Opinion

Rama tha , le të mos hapen negociatat!

Ylli Manjani

Le të mos hapen negociatat fundja!

Jo thjesht për Belerin, por edhe për Vangjush Dakon që mbahet në paraburgim kot, po kot fare!

Le të mos hapen edhe për ata “grupe të strukturuara kriminale” ku anëtarët e grupit nuk njohin njëri tjetrin.

Pse u dashkan hapur negociatat kur drejtësia ka kohë e energji të gjykojë edhe moralin e përgojores së Gjicit, pa na treguar cilin ligj ka shkelur?!

Apo duhen hapur negociatat se drejtësia e re fillon me kallëzime popullore, vijon me informacione popullore e merr vendime popullore?!

Le të mos hapen negociatat as për të gjithë ata që arrestohen pa akuzë, dmth pa provë të qartë që lidh veprimet e tyre me pasojën kriminale.

Biles, unë them le të mos hapen negociatat edhe për trajtimin e privilegjuar që u bëhet atyre që i shërbejnë të gjithpushtetshmit.

Se për ata kundërshtarë që shohin qelinë e paraburgimit pse bëjnë biznes apo gëzojnë pronën si njerëz të lirë, po e po.

Skanë përse të hapen negociatat kur (pu)shteti rrëmben prona private pa interes publik dhe pa pagesë për t’ia dhënë privatëve klientë.

Nuk e di përse na duhen negociatat kur mbahet peng e gjithë opozita më një vulë e me një mercenar. Nuk po fus këtu në arsyetim faktin që i gjithë drejtimi politik i opozitës është në përndjekje penale të stisur.

Nuk po fus në këtë arsyetim faktin e rikonfirmuar edhe nga ODIHR që sbëjm dot zgjedhje pa blerë vota. As faktin se nuk bëjmë dot një administradë publike me pushtete të ndara.

Apo mos duhen hapur negociatat se mbyllim portin më të madh në vend për të bërë pallate arabike?! Nuk po flas këtu për ato ndërhyrje që kanë dhunuar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE.

Apo duhet negociojmë se si e shkatërrojmë ekonominë e lirë me para droge?! Mos ka nevojë banka e Frankurtit të mësojë si zhvlerësohet Euro?! Kemi përvojë për këtë punë…

Ç’negociata do bëjm ne kur njerëzia na iku?! Në emër të kujt duam të negociojmë, të atyre që ikin?! Apo do negociojmë si analfabetë që kanë shkatërruar shkollat e veta!!!

Kush do negociojë për ne? Zyrtarët e shtetit që i prezumojmë ligjërisht si hajdutë e të korruptuar?! Apo zyrtarët që cakton partia e vetme në pushtet?!

E kështu me radhë, ka 1000 arsye përse vihen në dyshim negociatat tona me BE. Sepse ne nuk jemi ende në standardin e të qënit palë në bisedime. Një shtet, drejtuesi i të cilit e konsideron dhe ofron vendin e tij magazinë për refugjatë pa ja kërkuar njeri, nuk quhet partner por vasal.

Ç’negociata duam ne mor aman?!

Ja pra që nuk është punë Greqie, por thjesht e jona kjo e negociatave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button