Politika

Papandreou: Rama bindi popullin që është e ardhmja

Ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou deklaroi sot se, kryeministri Edi Rama, me procedurat demokratike ka arritur të bindë popullin shqiptar që është e ardhmja.

Duke folur në edicionin e 23-të “Symi Symposium”, organizuar e drejtuar nga ai dhe me pjesëmarrje personalitetesh të njohura të politikës, ekonomisë e botës akademike ndërkombëtare, mes të cilëve dhe kryeministri Edi Rama, mbajtur në Athinë, Papandreou u shpreh se, “sot kemi mes nesh një mik të mirë, Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë. Përgëzime, Edi, për fitoren e fundit! Edi ka ardhur së pari në Simpoziumin tonë të dytë menjëherë pas luftës së Kosovës dhe ndërkohë jemi tashmë këtu së bashku, nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, të gjithë së bashku për të diskutuar vështirësitë në rajonin tonë. Kemi ecur përpara, por ka ende shumë çështje për të diskutuar”.

“Do të doja që bënim një bashkëbisedim të shkurtër me Edin. E falënderoj që erdhi, gjithashtu edhe gëzuar edhe ditëlindjen që e ka pasur një javë më parë”, tha Papandreou.

“Unë e kam takuar Edin, kur shqiptarët gjendeshin në një situatë shumë të vështirë, të polarizuar. Mbaj mend që kur shkova atëherë për vizitë, isha Ministri për Europën i Greqisë, por gjithashtu kishim edhe presidencën e Këshillit të Europës. Dhe së bashku me ministrin polak, që ishte kreu i OSBE-së së asaj kohe, shkuam në Shqipëri në përpjekje për të parë dhe për të bërë diçka për krizën e brendshme”, u shpreh Papandreou.

“Unë mbaj mend që atëherë u ftova nga kryeministri për t’u takuar me anëtarët e kabinetit dhe gjatë asaj kohe në të gjitha muret kishte plumba që ishin qëlluar aty”, theksoi Papandreou.

“Folëm me dikë, me ministrin e Kulturës, Edi Rama, i cili foli me vendosmëri për atë çka ishte, për atë çka do të ndryshonte. Dhe për mua ishte diçka që më dha mjaft informacion për të kuptuar”, nënvizoi Papandreou.

“Kam parë luftën që bëri Edi më vonë, përpjekjen e tij kur u bë kryetar i bashkisë së Tiranës. Duke qenë se e ndryshoi rrënjësisht Tiranën, duke bërë më të bukur. Dhe është në mandatin e tretë si kryeministër. Pra tre mandate Edi. Kjo nënkupton që me procedurat demokratike keni arritur të bindni popullin shqiptar që jeni e ardhmja, apo që e ardhmja e tyre është me ty dhe me partinë tënde”, theksoi Papandreou.

“Kur flitet për bashkëpunimin rajonal, dua të kthehem tek ajo që po thonit për shërbimet elektronike. Duket si një çështje teknike që i bën gjërat më të lehta, por në fakt, e kemi përjetuar në Greqi këtë dhe po bëjmë procesin, që rrjedhja në burimet tona, që shkaktohet nga korrupsioni. Për këtë qeverisja elektronike ishte një instrument që ne e vumë në zbatim për të sjellë transparencë dhe për të goditur një pjesë të konsiderueshme të korrupsionit”, theksoi Papandreou.

“Kjo është një fushë problematike në rajonin tonë. Pjesërisht, pasi strukturat e qeverisë kanë ardhur nga regjimet diktatoriale, autoritare, hierarkike, ku transparenca, sigurisht, nuk ishte kurrë ideja mbizotëruese, por krejt e kundërta. Kështu që ju keni luftuar për transparencë”, tha Papandreou.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button