Kosova

TIKA 2 milionë euro për Njësinë e re të Kujdesit Intensiv në QKUK

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) nënshkruan sot në Prishtinë Marrëveshjen e Mirëkuptimit për Projektin e renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe përfaqësuesi i TIKA-s,  Eyup Yavuz Umutlu, në prani edhe të Ambasadores së Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivlicim Kiliç.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes, u tha se projekti do të realizohet në ish-hapësirat e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në QKUK, që tani janë të zbrazëta, do të ketë 27 shtretër dhe pajisje të reja, të gjitha të financuara nga TIKA, do të kushtojë rreth 2 milionë euro dhe pritet të përmbyllet në një periudhë kohore prej dy vjetësh.

Ministri Rrahmani falënderoi shtetin turk për bashkëpunimin e vazhduar dhe kontributin në përmirësimin e shërbimeve në shëndetësinë kosovare, ndërsa theksoi se projekti i renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, do të krijojë kushte shumë më të mira për trajtimin e pacientëve në këtë qendër dhe mundësi më të mëdha për profesionistët shëndetësor të fushës përkatëse.

“Ne do ta vazhdojmë të krijojmë mundësi që projekti të realizohet sipas planit të parashikuar, ndërsa si i tillë, projekti do të dyfishojë kapacitetet për Njësinë e Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, tha Rrahmani.

Ambasadorja Kivlicim Kiliç, u shpreh se “Republika e Turqisë, përveç sektorëve të tjerë, do të ketë në fokus mbështetjen për shëndetësinë, bazuar edhe në marrëveshjen e bashkëpunimit në shëndetësi midis dy shteteve dhe ky projekt është një angazhim konkret që të përkrahet sektori i shëndetësisë”.

Ajo theksoi se prej datës 20-28 shkurt, do të mbahet edhe Java e Shëndetësisë mes dy vendeve, ku një ekip prej 27 specilaistësh të fushave mjekësore nga Turqia, do të qëndrojnë në Kosovë për të kryer ndërhyrje te pacientët kosovarë dhe për të fuqizuar bashkëpunimin me mjekët kosovarë.

Gjithashtu, shtoi ajo, një ekip prej 20 mjekëve nga Kosova, së shpejti do të shkojnë në Turqi për të zhvilluar një program aftësimi në fushën e mjekësisë emergjente”.

Përfaqësuesi i TIKA-s, Eyüp Yavuz Umutlu tha se “projekti i renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv, nuk është as i pari, e nuk do të jetë as i fundit, që kjo agjenci do të zhvillojë për mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button