Politika

Shqipëria, në Task – Forcën e Gatishmërisë dhe misionin e NATO-s në Egje

Shqipëria do të jetë pjesë e Task – Forcës së Gatishmërisë Shumë të Shpejtë dhe misionit të NATO-s në Detin Egje. Këtë e konfirmoi për mediat, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila po ndjek punimet e Samitit të NATO-s që po zhvillohet në Varshavë.

Fillimisht ministrja Kodheli zhvilloi një takim në Varshavë, me homologun e saj turk, Fikri Işık, ku dënoi sulmin në Aeroportin Ataturk të Stambollit, si dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. Kodheli e falënderoi homologun e saj për mbështetjen që Turqia i jep Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin në kuadër të misionit në Afganistan, Resolute Support Mission. Të dy homologët diskutuan mbi sfidat e fundit me të cilat po përballet Aleanca në kufijtë e saj lindorë dhe jugorë.

Gjatë bisedës, ministrja Kodheli gjithashtu solli në vëmendje qendrën e ekselencës së NATO-s për studimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj (foreign fighters), e cila do të ngrihet në Shqipëri.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ministrja Kodheli foli për rëndësinë e Samitit të Varshavës, situatën në të cilën ai zhvillohet dhe vendimet që pritet të merren në të. “Samiti i Varshavës mbahet në një situatë të tensionuar dhe me pikëpyetje të mëdha për sigurinë botërore. Kjo do të thotë që vendet që ndajnë të njëjtat vlera me njëri – tjetrin, anëtare ose jo të NATO-s, duan të punojnë për ta pasur këtë siguri”, tha Kodheli.

010Sa i takon angazhimeve të Shqipërisë që rrjedhin nga këto vendimmarrje, Kodheli tha se “do të ketë një Task – Forcë të Reagimit Shumë të Shpejtë dhe Shqipëria do të marrë pjesë në të me një kompani”. Por sipas ministres Kodheli, “kjo nuk do të thotë që vëmendja nuk është së pari në territorin tonë, në mbrojtje të kufijve shqiptarë dhe të sigurisë së qytetarëve shqiptarë”.

“Ne do të marrim pjesë në jug në një mision për herë të parë në det me një anije tonën që do të ketë prezencë me rrotacion në një mision, i cili mbështet misionin e Frontex të BE lidhur me menaxhimin e situatës së rënduar në Detin Egje dhe në Detin Mesdhe për shkak të refugjatëve. Pjesë e këtij misioni të NATO-s sot janë Greqia, Turqia dhe udhëhiqen nga Gjermania. Jemi më shumë sesa të mirëpritur dhe besoj që nga nëntori do të mundësojmë një siguri më tepër në Detin Egje në Detin Mesdhe dhe padyshim dhe në ujërat tona”, tha ministrja Kodheli.

Samiti i NATO-s në Varshavë zhvillon punimet në datat 8 – 9 korrik dhe është i pari që mbahet në këtë vend kyç të Aleancës në Lindje. Në të marrin pjesë krerët e shteteve dhe krerët e qeverive të 28 vendeve anëtare dhe rreth 40 vendeve të tjera partnere. Në samit marrin pjesë gjithashtu edhe krerët e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, si Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Samiti i NATO-s në Varshavë zhvillohet në një moment kur përballemi me sfida serioze të sigurisë dhe kemi një akumulim krizash që nga Lindja, në Afrikën e Veriut e deri në Lindjen e Mesme. Samiti i Varshavës, krahas dhënies së drejtimeve strategjike për Aleancën, do të riafirmojë rritjen e kohezionit të saj duke përqasur qëndrimet e vendeve për çështje të ndryshme, si dhe për të rikonfirmuar angazhimin aleat ndaj cënimit të sigurisë së çdo vendi të NATO-s.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button