Kosova

Mustafa: Asoaciacioni dhe demarkacioni, nuk janë problem real

Për Kosovën nuk janë problem real as Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe as demarkacioni me Malin e Zi, shprehet sot kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se, problem është abstenimi në zbatimin e ligjit dhe rregullave, që stimulon hyxhymin e dhunshëm për të ardhur në pushtet jashtë rregullave demokratike.

“Asociacioni, Jo! Sepse, është Gjykata Kushtetuese ajo që vlerëson çdo pikë të marrëveshjes, dhe nëse del se edhe një pikë nuk është në harmoni me Kushtetutën ajo nuk do të implementohet”, thekson ai.

Kreu i qeverisë kosovare shprehet se  “i përkujtoj të gjithë ata që e dinë dhe ata që nuk e dinë se Asociacioni themelohet, jo me vendim dhe dëshirë të Kryeministrit apo Qeverisë, por si obligim për ta zbatuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të votuar nga 84 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj nuk mund të flitet për tërheqje të nënshkrimit, por për zbatim të ligjit”.

Ndërsa, vijon ai, Marrëveshja e demarkacionit nuk është as Bibël e as Kuran, dhe nëse dikush mund të vërtetoj me evidencë të qëndrueshme se, jo dhjetëmijë hektarë por, edhe një metër katrorë ka kaluar nga territori ynë në Mal të Zi, do të kërkohet korrigjim.

“Por deri sot askush nuk ka ardhur ta dëshmoj këtë. Kurse, gjeografët tanë duhet ta kenë një qëndrim lidhur me sipërfaqen e territorit të Republikës së Kosovës. Ky territor nuk është llastik. Disa shkruajnë për 10877, disa 10887, disa 10906 e disa mua më deklarojnë në zyrë se ky territor arrin në 10960 kilometra katrorë?! Ne kemi shkencëtarë e akademikë, të cilët kanë dije dhe munden, pa u ndikuar politikisht dhe pa orekse territoriale, të jenë të saktë në dëshmimin historik të vijave kufitare në të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës”, përfundon Mustafa në ‘facebook’.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button