Bota

Rrëfimi i Shimon Peres: Si e ndalova Netanjahun që të sulmonte Iranin

Dy vite më parë, Shimon Peres dha një intervistë për Jerusalem Post. E përditshmja izraelite e publikoi atë, por pa përmendur pjesën më të rëndësishme të saj dhe kjo me kërkesë të vetë Presidentit.
Në fakt, censura ishte një kërkesë e vetë ish-presidentit dhe ish-kryeministri izraelit, që ndërroi jetë të mëkurën në moshën 93-vjeçare.
Siç raporton Jerusalem Post, Peres u ka rrëfyer gazetarëve të saj sesi kishte ndalur Benjamin Netanjahun nga nisja e një sulmi ushtarak ajror ndaj Iranit me kërkesën që ky rrëfim të publikohej vetëm pas vdekjes së tij.
Intervista thuhet se është bërë më 24 gusht të 2014, në Qendrën e Paqes Peres në qytetin e Jaffa nga gazetarët Steve Linde dhe David Brinn.
Presidenti u ka bërë të qartë dy gazetarëve  që në fillim se nuk do të hynte në detaje për bisedën dhe debatin që ka bërë me Netanjahun.
Gjithçka ka nisur në 2011, kur Benjamin Netanjahu dhe ministri i Mbrojtës izraelit i asaj kohe, Ehud Barak, po hartonin planin e një sulmi ndaj Iranit me argumentimin se Republika Islamike ishte pranë ndërtimit të një bombe bërthamore.
“Pranverën tjetër, maksimumi verën tjetër, Irani do të ketë përfunduar pasurimin e uraniumit dhe do të kalojë në fazën finale të prodhimit të bombës atomike dhe faza finale zgjat vetëm pak muaj, e ndoshta javë”, deklaroi Netanyahu gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, vjeshtën e 2012.
Peres u ka thënë gazetarëve se nuk ka qenë i vetmi që ka kundërshtuar planet e Netanjahut për të sulmuar i pari Iranin. Ai thotë se edhe Forcat e Armatosura dhe pjesa më e madhe e gjeneralëve e kundërshtuan planin e Kryeministrit.
“Është e qartë që nuk mund ta ndërmarrim këtë hap të vetëm”, deklaroi Peres në një intervistë dhënë për mediat izraelite në 2012, duke nënkuptuar këtu dëshirën e Netanjahut për të sulmuar Iranin.
Presidenti ishte më i qetë se Netanjahu në këtë drejtim. Ai thoshte se nevojitej me patjetër bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara. Ai ishte i sigurtë se Izraeli nuk ishte i vetëm në këtë çështje për shkak të natyrës dhe përmasave të rrezikut.
Një e-mail sekret i inteligjencës izraelite u bë publik po atë vit dhe në të rrëzoheshin pretendimet e Netanjahut. Aty thuhej se “në Iran nuk vërehej aktiviteti i nevojshëm për prodhimin e një arme bërthamore”.
Deri në këtë pikë Uashingtoni nuk ishte në dijeni të planit të Netanjahut. Administrata Obama do të vihej në lëvizje nga Gjeneral-Lejtnant Gabi Ashkenazi, ushtarak i lartë izraelit që kundërshtonte sulmin. Ai vizitoi Shtetet e Bashkuara dhe njohu administratën Obama me këtë plan, siç shkruan Jerusalem Post, me bekimin e Presidentit Peres.
Në atë kohë, Obama ishte në nisje të fazës negociatore për çështjen bërthamore me Teheranin dhe dërgoi me shpejtësi në Izrael, Shefin e Shtabit, Admiral James Winnefeld për të ushtruar presion ndaj Tel Avivit që të mos ndërmerrte asnjë hap ushtarak. Kjo, sipas Jerusalem Post, zemëroi Netanjahun dhe ishte shkaku kryesor i ftohej së marrëdhënieve, që ende janë të tilla, mes dy udhëheqësve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button