Kosova

Mustafa: Deputetët votuan kundër rrënimit të shtetit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot në orët e para të mëngjesit se deputetët që votuan pro zgjedhjes së Hashim Thaçit, President i Republikës, votuan kundër rrënimit të shtetit.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa thekson se “deputetët që besuan në Republikën e Kosovës, në votën dhe autoritetin e tyre, sot kapërcyen një ndër sfidat më domethënëse të shtetndërtimit tonë. Ata votuan kundër rrënimit të shtetit, votuan me besim të plotë se demokracia na bashkon të gjithë neve që mendojmë pozitivisht për vendin tonë. Me sjelljen e tyre, deputetët që ishin prezent në Kuvend, nuk treguan vetëm besimin për Kosovën por, treguan besimin në vetveten. I uroj për devotshmërinë e tyre!”.

Ndërsa qeveria e Kosovës me anë të një mesazhi uroi Thaçin për zgjedhjen e tij president nga Kuvendi, si dhe ftoi edhe njëherë subjektet politike për dialog institucional dhe përkushtim të përbashkët.

“Qeveria shpreh përkushtimin e plotë për angazhim maksimal në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe në fuqizimin e partneritetit me SHBA-të dhe vendet tjera mike. Gjithashtu qeveria apelon te subjektet politike për dialog institucional dhe përkushtim të përbashkët në avancimin e objektivave kombëtare, duke lënë mënjanë mospajtimet momentale”, theksohet në njoftimin e qeverisë.

Qeveria, vijon njoftimi, falënderon deputetët dhe partnerët e koalicionit qeveritar, të cilët në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në dhjetor të vitit 2014, me vullnetin e tyre kanë zgjedhur presidentin e ri të vendit, duke bërë një hap të rëndësishëm në funksionalitetin e mëtejshëm të institucioneve të vendit.

Po ashtu qeveria falënderon ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë, si dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë, të cilët morën pjesë në seancë, ku në përputhje të plotë me aktet ligjore u zgjodh presidenti i ri i vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button