Kosova

Diplomacia ekonomike prioritet i MPJ-së

Ka filluar në Prishtinë seminari treditor për diplomaci ekonomike, në të cilin synohet që diplomatët kosovarë të marrin përvoja se si mund të promovojnë produktet vendore, për sjelljen e investitorëve dhe zhvillimin e ekonomisë. Diplomacia ekonomike, u tha në hapje të seminarit, është ndër prioritetet kyçe të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Drejtori i Akademisë Diplomatike Skënder Durmishi tha se seminari për diplomacinë ekonomike paraqet një përpjekje për të realizuar dhe implementuar atë që tashmë është shpallur si prioritet i MPJ-së- diplomacinë ekonomike.

“Ideja bazë është që të shohim mundësitë konkrete të bashkëpunimit të diplomacisë me ekonominë. Prandaj, më këtë qëllim kemi dëshiruar të kombinojmë edhe elemente teorike që të shohim se çka është kjo diplomaci ekonomike, çfarë janë sistemet ekonomike në botë, çfarë mund të përfitojmë ne si shtet i vogël krahasuar me sistemet e mëdha dhe cilat janë përvojat konkrete të ambasadave tona në rajon dhe në disa vende evropiane me të cilat kemi bashkëpunim ekonomik”, tha Durmishi.

Ai ka shtuar se do të ishte mirë që të kihet parasysh që kur emërohet një përfaqësues diplomatik ai të jetë i informuar dhe të ketë njohuri edhe ekonomike.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Kreshnik Gashi tha se diplomacia ekonomike është shumë e nevojshme për Kosovën, pasi tashmë është formuar diplomacia kosovare dhe tash është faza e zhvillimit të këtij segmenti të saj.

“Diplomacia ekonomike sigurisht është një nga prioritetet e MPJ-së dhe një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në këtë rast me fokus të veçantë i është dhënë edhe trajnimeve të diplomatëve tanë për diplomacinë ekonomike nëpërmjet kësaj punëtorie, ku edhe ne presim që diplomatët tanë pas kësaj punëtorie të kenë një nivel të lartë të njohurisë për përfaqësim në diplomacinë ekonomike”, tha Gashi.

Ligjëruesi mysafir i seminarit, eksperti nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë, Albrecht von der Heyden, foli rreth çështjes së promovimit të tregtisë së jashtme dhe çështjet ligjore.

“Do të doja që të mësoj nga ju punët e shtetit dhe për ju dhe jo vetëm të flasim për përvojat tona, prandaj shpresoj që do të bëjmë dialog për këtë. Mendoj se ajo çka është më rëndësi në lidhje direkte më këtë pyetja se për çfarë lloj krizash duhet të kujdesemi në veçanti, si për shembull kompanitë e mesme dhe të vogla. Për fat të keq, unë s’e kuptoj gjuhen tuaj, por e dëgjova prezantimin e Odës Ekonomike dhe mendoj që ata na kanë cilësuar ne si përkrahës të kompanive të mesme dhe të vogla”, tha Von der Heyden.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button