Opinion

Blindohet Tirana….

Nga Lutfi Dervishi

Sa herë që ka një vizitë të një zyrtari të lartë në kryeqytet, sa herë që ka një maratonë, një samit apo një ditë pa makina titulli që të cingërrin nervat përmblidhet me dy fjalë: blindohet Tirana.

Dhe me “blindim” nënkuptohet bllokimi i qarkullimit në rrugë, një kthim në ditët e kovidit ku dalja në rrugë në këmbë ose në makinë ishte shkelje e rëndë ligjore.
Tirana, shpesh kthehet si kështjellat e Mesjetës, që sa herë vjen miku apo armiku mbyll dyert dhe banorët rrinë të zënë në çark si minjtë.
Dhe më e bukura është se nga zelli i tepruar policia bllokon rrugët edhe përpara orarit të njoftuar, thjesht për të “qenë brenda”.
Trafiku në Tiranë edhe pa bllokim është problem. A ja vlen të paralizosh gjithë ditën ose qoftë edhe një orë një kryeqytet se dikush ka ardhur për vizitë?!!
Si ja bënë Gjeneva, ky qytet i paqtë që pret jo më pak se 35 delegacione në ditë pa i shkuar kurrë në mendje t’i kthejë banorët në eremitë brenda shtëpive të tyre?
është koha për të menduar për zgjidhjen, ndoshta duhen ndërtuar dy porta te Casa Italia, njëra për dinjitarët dhe tjetra për banorët.
Distanca nga aeroporit deri në qendër të Tiranës është 10-15 kilometra, le të ndërtohet një rrugë e re, (underground) vetëm për këto raste dhe qeveria nuk i bie më në qafë njerëzve me bllokime vend e pa vend.
Në kushtet kur kjo rrrugë do vite të mbarojë mund të mendohet për alternativa.
Përdorimi i eskortave policore. Mjaft vende përdorin eskorta policie për të shoqëruar dinjitarët. Kështu bëhet vetëm një mbyllje e pjesshme dhe për pak minuta, pasi qarkullimi vijon sapo kalon kolona e eskortës.
Si vend i NATO-s mund të përdorim helikopterët nga Rinasi direkt në bulevard para godinës së qeverisë. Edhe qarkullimi nuk bllokohet, edhe koha e udhëtimit shkurtohet edhe miku nderohet se ndihet më i privilegjuar duke parë kaluar kryeqytetin.
Ka edhe variante shumë më të mira. Samitet dhe takimet e rëndësishme të zhvillohen në Rinas, në aeorport. Ndikimi në trafik është zero – peisazhi fantastik mes kalasë së Prezës dhe kështjellës së Skërnderbeut në Krujë dhe ndërtimi i një qendre konferencash dhe samitesh do të ishte zgjidhje ideale.
Po çfarë bëjmë tani? E kthejmë gjithë vendin në aeroport…
Bllokojmë qarkullimin për qindra mijëra banorë sepse na ka ardhur miku në shtëpi!!!
Bllokimi mund të jetë zgjidhja më e thjeshtë për autoritetet (siguria dhe telashet janë minimale), por sigurisht që nuk është zgjidhje për njerëzit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button