Opinion

Absurd i “qeverisë teknike” dhe domosdoshmëria e një marrëveshjeje ligjore besimi

Nga THOMA GËLLÇI

Në Shqipëri, sa herë opozita mbetet pa busull, nxirren nga sirtari i klisheve politike disa formula të gatshme që përdoren në çdo kohë. Njëra prej tyre është “qeveria teknike”. Kjo fjalë ka humbur kuptimin real dhe është kthyer në një formulë magjike për konsum elektoral, në një refren që përsëritet me zë të lartë për të fshehur boshllëkun e ideve, mungesën e alternativës dhe pamundësinë për të prodhuar besim. Opozita shqiptare, veçanërisht krahu berishist, vazhdon ta kërkojë sot qeverinë teknike sikur ajo të ishte çelësi i artë që hap derën e pushtetit. Por kjo kërkesë, në rrethanat konkrete të Shqipërisë, nuk është vetëm e parealizueshme; është absurde.

Në këtë kurth të retorikës boshe kanë rënë fatkeqësisht edhe disa nga partitë e reja, të cilat u shfaqën si shpresë për një frymë ndryshe, por shumë shpejt adoptuan gjuhën më të vjetër të politikës shqiptare. Në vend që të flisnin për rregulla loje, për garanci institucionale dhe për reforma konkrete, edhe ato filluan të përsërisin refrenin e “qeverisë teknike”, duke u rreshtuar në një debat artificial që nuk prodhon asnjë zgjidhje reale.

Absurdin e kanë çuar edhe më tej duke artikuluar publikisht emra të ndryshëm për postin e kryeministrit të një qeverie teknike që, në kushtet aktuale, nuk ka asnjë bazë ligjore për të ekzistuar. Ky është kulmi i keqkuptimit: të ndash poste në një qeveri imagjinare, sikur problemi i Shqipërisë të ishte mungesa e emrave dhe jo mungesa e besimit. Kjo lojë me kandidatura fantazmë jo vetëm që i bën qesharake kërkesat për qeveri teknike, por edhe zbulon se sa shpejt idealizmi i shpallur i këtyre forcave të reja tretet përballë tundimit për t’u futur në skemat e vjetra të pazareve politike.

Mazhoranca socialiste zotëron sot 83 mandate në Kuvend. Kjo nuk është një shumicë e thjeshtë, por një shumicë solide, afër shumicës absolute, e cila i jep Partisë Socialiste të gjitha mjetet kushtetuese për të qeverisur dhe, në rast se kryeministri aktual largohet, për të zgjedhur një tjetër pa pasur nevojë për asnjë ndërhyrje jashtë rregullave parlamentare. Në këtë kontekst, të flasësh për qeveri teknike është njësoj si t’i kërkosh një treni që ecën me shpejtësi të ndalojë në mes të rrugës vetëm sepse dikush po bërtet nga jashtë.

Kur lind realisht një qeveri teknike?

Qeveritë teknike nuk janë produkte të retorikës opozitare, por pasoja të drejtpërdrejta të krizave të thella politike që e bëjnë të pamundur vazhdimin normal të qeverisjes. Historia politike evropiane është plot me shembuj që e dëshmojnë këtë. Në Itali, për shembull, qeveria teknike e Mario Montit në vitin 2011 nuk erdhi sepse opozita e kërkoi me megafon, por sepse vendi ishte në prag të kolapsit financiar, tregjet kishin humbur besimin, shumica parlamentare e qeverisë Berlusconi ishte shpërbërë dhe presidenti i Republikës ndërhyri për të shmangur falimentimin. Në Greqi, qeveria teknike e Lucas Papademos në vitin 2012 ishte pasojë e një krize shkatërrimtare borxhi, protestave masive, djegies së Athinës dhe pamundësisë së partive tradicionale për të krijuar një shumicë funksionale. Në Rumani, në vitin 2015, pas tragjedisë së klubit “Colectiv” dhe protestave masive që çuan në dorëheqjen e qeverisë, u formua një kabinet teknokratësh për të menaxhuar situatën deri në zgjedhje. Në të gjitha këto raste, qeveritë teknike nuk ishin zgjedhje politike, por domosdoshmëri për mbijetesë institucionale.

