Politika

Mazi, vizitë dyditore në Bullgari: Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat për konferencën ndërqeveritare

Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Europian, Zef Mazi zhvilloi një vizitë dyditore në Bullgari. Kryenegociatori Mazi, i cili ka nisur një tur vizitash në shtetet anëtare të BE-së për t’u paraqitur progresin e Shqipërisë, u takua ditën e sotme me zëvendësministrin e Jashtëm bullgar, Rumen Alexandrov, me të cilin, diskutoi për disa çështje.

“Gëzohem që pata një takim të hapur, profesional dhe miqësor me zv.ministrin e Jashtëm bullgar Alexandrov në Sofje. Pikëpamjet e shkëmbyera për një numër çështjesh; Bullgaria mbështet plotësisht BE në marrjen e hapave të mëtejshme me Shqipërinë. Shpresojmë për lajme pozitive në qershor. Zgjerimi duhet te vazhdojë”, shkruan Mazi në një postim në Twitter.

Ditën e djeshme Mazi shkëmbeu këndvështrimet dhe përvojën bullgare me procesin e integrimit duke u takuar me zëvendëspresidenten Iliana Yotova, ish-ministrin e Jashtëm bullgar Solomon Passy, i cili drejtoi negociatat në kohën kur Bullgaria nisi bisedimet për anëtarësim dhe ambasadoren Biserka Benisheva.

Mazi u shpreh se Bullgaria e mbështet plotësisht Shqipërinë në procesin e integrimit.

“Shumë i lumtur që u takova dhe bisedova sot me zv.presidenten e Bullgarisë, Iliana Yotova. Një shkëmbim pikëpamjesh të hapura dhe të dobishme. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Mbështetje e plotë nga Bullgaria!”, u shpreh Mazi.

“Shkëmbim i mirë dhe miqësor i pikëpamjeve me ministrin Bullgar të Drejtësisë, prof. Yanaki Stoilov në Sofje. Progresi në reformën unike të drejtësisë në Shqipëri ishte në qendër. U vu në dukje mbështetja dhe shkëmbimet e vazhdueshme të Bullgarisë për Shqipërinë. Shqipëria ka përmbushur të gjitha kërkesat për Konferencën e Parë Ndërqeveritare”, u shpreh Mazi.

“Shkëmbim i mirë i pikëpamjeve dhe përvojës me ish-MPJ-në bullgar, Solomon Passy dhe ish-kryenegociatoren ambasadoren Bisera Benisheva, e cila udhëhoqi negociatat e Bullgarisë për anëtarësimin në BE. Kohët janë të ndryshme, përvojat janë të dobishme, kompromiset janë të mundshme. Mbështetja për Konferencën e parë ndërqeveritare u nënvizua”, tha Mazi.

Shqipëria pret që në qershor Këshilli Europian të miratojë kuadrin negociues dhe po kështu rekomandimin e Komisionit Europian për mbajtjen brenda këtij viti të Konferencës së Parë Ndërqeveritare të bisedimeve për anëtarësim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button