Opinion

Politikanët hajdutë të PD -PS-së

Nga PETRO DHIMITRI

Vjedhja e politikanëve shtetarë  nuk është një dukuri e re për çdo popull. Për ne ajo e ka burimin që në kohën e pushtimit osman. Nuk mundi të ndërpritej as në kohën e mbretit, Zogut të parë. Barsoletat për lala Krosin ( në mos qofshin gënjeshtra) tregohen

 me humor edhe sot e kësaj dite. Gjatë diktaturës komuniste patëm një dukuri tjetër. Pushtetarët ishin nën një kontroll të rrepte nga partia që zotëronte çdo gjë. Ligji gjithashtu i dënonte rrepte hajdutët. Për një vjedhje prej 300 mijë lekësh të vjetra të asaj kohe që ishin afro me 300 dollarë amerikanë, ekonomisti i ndërmarrjes së librit u dënua me pushkatim. Kush do të guxo nte të vinte  dorë në pasurinë e partisë që quhej pronë e popullit?! U pakësuan në maksimumin  e mundshëm vjedhjet e mëdha, po ama ato, për gjëra të vogla, u bënë shumë masive aq sa sot ka njerëz që thonë se të gjithë ishin të detyruar të vidhnin nga pak shtetin. Në çfarë mënyre? Kush ishte tornitor bënte ndonjë gjë të vogël. Po kështu marangozët , kuzhinierët ,magazinierët e çdo profesionist tjetër që sajonin gjëra që nuk kishte në treg ose pse nuk kishin aq para sa t’i blinin. Edhe më masive ishte vjedhja në kooperativat bujqësore. Kur fshatari merrte jo më shumë se 15 lekë për ditë pune, si mund të mos vidhte misra ose prodhime të tjera nga tokat e kooperativës pranë shtëpisë së tij që të shuante urinë?! Rojet bënin sikur nuk i shikonin. Edhe vetë ata të njëjtën gjë bënin. Kapnin vetëm individët që shkonin natën për të vjedhur me thasë. Nga sa tregova del që vjedhja pak nga pak kishte hyrë në masë nga Konispoli deri  në Vermosh.
       Në rast se gërmojmë pak në traditat e të parëve tanë ose të themi në zakonin e vjedhjes në Shqipëri, do të mësojmë se, sidomos në Mirditë dhe në Labëri, kjo dukuri nuk quhej ves, po përfshihej te aktet e trimërisë. Aq e vërtetë është kjo, sa deri para Luftës së Dytë Botërore, në këto dy krahina  djalit  nuk i jepnin  nuse po nuk ishte aq trim sa të vidhte. Mbase edhe kjo mund të ketë qenë arsyeja që albanologu i shquar Hann, mik i shqiptarëve, përveç të mirave të shumta, ka shkruar edhe për zakonin e vjedhjes. Nuk është për të pasur turp për këtë. Edhe sot kudo në botë vjedhja  ose thënë më bukur korrupsioni  është një dukuri e zakonshme. Në SHBA ish presidenti Tramp është akuzuar për fshehjen e taksave. Po për korrupsion, lidhur me taksat, është në proces gjyqësor i biri i Presidentit Baiden. Gjithashtu pse nuk ishte treguar e sinqertë për të ardhurat që kishte deklaruar, u dënua me disa vite burg ikona e amvisërisë amerikane Marta Stjuart…
        Të vijmë tani te politikanët ose pushtetarët tanë. Fatos Nanoja nuk u dallua për administrator rigoroz as dhe për vullnet e dëshirë për të punuar me ngulm. Qëndroi pak në qeverisje dhe nuk jemi në gjendje të themi se sa vodhën të majtët nën udhëheqjen e tij. Ne dimë vetëm të vërtetën që kur ishte 8 vjet kryeministër Sali Berisha , plus dhe 5 vitet si President,( që kontrollonte me dorë të hekurt tërë shtetin,) vjedhja ose korrupsioni  pati një zhvillim galopant të paparë ndonjëherë.  Politikanët me poste ose edhe vetëm deputetë u sulën të bënin sa më shumë para. E dinin që një ditë nuk kishin për të pasur më ato mundësi, prandaj më mirë të ishin opozitarë të pasur, se sa të varfër. Në PD flitej hapur se kush ka ekonominë ai drejton edhe politikën. Sali Berisha i lejoi vartësit të vidhnin, se kështu mund t’i kishte më lehtë nën kontroll. Ata duhet të miratonin urdhrat e tij. Përndryshe i tundeshin këmborët e vjedhjeve. Kujtuam se kjo situatë krejtësisht anormale për të cilën bota quajti Shqipërinë vend i korruptuar, kishte për të kaluar kur erdhën në fuqi, me votën e popullit, socialistët e rinovuar me kryetar Edvin Kristaq Ramën. E njihte shumë mirë këtë situatë. E dinte gjithashtu shumë mirë se gjendja nuk mund të ndryshonte si me urdhrin e peshkut. Një nga veprimet që mori ishte dixhitalizimi i aparatit shtetëror që populli të kishte sa më pak kontakt me nëpunësit që i shikonin se sa para do të nxirrnin nga xhepat edhe për dokumente fare të thjeshta. Me që burrat janë si më të guximshëm nga gratë që nga natyra janë më të ndrojtura, e shtoi numrin e tyre si ministre. Ajo që nuk mundi ose nuk deshi ta bënte Rama si kryeministër qe mungesa e kontrollit shtetëror ose e partisë për proceset delikate, si fjala vjen për tenderat ,ku mundësia për të vjedhur është më e madhe. Ndoshta pse donte që, si shpërdoruesit e posteve zyrtare të PD-së apo edhe ndonjë nga të majtët që mund ta kishte prerë në besë, të jepnin llogari për pasurimin e tyre, ai mbështeti me sa fuqi e mundësi kishte Reformën në Drejtësi që iniciuan SHTETET E BASHKUARA  për Shqipërinë. Pikërisht drejtësia e re na tregoi të gjithëve se edhe Socialistët kanë vjedhur me të dy duart ashtu siç bënë  dikur dhe Demokratët e Sali Berishës. Ministri i Brendshëm socialist në burg për korrupsion. Një ministër tjetër për inceneratorët. Një sekretar i përgjithshëm ministrie po në burg për korrupsion. Po ashtu në hetim edhe ish ministri i shëndetësisë.  