Bota

Koment: “Normaliteti i ri”

Moska armatoset, do ta zgjerojë arsenalin e armëve atomike. Preteksti se ky është reagim ndaj NATO-s është i planifikuar me kohë. Ingo Mannteufel mendon, se tani sërish duhet të ambjentohemi me retorikën e konfrontimit.

Vladimir Putin komunikoi krijimin e më shumë se 40 raketave të reja ndërkontinentale për forcat e armatosura atomike ruse. Si justifikim për këtë armatim Moska paraqet planin e SHBA-së për dislokimin e teknikës së rëndë të luftës në vendet europiano-lindore të NATO-s. Në këtë kontekst Kremlini jo pa qëllim e anashkalon faktin, se zgjerimi i aftësive mbrojtëse në kufijtë lindorë të NATO-s duhet parë në kontekstin e politikës agresive ruse në Ukrainë.

Perëndimi dhe Rusia ndodhen – sërish – në një dilemë teorike të sigurisë: asnjra palë nuk ka besim tek tjetra dhe për këtë arsye ato i zgjerojnë kapacitetet e tyre ushtarake. Secila palë reciprokisht e ndjen veten të kërcënuar dhe intensifikon armatimet e veta. Rezultati është një spirale klasike armatimi.

Putin ka nevojë për konfrontim

Ky zhvillim nuk vjen papritur e veçanërisht gjermanët duhet të mësojnë ta konsiderojnë si “normalitetin e ri” retorikën e re konfrontuese nga Moska. Janë të shumtë ata që gabimisht e konsiderojnë konfliktin në Ukrainë si shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit.

Mannteufel Ingo Kommentarbild App
Ingo Mannteufel

Por konfrontimi për Ukrainën dhe në Ukrainë është pasojë ose shprehje e një zhvillimi të brendshëm me rrënjë më të thella në Rusi: fillimi i presidencës së tretë të Putinit 2011/2012 u shoqërua me protetsta të fuqishme të shtresave të vogla dhe të mesme qytetare në vend. Ndaj kësaj krize legjitimiteti të krijuar kundrejt Putinit Kremlini reagoi me një përkushtim edhe më të fuqishëm ndaj vlerave kombëtare ruse dhe ortodokse. Me këtë retorikë kundër Perëndimit, që ka fituar trajta të frikshme patologjike në konfliktin për Ukrainën, Putin ia ka dalë, që ta rrisë në vlera deri tani të paimagjinueshme në 80% kuotën e simpatisë ndaj tij, që në vitin 2012 ra dukshëm.

Ky fokus ndaj një rruge të tij të veçantë politike është shoqëruar edhe me një strategji të re ekonomike për Rusinë: në kohën e krizës globale financiare dhe rënies së çmimeve të energjisë Kremlini – shumë kohë përpara krizës së Ukrainës – vendosi për shkëputjen prej partneritetit të modernizimit të ofruar nga Perëndimi. Në vend të kësaj Moska që nga vitet 2011/2012 është përqendruar tek një riindustrializim i ekonomisë ruse sipas parimit sovjetik: përmes instituteve teknike studimore të atashuara në komplekset ushtarako-industriale duhet të rindërtohet ekonomia kryesisht në sektorin e prodhimit.

Armatim i planifikuar prej kohësh

Qysh në shkurt 2012 – asokohe ende kryeministër dhe kandidat për president – Vladimir Putin shpalli investime masive në industrinë ruse të armatimit në vlerën e rreth 23 trilionë Rublave deri në vitin 2022. E pikërisht përpara më shumë se tre vjetësh ai u shpreh për pajisjen edhe të dhjetë regjimenteve të tjera me raketa bërthamore të tipit Topol-M dhe Jars. Putin në fakt tani vetëm e ka përsëritur këtë – duke e ndryshuar kahun e shkakut dhe pasojës – në kontekstin e planeve të NATO-s për Europën Lindore.

E vërteta e hidhur është, se nuk është as konflikti në Ukrainë e madje as qendrimi i Perëndimit që kanë çuar në një konfrontim të ri mes Perëndimit dhe Rusisë, por është kursi politik që ndjek prej vitesh presidenti Putin që po shkon drejt kësaj luftë të re të ftohtë. Edhe pse Perëndimi ende nuk do ta besojë: ky është “normaliteti i ri”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button