Politika

Rama: Amendamentet e PD-së për buxhetin, janë programi elektoral i 2005

Amendamentet e Partisë Demokratike për buxhetin 2018 dhe paketën fiskale janë aritmetikisht rritje e menjëhershme me 10 për qind e borxhit publik dhe rënie e menjëhershme e 710 milionë dollarëve të ardhura në buxhetin e shtetit.

Duke marrë fjalën nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama komentoi amendamentet e propozuara nga PD për buxhetin 2018, që sipas tij,  e çojnë borxhin publik 79 për qind, ndërkohë që ne e ulim atë në 68.9 për qind.

PD, tha Kryeministri Rama, “nuk ka asnjë vizion alternativ për Shqipërinë dhe nuk ka asnjë program alternativ për të ardhmen, përveç ideve të vjetra të shkruara në programin elektoral të vitit 2005”.

“Faktikisht është një paketë propozimesh që bazohet e gjitha tek programi elektoral i vitit 2005. Nuk ka absolutisht asgjë të re dhe është e hatashme të shikosh se si një grup parlamentar i sjell Kuvendit ide të 2005-s, masa të parashikuara dhe zgjidhje të ofruara në atë program të 12 vjetëve më parë, të cilat gjatë qeverisjes së tyre rezultuan zgjidhje pa zgjidhje”, tha Rama.

PD është në agoni, theksoi Rama, një agoni që sipas tij, vazhdon dhe nuk ka asnjë shenjë se mund të përballohet për ta nxjerrë PD-në në dritën e jetës reale dhe për ta bërë atë një forcë që propozon, që ka një vizion alternativ të vizionit tonë, program alternativ me tonin dhe qasje dhe filozofi qeverisëse alternative me tonën”.

Sipas Ramës, PD nuk ofron asgjë. Të gjitha propozimet e saj për buxhetin 2018 nuk marrin në konsideratë kuadrin e sotëm ekonomik e financiar dhe mundësitë apo potencialet reale.

Amendamentet, rritje e menjëhershme me 10 % e borxhit publik; rritje e të ardhurave 

Duke komentuar propozimin e PD-së për kthimin tek taksa e sheshtë, siç ishte e parashikuar në programin e vitit 2005, taksimi njësoj i të mëdhenjve dhe të vegjëlve, sipas Kryeministrit nënkupton më shumë taksa për ata që fitojnë më pak, më pak për ata që fitojnë më shumë.

Ndërsa lidhur me propozimin e PD-së për ta ulur TVSH-në me 15 për qind, kryeministri u shpreh se “kjo është një shifër që nuk ekziston në asnjë vend të Europës së vjetër dhe të re. “Një propozim për uljen e tatimit mbi të ardhurat personale që kontradikton filozofinë tonë në thelb dhe që në thelb përbën një turrje të re kundër atyre që fitojnë më pak dhe një lëshim të ri për ata që fitojnë më shumë. Pastaj dividenti zero, një propozim që s’ka lidhej fare me realitetin. Ka një propozim për regjistrimin e koncesioneve në borxhin publik që tregon, se nuk keni lexuar fare nenin 19, që e përcakton tavanin për vlerën e kontratave në përqindje të PBB-së”, tha Rama.

Një tjetër element, që sipas Ramës u bë mirë gjatë qeverisjes së djathtë ishte pikërisht bashkimi i taksës së qarkullimit me çmimin e karburantit, që qysh në atë kohë shënoi rezultate në mbledhjen e të ardhurave dhe luftën ndaj evazionit.

PD vazhdon me avazin e rritjes së pagave, ndërkohë që sipas kryeministrit, rritja e pagave gjatë 4-vjeçarit të shkuar është në tërësinë e vetë më e lartë se 8 vitet e qeverisjes së PD-së të marra së bashku.

“Pastaj vjen amendamenti i çuarjes së buxhetit për arsimin 5 për qind, që është në programin e viti 2005. Pyetja e thjeshtë është: kur e kishit në program në 2005, pse nuk e bëtë në 8 vjet?”, iu drejtua Rama deputetëve të opozitës.

Sipas tij, opozita i numëron qeverisë të tëra plagët që i ka hapur këtij vendi vetë, ndërkohë që ne do të vazhdojmë t’i kurojmë me reforma që opozita nuk i bëri kurrë.

Sa i përket amendamentit për rritjen e subvencioneve në bujqësi, Rama tha se buxheti për bujqësinë në vitin 2013 ka qenë 48 milionë dollarë në total, ndërsa sot është 109 milionë dollarë”. “Ne e kemi dyfishuar dhe kjo nuk mjafton, por nuk jeni ju ata që mund ta thonë. Ju jeni arsyeja pse sot Shqipëria nuk ka më shumë, pasi në 8 vjet i bëtë gropën vendit”, shtoi Rama.

Lidhur me amendamentet për arsimin, Kryeministri theksoi se tekstet falas, PD i kishte në program dhe nuk i bëri. “Ne tekstet kemi mundësinë tani t’i bëjmë falas për të gjithë fëmijët nga klasa e parë në të katërt dhe nga klasa e 5 e tutje të familjeve në nevojë. Ju jo vetëm që nuk i bëtë falas por i bëtë faqen më të zezë të historisë së dijes në këtë vend. Futët altertekstin që ishte alterkorrupsioni dhe e çmendët mësuesin dhe fëmijën për 8 vjet rresht”, shtoi ai.

Po ashtu sipas tij, dyfishohet buxheti i 2018-s për mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta, buxhet që PD e kishte zero, ndërsa ne sot kemi 320 mësues dhe në 2018 do të kemi 620 mësues.

Sa i përket propozimit për të përndjekurit politik, Rama u shpreh se PD është partia që mori flamurin e mbrojtjes së të përndjekurve politikë dhe në 8 vjet kishte kohë për të bërë për ta gjithçka,  por bëri një çorap”. “Ngatërruat të burgosur, spiunë, familjarë, trashëgimtarë dhe jeni ju që keni bërë që plot të burgosur politik të ikin në atë botë pa marrë asnjë qindarkë të vetme. Ndërkohë që spiunët kanë marrë paratë e pamerituara nga fondi. Ne kemi thënë se do t’i japim lekët një më një të gjithë atyre që kanë qenë në burg politik, që janë gjallë. Jam krenar që PS ka kompletuar plotësisht të gjithë listën e të gjallëve, mbetet vetëm një pjesë e vogël nën 200 persona, që nuk kishin aplikuar dhe i futëm në listë. Me plotësimin e dëmshpërblimit të tyre, i themi me krenari të gjithë shqiptarëve që këtë borxh PS e lau deri në qindarkën e fundit”, tha Rama.

Buxheti 2018, sipas Ramës ka 2-3 fishuar fondet për ndihmën ekonomike.

Ndërsa sa i takon amendamentit të PD-së për rritjen e buxhetit për kulturën dhe sportin, Rama kujtoi se sporti kishte një buxhet prej 80 mijë dollarë në 8 vitet e tyre. “Buxheti i kulturës sot, nuk krahasohet me atë të PD-së”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button