Opinion

Gazetarë apo gënjeshtarë?

Petro Dhimitri

Me sigurinë dhe qetësinë më të madhe kolegu që të shtunën transmetoi lajmet te SYRI TV, e quajti Sali Berishën Kryetar i PD-së dhe disa sekonda më vonë mësuam se ai na qenkërka edhe Kryetari i opozitës. I mjeri popull kë të besojë: faktin se Sali Berisha është vetëm deputet nga lista e PD-së, po i përjashtuar nga radhët e saj, se është kryetar i grupit Rithemelimi ose mund ta quajmë edhe kryetar i Foltores, apo deklarimin e gazetarit që ai është Kryetar i PD-së dhe Kryetar i opozitës?! Të ishte vërtetë Kryetar i PD-së ose dhe i opozitës ai kishte për të dalë më vete si parti në zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor. Pse nuk figuron në gjykatë si i tillë, u detyrua t’ia bashkëngjisë Foltoren Partisë së Lirisë të komunistit Ilir Meta. Përfitimi i tij ishte i ”madh”,sepse i dhuroi zotit Meta një tufë këshilltarësh vendorë. ”Suksesi” i tyre ishte kaq i ”madh” aq sa mund të komentohet humbja e koalicionit Bashkë Fitojmë 53 me 7!? Patjetër që të majtët ua kanë vjedhur votat, siç pretendojnë humbësit pas çdo disfate?!

         Kur ligjërisht dhe faktikisht Sali Berisha nuk është kryetar i PD-së, me ç’guxim profesional , kolegu i Syri TV, na i prezanton si të tillë, madje na e emëron edhe Kryetar të opozitës?! Të ishte një lapsus, patjetër vetë ai kishte për të bërë korrigjimin përkatës. Del që nuk është gabim. Ai vetë dhe eprorët e tij, si apartatçikë të Berishës, gënjejnë hapur popullin pa ndjerë as dhe një dromcë faji. Vaj medet, ku ka mbërritur gazetaria jonë e shkretë?! Sikur këtë gënjeshtër të madhe ta kishte bërë vetëm një gazetar dhe një televizion, nuk kishte për të qenë edhe aq problem. Po ka edhe media të tjera të cilat me këmbëngulje na i prezantojnë Sali Berishën si kryetar i PD-së. Ata për çdo ngjarje, qoftë kriminale, aksident rastësor apo debat parlamentar, menjëherë përpara ose krahas me qendrimin e njerëzve të qeverisë nxjerrin në intervista pothuaj vetëm Berishën. Ai, sipas tyre, na qenkërka opozitari kryesor i Shqipërisë. Fakti që Sali Berisha është shpallur NON GRATA nga SHBA dhe Britania është harruar krejt, se duhet të jetë krejt pa rëndësi. Akuzat e këtyre dy shteteve model për demokracinë, jo vetëm që i anashkalojnë, po u duken të pavërteta. Besojnë gënjeshtrën e madhe të Berishës që ngul këmbë se nuk kanë as edhe një fakt të vetëm për ta quajtur njeri të korruptuar. Jo vetëm atë, po edhe familjen?! Megjithatë anglezët nuk e lejojnë atë ( qoftë si pasagjer për tranzit) të shkeli në atë ishull?!
          Pse Berisha, përmes gazetarucëve të blerë, e paraqet veten ashtu si ligjërisht nuk është? Me çdo kusht kërkon që shtypi dhe media televizive ta ligjërojnë atë si kryetar në mënyrë që, edhe pse nuk e ka pranuar drejtësia, ta vlerësojë dhe miratojë mbarë opinioni publik.
          Detyra e çdo gazetari është të paraqesë faktet ashtu si janë. Edhe në rast se do t’i komentojë ato, patjetër nuk duhet t’i shtrëmbërojë ose të gënjejë. Nuk mundet t’i atribuosh cilitdo njeriu një funksion që ai nuk e ka. Fare thjeshtë duke i vënë një ish përpara fjalës kryetar ata kishin për të qenë në rregull me ndërgjegjen e tyre profesionale. Siç duket, për lakejtë e paguar ndoshta mirë nga NON GRATA dhe stani i tij, përpara parave që marrin nuk paskërka vlerë ndërgjegja profesionale dhe ndërgjegja si njeri. Na gënjejnë  si pa gjë të keq pa iu skuqur faqja fare?!
          Populli është i zhgënjyer dhe i lodhur nga propaganda për këtë njeri që prej kohësh duhet të ishte hetuar nga drejtësia jonë. Nuk mund të mohojmë punën dhe sukseset e SPAK-ut, po ato sikur çvlerësohen nga që prokurorët nuk po hetojnë kokën e krimit të majës së piramidës pushtetmbajtëse. Koka e krimit mirëfilltazi  është dyshja Berisha-Meta. Jo pse ata janë dy opozitarë ish komunistë të mbetur po komunistë, por se duke nisur nga vilat lluksoze të Lalëzit, nga Gërdeci, 11 janari dhe disa dosje të tjera voluminoze, ata janë po aq përgjegjës para këtij populli si Arben Ahmetaj apo kushdo nga klubi i Ramës që ka abuzuar dhe ka përdhosur besimin që i ka dhënë partia dhe populli. Populli do që edhe Rama, Basha me shokë të kalojnë para sitës seleksionuese kundër korrupsionit. Vetëm atëhere SPAK-u apo Byroja Kombëtare e Hetimit ka për të patur miratimin unanim të të gjithë popullit. Atëhere edhe gazetarët më gënjeshtarë nuk kanë për të guxuar t’i quajnë kryetarë partishë, kryeministra apo presidentë, po vetëm  ISHA që mund të shijojnë edhe ftohtësinë e prangave.
         Po i mbyll këto shënime me dhëmbjen që ndjej për ata kolegë gazetarë të cilët, për bukën e gojës, janë të detyruar të gënjejnë kaq hapur. Nuk e kanë për turp t’i japin një post të paqenë kujtdo njeriu që i afron qoftë edhe një grusht me para. Sa poshtë ka rënë gazetaria dhe në ç’nivel inekzistent është roli i drejtësisë dhe i shtetit për t’i ndëshkuar këta matrapazë të medias së shkruar apo televizive!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button