një perspektivë më miqësore përkundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për momentin, unë konstatoj vetëm një problem për të cilin ne kemi diskutuar në mënyrë të hapur, por ky nuk ka të bëjë me Shqipërinë, ky është një problem në nivel bilateral, tejet emocional, mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilin ne po e trajtojmë në mënyrë të vetëdijshme. E për këtë arsye, unë ditën e djeshme dhe sot në mëngjes kam qenë në Maqedoninë e Veriut pikërisht për të diskutuar atje me miqtë dhe partnerët në Maqedoninë e Veriut për se si mund të eliminohet një konflikt i tillë, në mënyrë të tillë që të dyja palët të mund të jetojnë me zgjidhjen që do mund të gjendet.

Kryeministri Edi Rama: A ka apo nuk ka vende skeptike, ne nuk e dimë sot, sepse ka dalë Bullgaria përpara dhe nuk kanë të tjerët nevojë të flasin fare. Në momentin që zgjidhet ngërçi, nëse zgjidhet, atëherë do shohim ka apo nuk ka vende skeptike.

– Zoti Roth ju përmendët vlerat e Bashkimit Europian, mbajtja e premtimit është një vlerë. Cili është raporti midis mbajtjes së premtimit dhe parimit të një vote unanime, sepse këtu dëgjuam që mund të zgjidhet ngërçi midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në një kohë të pacaktuar, ndërkohë që Shqipëria, e cila i ka kryer detyrimet e saj, mbetet peng i këtij ngërçi në një kohë të pacaktuar. Nëse flasim për vlera, a mund të mendojmë që ka një raport vlerash që duhet përcaktuar, për të mos kompromentuar kredibilitetin e Bashkimit Europian?

 Ministri Michael Roth: Po, Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimet e veta dhe këtë e them në mënyrë autokritike. Përshembull, liberalizimi i vizave do duhej të ishte përmbushur prej kohësh, jo sepse këtë e dëshiron Michael Roth, por sepse Komisioni ka përcaktuar që kushtet janë përmbushur dhe po kështu, edhe sot është e njëjta gjë. Kushtet janë përmbushur, pra, duhet të mbajmë fjalën, por Bashkimi Europian është i strukturuar në çështje qendrore pikërisht mbi arritjen e konsensusit dhe unë nuk mund të ndryshoj traktatet. Traktatet parashikojnë unanimitetin, ashtu si dhe në çështje të sigurisë e të politikës së jashtme. Unë nuk mund të ankohem rreth kësaj gjëje. Dhe në fund duhet që të gjitha shtetet e Bashkimit Europian të mbajnë përgjegjësitë e tyre.

Unë jam i detyruar të jem racional, sepse jam i bindur që me argumente të mira mund të kapërcehet edhe skepticizmi. Në fund, ky është një process ku të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre.

Ndaj i jam tepër mirënjohës Kryeministrit, kur theksoi faktin që konsolidimi i shtetit ligjor dhe i pavarësisë së sistemit të drejtësisë, liria e mediave dhe larmia e mediave, lufta e kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është një dhuratë që i bëhet Brukselit, Parisit, Berlinit. Jo, këto janë reforma në shërbim të vendit tuaj. Por sigurisht që ato ndihmojnë në kapërcimin e skepticizmit në BE.

Pikërisht për këtë, ne diskutojmë rreth BE-së, jo si një treg i brendshëm, por si një sistem vlerash që ja vlen të konsolidohet dhe kjo ka qënë një ndër pikat qëndrore të presidencës gjermane. Ne kemi ndërfutur mekanizma të rinj, kemi ndërfutur mekanizmin e dialogut për shtetin ligjor, por që shtetet anëtare të marrin më pak fonde prej BE-së në momentin që nuk u përmbahen parimeve të shtetit ligjor dhe kjo thekson edhe njëherë, faktin se sa të rëndësishme janë këto vlera dhe se si ato do të duhet të përmbusheshin. Ky është një proces që ashtu sikurse e thashë, do të duhej të mbartej prej të gjitha shteteve anëtare.

