Kosova

Donatorët 212 milion euro për Kosovën në 2014

212 milionë euro është shuma e dhënë për Kosovën gjatë vitit 2014 nga 22 donatorë aktivë, ku më të mëdhenjtë janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Zvicra dhe vende tjera.

Në takimin e sotëm Forumit të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian u tha ndër të tjera se mbështetja është bërë në sektor për zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, në arsim, kulturë, rini, etj.

Kryeministri Isa Mustyafa, tha se falë donatorëve Kosova ka bërë progres këtyre viteve të fundit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Programin e saj qeverisës dhe ne kemi vendosur zhvillimin ekonomik në epiqendër të punës tonë. Çdo resurs në dispozicion, e kemi vendosur në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, përmes zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe integrimeve euroatlantike”, u shpreh Mustafa.

Kreu i qeverisë u shpreh se jemi në fazën përfundimtare për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e cila do të shërbejë si udhërrëfyese për zhvillimin ekonomik në të ardhmen, përmes së cilës ne do t’i përcaktojmë prioritetet në zhvillimin ekonomik.

Kryeministri Mustafa duke folur edhe për nënshkrimin nesër të MSA-së, tha se Republika e Kosovës, ka bërë progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit në çdo sferë të shoqërisë dhe se ky progres u realizua falë bashkëpunimit dhe ndihmës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.ZKM-03

“Kam kënaqësi të veçantë që sot të marrë pjesë në hapjen e takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve. Veçmas jam i lumtur që këtë po e bëjmë një ditë para se të shkoj në Strasburg, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është një Marrëveshje tepër e rëndësishme për ne, sepse hap dyert tona që ne të kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe të kemi një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ai shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për të vazhduar me reformat e gjithmbarshme për të mirën e qytetarëve dhe për një perspektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim është fillimi i një rruge të gjatë, që do të bëhet për t’iu ofruar Bashkimit Evropian. “Një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë ”, theksoi kryeministri Musta.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, theksoi se “që Kosova të arrijw qëndrueshmëri ekonomike nevojitet përparim në të gjitha shtyllat e strategjisë kombëtare. Kosova duhet ta zhvillojë kapitalin njerëzor, duke përmirësuar sundimin e ligjit, rritjen e konkurrencës në sektorin privat dhe në zhvillimin e infrastrukturës. Këto shtylla gjithashtu janë në vijë edhe me përpjekje të ambasadës sime për përmirësimin e sundimit të ligjit, sigurinë rajonale dhe zhvillimin ekonomik. Ne kemi qenë partnerë në zhvillimin e Kosovës gjatë 16 viteve të kaluara dhe plotësisht e mbështesim qëllimin e Strategjisë Kombëtare për zhvillim dhe integrim evropian”, theksoi Delawie.

Shefi për ekonomi dhe integrim Evropian, Thomas Gnocchi, theksoi se Kosovës i nevojitet një rritje shumë e madhe ekonomike për ta kapur hapin me rajonin.

Sipas tij, bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk i i ndihmon zhvillimeve në Kosovë.

Ndërsa ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, theksoi se “donacionet kanë mbështetur zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, arsimin, kulturën dhe rininë, shëndetësinë moderne etj”.

“Gjatë vitit 2014, kemi pasur 22 donatorë aktiv, asistenca në total ka arritur shumën rreth 212 milionë euro. Donatorë më të mëdhenj kanë mbetur të pandryshueshëm dhe ata janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër shtetet e BE-së, Gjermania, Zvicra, dhe vendet e tjera”, theksoi Çollaku.

Forumi i Nivelit të Lartë është trupi më i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës i cili shërben si platformë për koordinimin e dialogut zhvillimor ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe donatorëve prezent në Kosovë. Sot u prezantua raporti vjetor i donatorëve për vitin 2014 si dhe prioritet e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button