Politika

3 prioritetet e ambasadores/ Kim: Marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes, aspirata europiane dhe nxitja e investimeve amerikane

SHBA do të vijojë të nxisë zhvillimin demokratik të Shqipërisë për të mbështetur përpjekjet për anëtarësim në BE.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, me anë të një video ka bërë një prezantim të saj, të karrierës si diplomate por dhe të prioriteteve që ka ajo gjatë mandatit të saj në Shqipëri.

“Përshëndetje të nderuar miq. Emri im është Yuri Kim dhe ndihem thellësisht e nderuar që shërbej si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për më shumë se dy dekada, kam pasur privilegjin t’u shërbej Shteteve të Bashkaura si diplomate. Nga Pekini në Bagdad e shumë vende ndërmjet tyre, jam përpjekur të forcoj marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara nëpër botë. Përgjatë 23 viteve të mia në Uashington, kam punuar mbi shumë nga prioritetet tona kyçe të politikës së jashtme duke ndihmuar për të sjellë paqe dhe begati”, ëhstë shprehur Kim.

“Jam veçanërisht e nderuar që vij në Shqipëri në fillim të 2020, vit që shënon 100-vjetorin e njohjes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara. 100 vjet më parë Presidenti Uillson kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë midis fqinjëve të saj dhe ndihmoi në rrugëtimin e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve, në dhjetor 1920”, ka thënë ajo.

“Ashtu si Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Shqipërinë gjatë viteve, Shqipëria ka qenë një mike dhe aleate besnike e Shteteve të Bashkuara. Dhe unë ndihem e privilegjuar  që jam këtu”, ka theksuar ambasadorja e SHBA.

“Gjatë mandatit tim këtu, unë kam në plan të punoj për tri prioritete. Së pari, do të punoj për të thelluar marrëdhënien tonë në fushën e mbrojtjes, që Shqipëria të bëhet aleate më e fortë dhe e aftë. Së dyti, do të vijoj të nxis zhvillimin demokratik të Shqipërisë për të mbështetur përpjekjet për anëtarësim në BE. Aspiratat europiane të Shqipërisë dhe reformat që ato kërkojnë do të sjellin më shumë begati dhe qëndrueshmëri për ju dhe rajonin. Së treti, do të punoj për të nxitur eksportet dhe investimet e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët”, ka nënvizuar Kim.

“Po pres me kënaqësi që të takoj qytetarët shqiptarë, të mësoj për trashëgiminë tuaj të pasur kulturore, të vizitoj peizazhet tuaja të mahnitshme, të shijoj kulinarinë tuaj të shijshme, të përjetoj mikpritjen tuaj të jashtëzakonshme dhe shumë gjëra trë tjera. Pra ejani të komunikojmë. Ju mund të më gjeni në faqet në Facebook, Twitter dhe Instagram të Ambasadës dhe do të dëshiroja të dija mendimet dhe idetë tuaja. Mirë se ju gjeta dhe shihemi së shpejti”, ka përfunduar ambasadorja Kim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button