Asgjë e tillë nuk po ndodh sot në Shqipëri. Mazhoranca nuk ka humbur shumicën parlamentare, asnjë votëbesim nuk e ka rrëzuar qeverinë dhe nuk ka asnjë presion popullor që të paralizojë jetën e vendit. Opozita nuk ka arritur të ndezë një valë të gjerë mobilizimi shoqëror; protestat e saj janë shndërruar në rituale të lodhura, të parashikueshme, që nuk tronditin më askënd dhe nuk ndryshojnë asnjë ekuilibër politik. Indiferenca e qytetarëve është e thellë dhe alarmante, por ajo nuk është shenjë e pajtimit me qeverinë. Është shenjë e një lodhjeje kolektive nga një opozitë që, pas vitesh humbjesh dhe përçarjesh, nuk arrin të artikulojë më as një alternativë bindëse, as një projekt serioz për ndryshimin e vendit.

Kriza ekziston, por nuk është qeverisëse

Shqipëria ndodhet sot në një krizë të thellë, por kjo nuk është krizë qeverisjeje në kuptimin klasik parlamentar. Është krizë e përgjegjësisë politike dhe e mënyrës se si ushtrohet pushteti. Qeveria aktuale funksionon si një strukturë e përqendruar pothuajse tërësisht rreth figurës së kryeministrit. Vendimet strategjike, nga projektet infrastrukturore e deri te reformat administrative, nuk kalojnë më nëpër filtrat kolegjialë të ekzekutivit, por burojnë nga një rreth shumë i ngushtë njerëzish. Këshilli i Ministrave është shndërruar në një mekanizëm ratifikimi, ndërsa ministrat, në vend që të jenë bartës të politikave publike dhe përgjegjës para Kuvendit, janë reduktuar në menaxherë sektorësh që japin llogari vetëm përpara një njeriu. Shembujt janë të shumtë: nga projektet e mëdha urbane të shpallura me konferenca shtypi të njëanshme, te paketat fiskale dhe nismat ligjore që miratohen me procedura të përshpejtuara, pa debat real dhe pa transparencë të mjaftueshme.

Edhe roli i Partisë Socialiste si organizëm politik është dobësuar ndjeshëm. Forumet e saj drejtuese, që dikur shërbenin si hapësira debati dhe përpunimi politikash, sot kanë ndikim minimal në orientimin e qeverisë. Vendimmarrja është zhvendosur nga struktura kolegjiale në një model të personalizuar, ku kryetari i partisë është njëkohësisht kryeministër dhe arbitri i vetëm i linjës politike. Në këtë kontekst, Kuvendi ka humbur gradualisht funksionin e tij kontrollues: interpelancat janë kthyer në formalitete, komisionet parlamentare në zyra procedurash, ndërsa mazhoranca voton pothuajse automatikisht çdo nismë që vjen nga qeveria. Opozita, nga ana e saj, është e përçarë dhe e paaftë të ushtrojë presion institucional, duke e lënë terrenin e llogaridhënies pothuajse bosh.

Ky deformim i jetës politike është i dukshëm në çdo aspekt të qeverisjes, por ai nuk përbën në vetvete kusht për qeveri teknike. Qeveria nuk është bllokuar, nuk ka humbur shumicën dhe nuk është rrëzuar nga Kuvendi. Ajo vazhdon të prodhojë vendime dhe ligje, edhe kur këto shoqërohen me pakënaqësi të thella publike, skandale korrupsioni apo kritika të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo tregon se problemi i Shqipërisë nuk është pamundësia për të qeverisur, por mënyra se si qeveriset.

Mungesa e besimit është problemi real

Raportet e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit të vitit të kaluar e përshkruajnë me tone edhe më të ashpra këtë realitet: në Shqipëri nuk kemi thjesht shkelje teknike, por një model të qëndrueshëm të keqpërdorimit të pushtetit për qëllime elektorale. Monitoruesit ndërkombëtarë nënvizuan përdorimin sistematik të burimeve shtetërore në fushatë, shpërndarjen e investimeve publike me ritme dhe intensitet të pazakontë në prag zgjedhjesh, si dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të strukturave qeveritare në mbështetje të kandidatëve të mazhorancës. Në raport përmendet se kufiri mes aktivitetit institucional dhe propagandës elektorale është bërë pothuajse i padukshëm, ndërsa ministrat dhe drejtuesit lokalë shfaqen në terren më shumë si drejtues fushate sesa si zyrtarë publikë.

