Politika

Rama: Parlamenti i ri do të nisë punën menjëherë më zhbllokimin e vettingut

Nga Durrësi, ku është mbajtur kongresi zgjedhor i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka përsëritur mesazhin se shqiptarët e kanë të qartë se kë do të zgjedhin më 18 qershor.
Në fjalën e tij përpara simpatizantëve të PS, Rama ka theksuar se, edhe pse nuk bëri aq sa deshi, qeveria e tij në këto 3 vjet e gjysmë dha provën se mund dhe se do ta bëjë Shqipërinë.
“Dhe PS del më e rritur dhe më e fortë për të udhëhequr Shqipërinë dhe Shqipëria del më e mirë dhe e vetëdijshme se 3 vjet e gjysmë më parë, me bindjen se ‘po, mund të bëhem shtet’. Një shtet dinjitoz në marrëdhëniet me fqinjët dhe me botën”, ka thënë Rama.
Rama është shprehur se krahas ditës së Europës, sot është edhe dita e Shqipërisë që duam, që sipas tij duhet të jetë ajo e mirëqënies dhe e punësimit e që ndodhet përpara zgjedhjeve të radhës.
“Shqiptarët më 18 qershor do të votojnë jo për të zgjedhur kush do t’i qeverisë, por për të zgjedhur se si do të jetë Shqipëria e atyre që lindin sot, çfarë do të bëhet me Shqipërinë që po rilindim”, ka vijuar Rama.
Më tej Rama ka folur edhe për zgjedhjet e bëra së fundmi nga Partia Demokratike, e cila sipas tij, duke rënë pre e frikës nga drejtësia po shkon “në drejtim të paditur”.
“Partia që lindi 27 vjet më parë me aspiratën “Shqipërinë si gjithë Europa”, sot ka ikur në drejtim të paditur. Ka vendosur të dalë nga zgjedhjet e udhëhequr nga frika, një frikë e madhe, më e madhe se një kope lepujsh, që varen nga drejtësia. E mbyllur në një bunker plastmasi, prej nga i ka shpallur luftë me mullinjtë e erës të gjithëve, Shqipërisë, BE-së, Amerikës”, ka thënë Rama.
Dhe drejtësia është sipas tij arsyeja përse PD nuk do zgjedhje. “Nuk duan zgjedhje sepse nuk duan vettingun, nuk duan vettingun sepse nuk duan drejtësinë dhe nuk duan drejtësinë sepse kanë frikë. Dhe këtë e dinë mirë, pa votuar vettingun nuk i dalin dot përpara asnjë shqiptari për t’i kërkuar votën. Ndaj duan të hedhin në erë zgjedhjet, edhe me çmimin për të hedhur në erë Shqipërinë, siç bënë 20 vjet më parë”, ka shtuar Rama.
Ai ka paralajmëruar se Parlamenti i ri do të nisë punën menjëherë më zhbllokimin e vettingut.

Mblidhet Kongresi i PS-së, prezantohet programi elektoral

Në fjalën e tyre, ministra dhe deputetë të kësaj partie u zotuan për rritjen e punësimit, si një nga prioritetet kryesore të së majtës në mandatin e ardhshëm. Gjatë katër viteve të qeverisjes së majtë u krijuan 183 mijë vende të reja pune, ndërsa në fund të mandatit tjetër u garantua rritja me 220 mijë vende.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u shpreh për një rritje me 40 % të pagave gjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa paga minimale do të jetë 30 mijë lekë. Ai garantoi uljen e borxhit publik nën 60 %.

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi tha se në mandatin e ardhshëm do mundësohet të sigurohen më shumë produkte që mbajnë markën Made in Albania. Ajo premtoi kthimin e turizmit në një forcë të ekonomisë kombëtare. “Do të nxisim formalizimin e sektorit të turizmit dhe do e bëjmë më konkurues duke shtuar investimet e huaja në këtë sektor”, tha Ekonomi.

Në fushën e Shëndetësisë,  ministrja Ogerta Manastirliu e vuri theksin tek ngritja e spitaleve dhe e qendrave të reja shëndetësore. Manastirliu premtoi rritjen e financimeve për shërbimet shëndetësore falas. “Programi ynë garanton që çdo shqiptar të marrë shërbim në kohë dhe me cilësi. Do të ndërtojmë një qendër të re spitalore dhe 10 qendra të reja shëndetësore. Po ashtu, do të ndërtojmë një spital të ri për kirurgjinë dhe një për sëmundjet e brendshme” deklaroi ministrja.

Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhacka premtoi dyfishimin e buxhetit dhe të ndihmës ekonomike. Ministrja tha se në mandatin tjetër do të dyfishojmë buxhetin e ndihmës ekonomike. Po ashtu, alternativa për strehim për sa më shumë familje në nevojë, do jete nje tjeter prioritet. Në fokus do jetë po ashtu dhe nxitja e punësimir te të rinjve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button