Bota

Trump në përballjen e parë gjyqësore në procesin që rrezikon pronat e tij

Prokurorja e Përgjithshme, Letitia James, po kërkon të paktën 250 milionë dollarë gjobë, ndalim të përhershëm të zotit Trump dhe djemve të tij Donald Jr dhe Eric nga drejtimi i bizneseve në Nju Jork dhe një ndalim pesëvjeçar të veprimtarive të pasurive të paluajtshme komerciale të zotit Trump dhe Organizatës Trump.

Ish-Presidenti Donald Trump doli të hënën para një gjykate në Nju Jork në një proces gjyqësor civil që mund t’i kushtojë atij kontrollin e disa prej pronave të tij më të rëndësishme . Të hënën në seancën e parë palët paraqitën argumentat hapëse.

Gjyq i turpshëm”, deklaroi zoti Trump në një moment pushimi rreth drekës, pasi dëgjoi përfaqësuesit e zyrës së Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, që e cilësuan atë një gënjeshtar patologjik.

Në padinë e ngritur nga shteti i Nju Jorkut, manjati i bizneseve i kthyer në politikan, akuzohet se ka mashtruar bankat, kompanitë e sigurimeve e të tjerë, duke deklaruar për vite të tëra të dhëna të rreme në pasqyrat financiare të kompanive të tij.

Ata kanë gënjyer vit pas viti”, tha Kevin Wallace, përfaqësues i zyrës së zonjës James, në prani të zotit Trump.

Si përgjigje avokatët mbrojtës, të ish-presidentit thanë se pasqyrat financiare ishin të ligjshme. Pronat e zotit Trump sikurse “Mona Liza”, kanë një vlerë shumë të lartë tha avokatja Alina Habba.

Ky nuk është mashtrim. Këto janë pasuri të paluajtshme”, tha ajo, duke akuzuar zyrën e Prokurores së Përgjithshme për “vendosjen e një precedenti shumë të rrezikshëm për të gjithë pronarët e bizneseve në shtetin e Nju Jorkut”.

Zoti Trump u paraqit vullnetarisht në gjyqin civil kundër tij të cilin ai e quajti “vazhdim të gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave”. Kandidati kryesor republikan në garën presidenciale të vitit 2024, përsëriti pretendimet se zonja James, një demokrate, po përpiqet të pengojë kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Është një mashtrim”, tha zoti Trump jashtë gjykatës. Ai e quajti rastin “një përpjekje për ta dëmtuar atë në zgjedhje”, duke shtuar se “nuk mendon se njerëzit e këtij vendi do ta mbështesin një gjë të tillë’.

Ndërkohë, zyrtarët e fushatës së tij filluan menjëherë mbledhjen e fondeve që nga momenti i shfaqjes së tij në gjykatë.

Pjesëmarrja në gjyq e zotit Trump, shihet si një zhvillim i rrallë, nisur nga praktikat që zoti Trump ka ndjekur në të shkuarën.

Gjakatësi i çështjes ka marrë tashmë një vendim lidhur me një prej akuzave kryesore të ngritura në padinë e Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James. Ai e ka shpallur atë fajtor për mashtrim lidhur me praktikat e tij të biznesit.

Do të shkoj në gjykatë nesër në mëngjes për të mbrojtur emrin dhe reputacionin tim”, shkruante zoti Trump të dielën në mbrëmje në platformën e tij sociale “Truth Social”.

Më herët zoti Trump sulmoi Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, si dhe gjykatësin Arthur Engoron.

E gjithë kjo çështje është një mashtrim”, shkruante zoti Trump. “Shihemi në gjykatë, të hënën në mëngjes“.

Gjyqi shënon kulmin e një hetimi shumëvjeçar të kryer nga zyra e prokurores James, që e ka akuzuar zotin Trump dhe kompaninë e tij, se mashtrojnë me pasqyrat financiare të pronave të tij.

Javën e kaluar, përpara se të niste gjyqi, gjykatësi Engoron mori vendim lidhur me akuzën kryesore të padisë. Ai tha se zoti Trump kishte mashtruar në mënyrë rutinore bankat, kompanitë e sigurimit e të tjerë, duke ekzagjeruar vlerën e pronave për të marrë kredi të reja.

Të hënën herët në mëngjes, zonja James përsëriti qëndrimin se zoti Trump për vite me radhë “ka fryrë e falsifikuar vlerën neto të pasurive të tij, me qëllimin për të pasuruar veten dhe për të mashtruar sistemin”.