E pikërisht për këtë arsye, unë jam tejet i gëzuar të shoh që edhe këtu në Shqipëri ka progres substancial dhe askush nuk thotë që ne i kemi përmbushur të gjtiha kushtet dhe gjithçka është ideale. Jo, në fakt është arritur shumëçka dhe kjo duhet të gjejë vlerësim.

– A ka ndonjës sinjal për mosdiskriminimin e qytetarëve nga Ballkani, përfshi Shqipërinë, duke i ndarë në ata që kanë bërë vaksinën perëndimore dhe lindore. Së dyti, Ministri Roth përmendi kompromisin mes qeverisë dhe opozitës. Shteti i së drejtës, drejtësia, reforma, në këtë kuadër, ku e shihni ju kompromisin?

Kryeministri Edi Rama: A ka sinjal që do ndahen apo nuk do ndahen njerëzit e këtij kontinenti në dy kategori, sipas firmës së vaksinës? Po, edhe ka, edhe s’ka. Por më mirë t’i dalim përpara tani, sesa kur të ketë sinjal të plotë se do të jetë më e veshtirë. Natyrisht, mbase nuk ndryshojmë gjë, por ne kemi detyrë të themi të vërtetat tona, pa patur asnjë komleks kur vjen puna tek të drejtat tona. Se nuk është njësoj si, kur vjen fjala, tek vendimi i Këshillit Europian përsa i përket avancimit më tutje në  një proces që në fund të fundit ka të bëjë me hyrjen me të drejta të plota në shtëpinë e BE-së dhe kur vjen fjala tek një e drejtë bazike, themelore, që është lëvizja e njerëzve, në këtë rast lëvizja e shqiptarëve të Shqipërisë, e cila është garantuar prej vitesh dhe nuk mund të fragmentohet  se njëri ka bërë vaksinën Pfizer, tjetri ka bërë vaksinën Sinovac, njëri ka bërë AstraZeneca, tjetri ka bërë Sputnik.

Ju kur pyetët ministrin, folët për pengje. Thatë a mund të merret Shqipëria peng. BE-ja është tempulli i demokracisë dhe i politikës. Politika është shah. Shahu është lojë pengjesh. Por tek kjo e drejtë bazike, unë mendoj që BE-ja s’duhet të marrë peng askend që jeton në këtë rajion për shkak të firmës që ka bërë vaksinën.

Natyrisht që në kriteret që unë kam parë të lëvizjes së lirë është mundësia që kush ka të drejtën e lëvizjes së lire, siç jemi ne, të bëjë test, ose të jetë i vaksinuar. Tani, pse duhet ta bëjmë testin dhe ta paguajmë testin për të lëvizur në Europë, – në BE më saktë se në Europë jemi dhe vetë, të paktën këtë të drejtë s’na e heq njeri, – ata që kanë bërë vaksinën Sinovac apo Sputnik. E këtu nuk janë vetëm shqiptarët e Shqipërisë, këtu janë dhe malazezët, janë dhe serbët dhe Maqedonasit e Veriut dhe boshnjakët. Se BE-ja e ka marrë peng Kosovën. Se peng është dhe Kosova, i një loje shahu, ku një nga figurat e lojës ka vendosur që atë ushtar ta mbajë peng dhe ata, shqiptarët në Kosovë të mos lëvizin lirisht. Jo se është e gjithë BE-ja me atë mendim, por se një nga figurat e shahut thotë, jo, ai ushtari atje në diagonale nuk do të lëvizë. Ok, e turpshme, por nuk ke çfarë i bën.

Ajo që ka të bëjë me lëvizjen në kushtet kur të gjithë kemi luftuar për të dalë nga pandemia dhe me thënë të drejtën, ne në Shqipëri kemi luftuar dhe ja kemi dalë, pasi u lamë vetëm, njësoj si të tjerët në këtë rajon, për shkak se të tjerët kishin hallin e tyre, nuk është për të fajësuar kënd.

