Rrëzohet avioni amerikan mbi Iran, një pjesëtar i ekuipazhit shpëtohet – tjetri ende i zhdukur
Një avion luftarak amerikan “F-15E Strike Eagle” është rrëzuar mbi Iran, duke shënuar incidentin e parë të tillë që nga nisja e luftës rreth pesë javë më parë, raportoi “The Guardian”.
Sipas zyrtarëve amerikanë, një nga dy anëtarët e ekuipazhit është shpëtuar, ndërsa tjetri rezulton ende i zhdukur.
Fillimisht, mediet shtetërore iraniane pretenduan se ishte goditur një avion më i avancuar “F-35 Lightning II”, por ekspertët e aviacionit konfirmuan se mbetjet i përkisnin një avioni luftarak amerikan “F-15E Strike Eagle” nga Skuadrilja 494 e forcave ajrore amerikane, me qendër në Britani të Madhe.
Zyrtarë amerikanë, në kushte anonimiteti, konfirmuan se avioni ishte rrëzuar dhe se Pentagoni kishte nisur një operacion urgjent për të gjetur ekuipazhin përpara forcave iraniane.
Nuk pati një reagim zyrtar nga ushtria amerikane për incidentin.
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-ja kishte “shkatërruar plotësisht Iranin” dhe se konflikti po i afrohej fundit.
Megjithatë, pas rrëzimit të avionit, ai u shpreh se kjo nuk do të ndikonte në negociatat. “Është luftë. Jemi në luftë”, tha ai.
Operacioni i shpëtimit besohet të ketë qenë me rrezik të lartë, me avionë si “C-130 Hercules” dhe helikopterë “HH-60 Pave Hawk” që u panë duke fluturuar në lartësi të ulët në jugperëndim të Iranit.
Pamjet sugjerojnë se operacioni është zhvilluar pranë zonës së Behbahanit, afër Gjirit Persik.
Ndërkohë, në Iran janë raportuar thirrje publike për kapjen e pilotëve amerikanë, madje edhe oferta shpërblimi deri në 60,000 dollarë për kapjen e tyre të gjallë.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane “Tasnim” raportoi se piloti mund të jetë arrestuar, duke kundërshtuar pretendimet fillestare se ai kishte vdekur, por kjo nuk është konfirmuar.
Në një zhvillim paralel, një tjetër avion amerikan,”A-10 Warthog”, raportohet të jetë rrëzuar në rajonin e Gjirit Persik, por piloti i tij është shpëtuar me sukses.
Deri tani, asnjë avion luftarak amerikan nuk kishte humbur mbi Iran gjatë këtij konflikti, megjithëse disa incidente të tjera, përfshirë zjarr miqësor, janë regjistruar më herët.
Kostoja totale për forcat ajrore amerikane e avionëve të humbur dhe të dëmtuar, që përfshin edhe 16 dronë pa pilot “Reaper”, është vlerësuar në më shumë se 3 miliardë dollarë nga faqja e specializuar e lajmeve “Airforce Technology”.
Një F-15E kushtoi 31 milionë dollarë kur u dorëzua në fund të viteve 1990, modelet më të reja kushtuan rreth 100 milionë dollarë.
Ndërkohë, shpërthime të fuqishme tronditën Teheranin verior, ndërsa Izraeli tha se kishte nisur një valë të re sulmesh në kryeqytetin iranian dhe Bejrut.
Pamjet e reja të publikuara dje treguan se ura me vlerë 400 milionë dollarë, në një autostradë midis kryeqytetit iranian dhe një qyteti në veriperëndim, ishte ndarë në tre vende nga bombardimet, duke rritur koston e riparimit të saj përfundimtar.
Më shumë se 100 ekspertë të së drejtës ndërkombëtare nënshkruan një deklaratë të përbashkët në faqen e internetit “Just Security”, duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë krime të mundshme lufte. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.