Kosova

Dëshmitarëve kundër Ivanoviqit iu ofrohen shuma të mëdha parash për tërheqjen e dëshmive

Personave të cilët janë duke dëshmuar kundër Oliver Ivanoviqit, i cili dyshohet se ka nxitur vrasjen e disa shqiptarëve në prill të vitit 1999 në Mitrovicë, po iu ofrohen shuma të mëdha parash për të mos dëshmuar kundër tij.

Rasti më i njohur është ai i dëshmitarit Isa Mustafa, i cili bën të ditur për Telegrafin se i janë ofruar mbi 100 mijë euro për të mos dëshmuar dhe kjo ka ndodhur disa herë radhazi.

Sipas tij, para dy muajve një person i ka treguar Mustafës në besë se disa persona kanë dashur t’ia ofrojnë mbi 100.00 euro për të tërhequr dëshminë kundër Oliver Ivanoviqit.

“Pas dëshmisë time që e kam pasur më 21 dhe 22 janar 2015 më saktë para dy muajve, një person erdhi tek unë dhe më tregoi në besë se i paskan thënë disa persona tjerë që duhet të dërgonte tek unë një çantë me mbi 100.000 euro, në mënyrë që unë të tërheq dëshminë kundër Oliver Ivanoviqit. Kjo paska ndodhur në pjesën veriore të Mitrovicës, më saktësisht në lagjen Suhodoll ku edhe janë dërguar mjetet”, tha Mustafa për Telegrafin, duke sqaruar se personit që i janë ofruar paratë për t’ia sjellë nuk ka pranuar ta bëjë në gjë të tillë.

Por se cilët persona i kanë ofruar paratë njeriut të besuar të Mustafës, ky i fundit nuk dëshiron t’i bëjë publike pa e vërtetuar në drejtësi (emër i njohur për Redaksinë).

Sipas tij, këtë rast ku dëshmitarëve kundër Oliver Ivanoviqit po iu ofrohet ryshfet e ka ndërmend ta vazhdojë me Prokurorinë e EULEX-it, pasi Gjykatës së Kosovës nuk i beson.

“Nuk merrem me Gjykatën e Kosovës, janë njerëz të korruptuar. E kam ndërmend me Prokurorinë e EULEX-it ta vazhdoj këtë rast deri sa ta zbulojnë se ku kanë qenë mjetet dhe prej kujt saktësisht janë dhënë”, u shpreh Isa Mustafa për Telegrafin.

Ai më tej sqaroi se personat e afërt me Oliver Ivanoviqin qysh në dëshminë e parë të tij kanë provuar që t’i ofrohen.

“Dëshminë kur e kam dhënë më 23 nëntor 1999, pala mbrojtëse Zoran Despotovic, ka qenë avokat i serbëve. Ai ma jep një numër telefoni (në kohën e rinisë kanë luajtur futboll në shkollë)dhe më thotë se të ndihmojmë, ta ndreqim shtëpinë, ta kanë djegur, gabimisht etj, dhe kurrë më s’kam komunikuar, por mjerisht ai shkoi prej kësaj bote se kam pas qef me të me bisedu masanej. Dy a tri herë e kam telefonuar dhe nuk ka qenë zëri i tij, por jam i bindur që ka qenë zëri i Oliver Ivanovicit. Janë munduar në çdo formë të vijnë deri tek unë…”, tha Mustafa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button