Zgjedhjet lokale 2015

Kosova: Mbështetje e ulje taksash për biznesin, stimulojmë vende të reja pune

Kandidati i opozitës për kryebashkiak të Tiranës, Halim Kosova ka në fokus të programit të tij uljen e taksave me 30 për qind, çka do të sjellë sipas tij paga më të mira për të punësuarit.

Shembullin e realizimit për premtimin e dhënë, doktor Kosova e ka sqaruar në një rrobaqepësi në rrugën “Siri Kodra”, ku gjatë takimit me punonjësit shpjegoi efektet e programit të tij për uljen e taksave.

“Kam ardhur për t’i mbështetur ato që krijojnë vende pune si ju, dhe do të jem përkrah tyre për të bërë më të mirën për to, sepse duke bërë më të mirën për biznesin, biznesi e kthen këtë në vende pune, ose – pse jo – edhe në të ardhura më shumë për vetë ju. Ideja e bashkisë është që të ulë me 30% taksat lokale, që i ka ajo në dorë dhe të ofrojë pastaj vende me qira zero”, tha Halim Kosova.

Për kandidatin e së djathtës në Tiranë, si kryetar bashkie i ardhshëm objektivi kryesor mbetet stimulimi i biznesit që krijon vende pune. Në një mënyrë të thjeshtëzuar, doktor Kosova shpjegoi mënyrën e hapjes së vendeve të reja të punës.

“Çdo njeri i di vetë hallet e veta, mirëpo në qoftë se Bashkia dhe unë në krye të saj zgjidh problemet e pronarit apo shumë të tjerëve, që në këtë egërsi tregu iu mbajnë me punë ju të tjerëve, atëherë unë them që kam bërë gjënë më të mirë edhe për ju. Se s’bën do të përkthehet në kushte më të mira për ju, ose në mundësira më shumë për ju. Kushdo që do të bëjë diçka të mirë në qytet, apo në ndonjë vend, puna e parë duhet të ketë një klimë miqësore me biznesin, me atë që prodhon vende pune, që i mban njerëzit me bukë, kështu që Bashkia do jetë si rregullatore, harmonizuese e gjithë mundësive që ka qyteti”, shtoi më tej Kosova.

Kandidati për kreun e Bashkisë së Tiranës nuk e la jashtë komunikimit, në rrugën “Siri Kodra”, as përmirësimin e infrastrukturës. Kosova bëri të ditur idenë e tij për një Tiranë të sistemuar, e cila do të lidhet me rrugë.

“Jo vetëm këtu, por për 4 vite do të jenë edhe fshatrat me rrugë, sepse i kemi mundësitë, sepse janë lekët, janë edhe projektet. Tani ne po dalim lagje më lagje, më pas do të nisim për herë të parë në çdo lagje si bllok e do të mbarohen të gjitha, me ujë, me kanalizime etj. Jo njëherë këtej, njëherë andej; por secili pjesën e vetë, që të bashkohen të gjitha”, tha Kosova.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button