Politika

Rama: Receta elektronike dhe karta e shëndetit sjellin lehtësira dhe transparencë

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Qendrën Shëndetësore nr.9 në Tiranë, ku prej ditësh ka nisur procesi i shpërndarjes online te Kartës së Shëndetit.

Kryeministri Rama pasi asistoi në ndjekjen e procedurës  online të dhënies së Kartës së Shëndetit,  u shpreh se “Për të çmontuar të gjithë atë barrë të tmerrshme që kishin dhe vazhdojnë të kenë në zona të ndryshme njerëzit dhe mjekët, duhet paralelisht me ndryshimet strukturore, edhe një reformim rrënjësor i formës së shërbimit dhe kalimin në shërbimin shëndetësor elektronik. Receta elektronike, nga njëra anë, Karta e Shëndetit e marrë elektronikisht, nga ana tjetër, janë dy hapa, jo të gjitha, që sjellin një lehtësi shumë të madhe. Përfundimisht, të gjithë ato radhë të tmerrshme, që i përjetuam edhe nëpërmjet televizionit në zona të ndryshme, evitohen plotësisht dhe e gjitha funksionon shpejt, por më e rëndësishme, në mënyrë transparente dhe në mënyrë të tillë që çdo gjë e shkruar mbetet aty” .

Ndërsa, drejtoresha e FDKSH-së, Vjollca Braho, u shpreh se “Me përfundimin e recetës elektronike në gjithë Shqipërinë, pas realizimit me sukses në qytetin e Durrësit, bëhet e mundur që ne të kemi nën kontroll të gjithë sistemin, duke filluar që  nga vizita tek mjeku i familjes, pajisja me recetën elektronike, apo marrja e ilaçeve në farmaci”.

“Mjeku i familjes ka më shumë kohë të merret me qytetarin, sepse më parë ka pasur një librezë shëndeti dhe duhet të plotësonte edhe recetën, edhe librezën e shëndetit, pra, të njëjtën gjë e hidhte dy herë,” tha zv/ministri i Shendetesise, Klodian Rjepaj.

Në njoftimin për mediat jepen detaje për lehtësirat dhe përfitimet që kanë qytetarë, ku thuhet se “Karta e Shëndetit është një ndër hapat për modernizimin e shërbimit shëndetësor, pjesë e reformës së gjithanshme në shëndetësi. Shpërndarja e saj ka nisur në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë vitit të shkuar u shpërndanë rreth 692 500 karta. Nga janari i këtij viti deri më tani janë shpërndarë mbi 320 mijë Karta Shëndeti. Përdorimi i kësaj karte përbën një lehtësi edhe për mjekun  e familjes, i detyruar deri dje të plotësojnë fletë libreze pa fund, që tashmë të fokusohet tek qëllimi i detyrës së tij, kujdesi ndaj qytetarit”.

“Informatizimi i këtij shërbimi bën të mundur lidhjen dhe marrjen në kohë reale të informacionit në disa institucione njëherësh, regjistrin e Gjendjes Civile, regjistrin e pensioneve, regjistrin e kontribuuesve; regjistrin e punëkërkuesve, si dhe regjistrin e ndihmës ekonomike, si dhe për qytetarët, kjo eliminon një radhë dokumentesh që deri dje nevojiteshin për t’u pajisur me Kartën e Shëndetit, si pasojë edhe vajtje-ardhjet sa nga një zyrë në tjetrën dhe shkurton e kohën e shërbimit; Për administratën, eliminon fiktivitetin e një sërë dokumentesh që paraqiteshin për të marrë shërbim në mënyrë të padrejtë, rrit sigurinë dhe transparencën”, thuhet në njoftimin për mediat nga zyra e shtypit e Kryeministrit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button