Kosova

Jahjaga: Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet

Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet, tha mbrëmë në Prishtinë Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, në pritjen e organizuar nga ambasadori shqiptar Qemal Minxhozi me rastin e shënimit të 103 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Nuk ka një ditë më të veçantë në historinë e popullit shqiptar sesa kjo Ditë e Flamurit, që sublimon gjithë përpjekjet e sakrificën e popullit për pavarësinë e tij. Nuk ka një Ditë më të shënuar në historinë e popullit shqiptar se sa kjo Festë që bën bashkë të gjithë, që lirinë dhe pavarësinë e ndjejnë si vlerën më të lartë njerëzore”, theksoi ajo.

Jahjaga tha se, kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë.

“Dhe mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi”, vijoi Presidentja e Kosovës.

Në vijim, Jahjaga tha se kjo është gjithashtu Dita që ka mbajtur përjetësisht të fuqishëm e të gjallë jo vetëm mishërimin por edhe synimin dhe aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe për një të ardhme ndryshe dhe po aq të qartë – për t’u bërë bashkë pjesë e rëndësishme e familjes evropiane.

“Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet të pavarur e sovran – një realiteti të pandalshëm dhe të pakthyeshëm, një garanci e paqes jo vetëm në rajon dhe një vend i barazisë dhe i lirisë si dhe shembull i diversitetit kulturor e fetar. Të dyja shtetet sot janë bërë pjesë të pandashme të arkitekturës globale të sigurisë dhe përpjekjeve të botës demokratike për t’i bërë ballë sfidimeve ekstremiste me qëllim të ruajtjes së vlerave njerëzore – besimit në njëri tjetrin dhe jetës së përbashkët”, theksoi Presidentja kosovare.

Ajo u shpreh se, shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës.

“Ky shekull na gjen të rreshtuar së bashku në idenë, synimin dhe përpjekjen për integrimet evropiane, si demokraci që ndërtohen e maturohen për çdo ditë, pavarësisht sfidave, bazuar në themelet e sundimit të ligjit dhe të rendit, ku respektohet çdo liri e secilit qytetar, me përgjegjësi e obligime për shtetin, që garanton të ardhmen e tyre të përparuar”, tha Jahjaga.3

Në pritjen me rastin e 103 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipësë, organizuar nga ambasadori shqiptar Minxhozi, në hotel Amazona, ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadorë, ministra e deputetë, të zgjedhur vendorë, njerëz të artit, kulturës, biznesit, etj.

Kontigjenti ushtarak i Shqipërisë në ambientet e KFOR-it parmbrëmë festoi 103 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Të ftuar ishin dhe përfaqësues të misioneve të tjera ushtarake. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Minxhozi mbajti një fjalë rasti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button