Kosova

Vendet e rajonit me marrëveshje për paralajmërim në rast përmbytjesh

Institutet Hidro-meteorologjike të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë nënshkruan sot në Prizren një memorandum mirëkuptimi për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale me qëllim përmirësimin e paralajmërimit të hershëm të popullsisë në rast përmbytjesh.

Me anë të pajisjeve moderne u kryen matjet e prurjeve të lumit Drin në vendin e quajtur “Gryka e Prizrenit”, dhe këto të dhëna do të shkëmbehen mes vendeve në kohë reale për të pasur një informacion më të detajuar dhe të thelluar mbi situatat e reshjeve apo përmbytjeve.

Kryeshefi i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina tha se katër vitet e ardhshme synohet të krijohet rrjeti rajonal, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave të përbashkëta.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtorët e Instituteve Hidrometeorologjike, përkatësisht nga Letafete Latifi, Fatos Hoxhaj, Luka Mitrović dhe Oliver Romevski.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe drejtori i projektit “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve në Ballkanin Perëndimor”, Gerrit Bodenbender, i cili tha se situata e javës së kaluar tregon se ajo çfarë po bëjnë sot është shumë e rëndësishme sepse ka impakt të drejtpërdrejtë mbi njerëzit.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit, Hapësinor, në mbështetjen e këtij projekti, institutet hidro-meteorologjike të katër vendeve do të vazhdojnë të përmirësojnë parashikimin e përmbytjeve në rajon.

“Shkëmbimi në kohë reale e të dhënave, kombinuar me harta të detajuara të zonave që rrezikohen nga përmbytjet dhe modelin hidrologjik të basenit të lumit Drin, do të ndihmojnë në krijimin e një modeli parashikues që do të përdoret nga katër vendet”, thuhet në komunikatë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button