Politika

Statuti i ri i RTSH dhe Parimet Editoriale. Gëllçi: RTSH synon të fitojë besimin e publikut

Statuti i ri i RTSH dhe Parimet Editoriale janë diskutuar të premten me praninë e deputeteve të Komisionit të Mediave në parlamentin shqiptar, grupeve të interesit, përfaqësuesve të OSBE etj. Këto dy dokumente janë jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një domosdoshmëri në kuadër të reformës së nisur në RTSH, theksoi drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllçi. “Ne po investojmë në teknologjinë e re, po japim standartet editoriale, po thjeshtojmë strukturat, po përpiqemi të ofrojmë një imazh të ri, por nëse nuk fitojmë besimin e publikut, asgjë nuk ka rëndësi” tha zoti Gëllçi.
Kalimi i statutit në parlament shkakton edhe vonesë në vendimarrje, theksoi Lutfi Dervishi kryetari i grupit të punës që ka hartuar këtë dokument. “Çdo ndërhyrje e parlamentit nuk shkon në të mirë të një autonomie të institucionit” tha zoti Dervishi.
Për kreun e Këshillit Drejtues të RTSH Kristaq Traja, “Në momentin që ky statut miratohet edhe formalisht, ideja e krijuar në publik është që ky vazhdon të jetë institucion shtetëror”.
Duke përforcuar këtë mendim drejtori i përgjithshëm i RTSH Thoma Gëllçi, kujtoi se ” Për të ndryshuar një drejtori apo një njësi, ne duhet ti drejtohemi prapë parlamentit”.
Deputeti Musa Ulqini tha se ” …ne thjesht i japim një OK statutit për ta bërë atë një dokument me fuqi të madhe, pra jo diçka më shumë se një rregullore”.
Parimet editoriale vijnë për herë të parë të shkruara në një media në Shqipëri dhe synojnë ti japin gazetarit lirinë që i takon, por edhe mbrojtje.
Drejtori i Njësisë së Programeve Tematike dhe Lajmeve Bledar Zaganjori tha se “Parimet do të synojnë të ndihmojnë gazetarët e redaktorët të çlirohen jo thjeshtë nga çensura, por çka është më e rëndësishme nga autoçensura. Ato synojnë tu japin gazetarëve një formë lirie dhe mendimi të të shprehurit dhe do të shërbejnë si një element mbrojtës”, tha ai.
“Unë nuk e mbështes dot pavarësinë e RTSH-së në kurajon apo integritetin tim personal. Unë jam hiçgjë përpara një presioni të madh të qeverisë, ministrave, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, deputetëve, komisioneve që nuk të lenë të bësh asnjë hap përpara” këmbënguli kreu i RTSH Thoma Gëllçi. “Unë vet i pari dhe gazetarët të dytët duhet ta shikojnë këtë dokument si mburojën e tyre ndaj këtij presioni” tha zoti Gëllçi.
Për Vojisllav Raonik nga OSBE ky është vetëm fillimi dhe duhet të ecet me hapa të shpejtë për të kaluar me pas në etapa të tjera siç janë planet e biznesit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button