Kush ishte dhe kush është objektivi i parë dhe më i rëndësishmi? Të shpëtojmë jetën e njerëzve e jo të mendojmë që po e shpëtuam e po shpëtuam gjysmë milioni jetë me vaksinën kineze, Europa do thotë “jo, se ju jeni të kategorisë së dytë”. I them këto për t’i dalë përpara, por sigurisht që nuk vendos unë, nuk vendos Shqipëria. Ajo që Shqipëria vendos është çfarë bëjmë ne këtu.

Po e mbyll këtë, duke e përsëritur atë që nënvizoi dhe miku ynë këtu, ministri, ne duhet të bëjmë punën tonë e do të përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më mirë dhe një nga gjërat që duhet të bëjmë më mirë është edhe përpjekja për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin, jo për të rënë dakord, por për t’u marrë vesh, për t’u kuptuar kur flasim me njëri-tjetrin, për t’u bërë pak më të mëdhenj, për ta kaluar fazën e adoleshencës politike e të sherreve prej adoleshentësh që pastaj i eksportojmë në Bundestag, i eksportojmë në Bruksel, i eksportojmë në Paris, i eksportojmë nëpër botë. E faktikisht, kush fiton këtu, fiton prapë, kush humbet këtu, humbet prapë, por nga ky eksport humbet Shqipëria në fund dhe fitorja jonë që ishim, jemi e do të jemi qeveri dhe humbja e tyre që ishin, janë e do jenë opozitë është shumë pak në krahasim me çfarë nuk fiton e çfarë humbet Shqipëria.

Kështu që ne nuk do të presim të na vijnë miqtë nga jashtë e të thonë ja shiko, silluni pak më mirë me njëri-tjetrin, por ne do ta bëjmë këtë, nëse jemi të vërtetë kur themi jemi gati të bëjmë gjithçka për Shqipërinë. Nuk po kërkon njeri këtu që të japim jetën, as të marrim armët, të shkojmë e të luftojmë me ndonjë armik gjëkundi, as të bëjmë sakrifica sublime. Këtu është thjesht dhe vetëm një kërkesë shumë alarmante, e kahershme, por sot edhe më alarmante, se po i themi hapni Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe duhet të tregojmë që jo thjesht e meritojmë për detyrat që kemi bërë, por ne jemi një vend i maturuar. Dhe kush flet në emër të këtij vendi nuk është vetëm Kryeministri, nuk është vetëm qeveria, është edhe opozita. E kur flasim anglisht, – se gjermanisht nuk di njeri këtu, – duhet të jemi shqiptarë në radhë të pare, pastaj socialistë e demokratë.

Kur flasim shqip, jemi edhe socialistë, edhe demokratë, por nuk duhet të harrojmë që jemi shqiptarë. Besoj që natyrisht që është më e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Unë jam shumë i vendosur të bëj gjithçka për këtë. Nuk më intereson asnjë gjë tjetër nga inercia apo nga e shkuara ku kemi qenë të gjithë të përfshirë, për hir të vërtetës, nuk është vetëm njëra palë, por të gjithë kemi qenë të përfshirë në një luftë që ka shkuar dhe deri në absurd. Kush ka pasur më shumë, kush ka pasur më pak përgjegjësi, këtë mund ta thotë vetëm populli. Populli e tha në 25 prill, tani të vazhdojmë e të përpiqemi që këtu të bëjmë gjërat sa më mirë. Pastaj nuk jemi vetëm, kemi miq, kemi partnerë, kemi aleatë të mëdhenj. Bëjnë edhe ata sa munden. E rëndësishme është që Shqipërinë, edhe vendet skeptike, siç i quani e siç janë në të vërtetë, e duan aleat, e duan në Bashkimin Europian. Ndahen se sa shpejt e sa vonë, por kjo nuk është çështja jonë, ne nuk vendosim gjë këtu.

Ja, Bashkimi Europian dhe Europa; sot, ne jemi vendi më i sigurt për të bërë pushimet. Ia thashë ministrit, një herë në jetën tonë, në historinë tonë, pa pritur e pa kujtuar, për një moment ishim më të mirët. Tani, edhe Gjermania na ka arritur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button