Kosova

Diskutohet në Kuvend ngritja e një kompanie ajrore shtetërore për emigrantët shqiptarë

Për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë që gjatë sezonit veror udhëtojnë drejt Kosovës dhe Shqipërisë dhe keqtrajtohen nga kompanitë ajrore private, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë të nisë themelimin e një kompanie ajrore shtetërore për bartjen e emigrantëve nga vendet e ndryshme të Evropës për në Kosovë dhe Shqipëri.

Kryeministri Isa Mustafa tha se qeveria nuk e ka në axhendë krijimin e një kompanie publike, pasi sipas tij tregu i kompanive ajrore në Kosovë është pjesë e sektorit privat.

Ai tha se janë të vetëdijshmëm për problemet me të cilat ballafaqohen emigrantët për shkak të papërgjegjshmërisë së disa kompanive, por, siç tha Mustafa, kjo çështje nuk rregullohet duke krijuar kompani shtetërore.

Një çështje tjetër që u diskutua në seancën e Kuvendit të Kosovës ishte edhe mënyra e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, ka pyetur zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi, se pse aplikimin nuk e ka nënshkruar presidentja, por ministri i Jashtëm dhe pse aplikimi është bërë përmes UNMIK-ut dhe rezoltës 1244.

Duke iu përgjigjur deputetit Deda, kryediplomati kosovar tha se aplikimin në UNESCO e ka bërë në koordinim edhe me kryeministrin edhe me presidenten.

Ndërsa, sa i takon UNMIK-ut dhe rezolutës 1244, Thaçi tha se Kosova e ka shpallur edhe pavarësinë gjatë kohës që kjo rezolutë ka qenë në fuqi, prandaj ai ftoi që deputetët të lobojnë për anëtarësim e jo të merren me procedura teknike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button