“Javën e kaluar ne fituam themelet e çështjes sonë dhe dëshmuam se pasuria e tij neto e supozuar, ka qenë prej kohësh e bazuar në një mashtrim të jashtëzakonshëm”, shprehej zonja James nëpërmjet një deklarate, duke shtuar se ajo mezi priste që gjatë gjyqit “të dëshmonte shtrirjen e plotë të mashtrimit dhe akteve të paligjshme”, të kryera nga zotit Trump.

Ish-presidenti republikan, një nga njerëzit e afër të tij, dy djemtë e tij më të mëdhenj, drejtuesit e Organizatës Trump, si dhe ish-avokati i tij i kthyer në një prej armiqve kryesorë, Michael Cohen, janë në mesin e dhjetëra dëshmitarëve të mundshëm.

Zoti Trump nuk pritet të dëshmojë për disa javë.

Pjesmarrja e tij në gjykatë të hënën shënon një ndryshim të madh nga praktikat që ai ka ndjekur në të kaluarën.

Zoti Trump nuk shkoi në gjykatë, as si dëshmitar dhe as si spektator, kur kompania e tij dhe një nga drejtuesit më të lartë të saj, u dënuan për mashtrime me taksat vitin e kaluar. Ai nuk u paraqit as në procesin gjyqësor në fillim të këtij viti, në të cilin një juri e shpalli atë fajtor për abuzim seksual me shkrimtaren E. Jean Carroll.

Në disa mënyra, pjesmarrja e tij në këtë proces shihet si dëshmi e rrezikut që paraqet kjo çështje.

Prokurorja James, demokrate, ka kërkuar që zoti Trump të paguajë një gjobë prej 250 milionë dollarësh dhe që ai të mos lejohet të bëjë biznes në Nju Jork.

Vendimi i javës së kaluar i gjykatësit Engoron, nëse do të mbështetej edhe nga një gjykatë apeli, do të zhvendoste gjithashtu kontrollin e disa prej kompanive të tij, tek një administrator, i caktuar nga gjykata dhe mund ta detyronte atë të hiqte dorë nga pronat që ka në Nju Jork, si Trump Tower.

Zoti Trump e quajti atë një “dënim me vdekje të korporatës” së tij.

Bëhet fjalë për një gjykatës të çmendur, që urren Trump-in, e që po udhëheq këtë çështje të bazuar mbi një mashtrim dhe me një shpejtësi të paparë më parë”, shkruante zoti Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Gjykatësi Engoron pritet të vendosë tashmë për gjashtë akuzat e tjera të ngritura në padinë e kryeprokurores James, përfshirë akuzat për konspiracion, falsifikim të të dhënave të biznesit, si dhe mashtrim të kompanive të sigurimit.

Zyra e kryeprokurores James pretendon se zoti Trump ka ekzagjeruar pasurinë e tij me 3.6 miliardë dollarë.

Po kështu sipas padisë zoti Trump ka pretenduar në mënyrë të rreme se apartamenti i tij në Trump Tower në Manhattan – ishte gati tre herë më i madh sesa sipërfaqja aktuale dhe vlente 327 milionë dollarë. Zonja James thotë se asnjë apartament në qytetin e Nju Jorkut nuk i është afruar ndonjëherë kësaj shifre.

Zoti Trump e ka vlerësuar resortin e tij Mar-a-Lago deri në 739 milionë dollarë – rreth 10 herë më shumë sesa vlerësimi më i arsyeshëm i vlerës së tij, thotë zonja James. Shifra që kishte dhënë zoti Trump për pronën e tij private në Palm Beach të Floridës, bazohej në idenë se ajo mund të zhvillohej edhe për qëllime banimi. Por sipas zonjës James, kushtet me të cilat është blerë kjo pronë e ndalojnë një gjë të tillë.

Ish-Presidenti ka hedhur poshtë pohimet se ka bërë shkelje. Ai dhe avokatët e tij kanë thënë se askush nuk është dëmtuar nga ajo çka është paraqitur në pasqyrat financiare. Ai ka thënë gjithashtu se bankat nga të cilat ai ka marrë hua janë shlyer plotësisht, partnerët e biznesit kanë fituar para dhe kompania e tij ka lulëzuar gjithashtu.

Padia e zonjës James duket se krijon jo pak shqetësime për zotin Trump, ndërsa ai po bën fushatë për kthimin në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ai është paditur katër herë që nga muaji mars, i akuzuar për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 që e nxirrte atë humbës, mbajtje të qëllimtë të dokumenteve sekrete si dhe falsifikim të të dhënave të biznesit, me qëllimin për të fshehur një marrëdhënie të dyshuar me një aktore filmash për të rritur.

Gjyqi në Nju Jork mbi praktikat e biznesit të zotit Trump mund të zgjasë deri në dhjetor sipas gjykatësit Engoron.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button