Edhe zëvendëskryeministri i majtë paska vjedhur paqmë dhe u arratis pikërisht kur mësoi se do t’i viheshin prangat…Situatë e rëndë me korrupsion shtetëror për të vënë duart në kokë!
            SI KA QENË DHE ËSHTË QËNDRIMI I PARTIVE NDAJ HAJDUTËVE TË TYRE!?
        Kjo pyetje është si thembra e Akilit për secilën parti.
        Sali Berisha jo vetëm kishte dijeni kur vidhnin kolegët e tij, por edhe në të vetmin rast
kur Ministri i Punëve të Jashtme të koalicionit të tij, qe incizuar kur i kërkonte një ministri vartës mbi 700000 EURO rryshfet, ai bëri të gjitha përpjekjet për të hedhur poshtë ekspertizën e specialistëve amerikanë. Gjatë qeverisjes  tetëvjeçare të PD-së nuk u dënua as edhe njeri për korrupsion  kur populli e përfliste me zë të lartë nga që frika na kishte dalë.
        Po qendrimi i Edi Ramës për hajdutët e partisë dhe shtetit që ai drejton?
        Të majtët kanë një përparësi në krahasim të ashtuquajturit të djathtë. Rama e ka bërë disa herë të qartë se partia nuk ka për të mbrojtur asnjë njeri kur ka të bëjë me drejtësinë. Ka përsëritur gjithashtu që për krimet secili përgjigjet individualisht, sepse ai ka shpërdoruar besimin e partisë dhe të popullit që i ka besuar. Është një e vërtetë e pamohueshme që pushteti të josh për të shkelur edhe ligjet. Kjo dukuri është e përbotshme. Sado masa organizative antikorrupsion të merren, përsëri  korrupsion në nivel 0 nuk ka  në asnjë shtet. Problemi shtrohet që përmasat e tij të zvogëlohen. Të majtët pohuan se prokurimet nuk do t’u lihen më ministrive. Do të jetë një institucion i veçantë me lidhje dhe kontroll nga institucionet përkatëse ndërkombëtare. Mos të shpejtohemi për duartrokitje . Le të presim me qetësi zhvillimet e mëvonshme të luftës kundër korrupsionit që ka për të ndërmarrë PS-ja për qeverinë e sajë.
        Në se kishim për të qenë shtet me një demokraci funksionale, siç janë ato të Evropës ku duam të hyjmë, qeveria e Ramës do të jepte dorëheqjen. Po të tregohej se nuk kishte ndodhur ndonjë gjëmë e madhe, populli kishte për tu ngritur në demonstrime paqësore  për të kërkuar dorëheqjen e tij. Mund të kalohej edhe në zgjedhje të parakohshme.
        Për ne situata është krejt ndryshe. Po të jepte dorëheqjen Rama me qeverinë e tij, i binte të kishim qeveri të një partie tjetër. Kjo do të ishte PD-ja, si partie  dytë. Të mos harrojmë se ajo parti është jo vetëm më e korruptuar, po aktualisht është e përçarë. Fraksionet e saj janë në armiqësi midis syresh, e mbjellë me mjeshtëri nga doktori i njëmijenjë të zezave, prandaj është NON GRATA nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar e Anglisë. Tani ai ndodhet nën arrest në shtëpi me akuzën për korrupsion pasiv për privatizimin e  Kompleksit ”Partizani”. Duam nuk duam , nga që nuk kemi zgjidhje tjetër, kemi për të pranuar platformën, që Kryeministri Rama më 30 dhjetor 2023, paraqiti për të luftuar korrupsionin e institucioneve qeverisëse .
        Nga sa parashtrova, PD-ja jo vetëm është e korruptuar, jo vetëm mbron hajdutët e saj, por kurrë nuk e ka trajtuar korrupsionin si një problem  shqetësues ndaj të cilit duhet të merrnin masa organizative për ta frenuar. Një pjesë e tyre me paturpësi po dalin në mbrojtje të Berishës edhe pse me fakte (që edhe ata i dinë shumë mirë), ai akuzohet për korrupsion pasiv. Vrasjet e 21 janarit as që i zënë në gojë fare?! Ata vetëm  sulmojnë të majtët me të gjitha bateritë e mundshme, duke i  quajtur hajdutë. Shkurt hesapi, hajduti shan  hajdutin?!
       Është për të ardhur keq që edhe PS-ja, na doli me shumë hajdutë.  Është në një situatë aspak për t’u lavdëruar. Në ndryshim nga partia rivale e përçarë, kjo parti nuk po mbron  as dhe një të korruptuar, qoftë ai ministër apo edhe zëvendëskryeministër.  Madje gjen forca ta thotë hapur se si kanë menduar për të gjetur një zgjidhje që ka për ta frenuar sëmundjen tonë kaq të përhapur për të marrë nga shoqëria shumë më tepër nga ç’na takon.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button