Kosova

President me kundërgaz; opozita “tymos” dy herë sallën

Seanca për zgjedhjen e Hashim Thaçit si President i Kosovës ka nisur ashtu siç mund të pritej. Pas kritikave nga foltorja, deputetët e opozitës hodhën gazin lotsjellës duke bllokuar punimet.

Opozita e hodhi gazin lotsjellës gjatë fjalimit të deputetit të LDK-së, Sabri Hamiti. Fillimisht u dyshua se gazin e hodhën Teuta Haxhiu e AAK-së dhe Faton Topalli i VV-së, por më vonë, deputeti Bali Muharremaj mori përsipër hedhjen e gazit, duke shfajësuar kolegen Teuta Haxhiu.

Një deputet është shoqëruar jashtë sallës për shkak se është ndjerë keq në momentin e hedhjes së gazit. Bëhet fjalë për deputetin e Vetëvendosjes Smajl Kurteshi, ndërsa shumë deputetë të opozitës vazhdojnë të qëndrojnë në sallën me gaz.

Më herët udhëheqësit e opozitës paralajmëruan njëzëri se zgjedhja e Thaçit President vetëm sa e thellon krizën dhe e mban vendin peng të ambicieve karrieriste të një njeriu.

Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes: Ky pothuajse është President i Republikës, por cilës Republikës? Kosovës?! Jo! Mbase presient do të bëhet, por i Kosovës nuk do të jetë kurrë. Mbase do të bëhet President përmes blerjeve shantazheve dhe bekimit të armiqve më të mëdhenj të Kosovës, përmes bekimit të Vuçiçit.

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës: Parlamenti i Kosovës e ka një moment dhe një rast për të nxjerë vendin nga kriza ose ta thellojë atë. Qëndroj në bindjen time se ky Parlament ka humbur legjitimitetin e vet dhe zgjidhja janë zgjedhjet e reja.

Albin Kurti, deputet i VV: Jam i bindur që vullneti i popullit të Kosovës është në të drejtë. Mos votoni sot këtë kandidat. Të mos mbetemi peng të ambicieve të ulta për pseudokarrierë të një njeriu të vetëm.

Seanca u ndërpre në përfundim të diskutimeve dhe kur pritej hedhja për të rinisur pak pas orës 15:00 me 6 deputetë të opozitës të përjashtuar.

Faton Topalli, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhia, Time Kadriaj dhe Bali Muharremaj u përjashtuan nga kryesia e Kuvendit për hedhjen e gazit lotsjellës.

Megjithatë, kjo nuk pengoi opozitën që të rihedhë sërish në sallë gaz lotsjellës duke detyruar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli që të ndërpresë sërish seancën duke kërkuar 10 minuta pushim.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit mbështetës të opozitës janë mbledhur pranë çadrave të ngritura para pak ditësh. Ka patur disa përplasje sporadike mes protestuesve dhe policisë, e cila i ndan ata nga godina e Kuvendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button