Politika

Opozita largohet nga seanca plenare, Balla: Koha për sherrnajë ka përfunduar

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një prononcim për mediet ka reaguar pas largimit nga parlamenti të opozitës, duke thënë se në këtë seancë nuk duhet të kishte debat.

“Përcaktohet qartë se opozita, sipas frymës së Nenit 20, ndiqet parimi që ka një deputet në një komision, ndërkohë neni vijues apo paragrafi vijues përcakton të drejtën e mazhorancës për të patur më shumë deputetë në komisione për të ruajtur shumicën dhe kjo ka qenë një praktikë e konsoliduar në Kuvend”, tha Balla, duke iu referuar debatit gjatë seancës për përbërjen e komisioneve parlamentare.

“Megjithatë unë propozova për t’i lënë më shumë kohë dhe hapësirë deputetëve të LSI të cilët nuk kishin pasur mundësinë të marrin kohën e nevojshme për të propozuar dhe ata anëtarët e komisioneve. Unë shpresoj dhe besoj që edhe kjo ngjarje e sotme të mos përsëritet më në seancat pasardhëse. Unë e thashë fjalën time dhe do vazhdoj sa herë të kem mundësi në Kuvendin e Shqipërisë që koha për debate dhe sherrnajë ka përfunduar. Tashmë kemi një mandat të rëndësishëm për të çuar përpara, ne një mandat në shumicë, PD një mandat tjetër në opozitë”, tha Balla.

Por, sipas tij, ajo që është e rëndësishme është që nuk mund të gjenden arsye të paqena për të bërë debat, apo për t’u larguar nga seanca plenare.

“Dëshira jonë ishte që komisionet të fillonin menjëherë punë, por në ditët në vijim do të kemi sërish një seancë plenare dhe unë besoj se bashkë me Rushajn u informuam se do të ketë edhe dy grupe të tjera parlamentare, dhe nëse i referohemi kësaj ndarjeje edhe konferenca e kryetarëve të jemi barazim mazhorancë-opozitë, edhe pse shqiptarët në numra kanë caktuar kush është shumica dhe kush është opozita”, tha ai.

Balla tha se pavarësish largimit të opozitës sot nga Kuvendi, “ne do të vazhdojmë përsëri të shprehim dëshirën tonë për të punuar intensivisht dhe për të gjetur rrugë të komunikimit dhe të dialogut konstruktiv, që është e domosdoshme në këtë fazë jo vetëm të fillimit të legjislaturës së re, por dhe në këtë fazë të proceseve integruese që po kalon vendi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button