Veçanërisht problematik u konsiderua procesi i votimit të diasporës, i cili u zhvillua pa garancitë e mjaftueshme ligjore dhe teknike, duke ngritur dyshime serioze për integritetin e tij. OSBE/ODIHR vuri në dukje mungesën e transparencës, paqartësitë procedurale dhe rrezikun e manipulimit të këtij segmenti të rëndësishëm të elektoratit. Po aq alarmante janë referencat ndaj përdorimit të grupeve kriminale dhe parave të pista në fushata lokale, si dhe raportimet për intimidimin e administratës publike dhe votuesve që varen prej saj. Në shumë zona, nëpunës, mësues dhe punonjës të shërbimeve publike janë përfshirë në aktivitete elektorale nën presion të drejtpërdrejtë, duke krijuar një klimë frike dhe nënshtrimi që minon çdo nocion të votës së lirë.

Në këtë kontekst, mosbesimi nuk është më perceptim subjektiv i opozitës, por diagnozë e dokumentuar nga vëzhgues ndërkombëtarë. Kur votimet e diasporës shihen si terren i pambrojtur, kur investimet publike përdoren si mjete blerjeje politike dhe kur bandat e krimit dhe paratë e pista shfaqen si faktorë ndikimi në zgjedhje, procesi elektoral humbet karakterin e tij demokratik dhe shndërrohet në një betejë force. Dhe kur zgjedhjet përjetohen si përplasje me mjete jo të barabarta, çdo rezultat, sado formal të jetë, lind i kontestuar, duke e thelluar edhe më shumë krizën e besimit që sot është problemi më i madh i demokracisë shqiptare.

Nga “qeveri teknike” te “marrëveshje ligjore besimi”

Këtu qëndron keqkuptimi themelor i opozitës shqiptare. Problemi nuk është se kush qeveris sot, por se si do të garohet nesër. Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri teknike që të marrë pushtetin nga mazhoranca; kjo është politikisht e pamundur. Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje ligjore besimi që të garantojë zgjedhje të pranueshme nga të gjithë.

Një marrëveshje e tillë duhet të jetë e sanksionuar me ligj, jo një pazar politik në errësirë. Ajo duhet të krijojë një qeveri kujdestare vetëm për periudhën zgjedhore, me kompetenca të kufizuara dhe me mekanizma të fortë kontrolli për të parandaluar abuzimet.

Modeli i Maqedonisë së Veriut është ilustrues. Pas krizës së rëndë politike dhe skandalit të përgjimeve, palët politike u detyruan, nën presionin e ndërkombëtarëve, të nënshkruanin Marrëveshjen e Përzhinës. Kjo marrëveshje parashikoi krijimin e një qeverie kujdestare njëqind ditë para zgjedhjeve, ku opozita merrte kontrollin e disa ministrive kyçe, veçanërisht të atyre që kishin ndikim të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor.

Kryeministri dhe ministrat e kësaj qeverie nuk kishin të drejtë të kandidonin, ndërsa përdorimi i fondeve publike për fushatë ndalohej rreptësisht. Ky model nuk e shëroi plotësisht demokracinë maqedonase, por krijoi minimumin e besimit të nevojshëm që zgjedhjet të mos ktheheshin në krizë politike.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?

Shqipëria nuk ka nevojë për spektakël politik, por për një pakt të ri, të ndërtuar jo mbi dëshira momentale, por mbi themele ligjore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të qartë logjikën e qeverisjes parlamentare: qeveria buron nga shumica në Kuvend dhe rrëzohet vetëm nëpërmjet mekanizmave kushtetues, jo nga presioni retorik apo ultimatume politike. Prandaj, në vend që të shpiken “qeveri teknike” jashtë realitetit juridik, zgjidhja e vetme serioze është të krijohen garanci ligjore për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta, në përputhje me parimet kushtetuese të pluralizmit, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë politike. Pikërisht këtu hyn nevoja për një marrëveshje besimi të sanksionuar në Kodin Zgjedhor: jo si pazar politik, por si instrument normativ që materializon standardet kushtetuese të zgjedhjeve të lira dhe të rregullta.

Një marrëveshje e tillë duhet të ketë status të qartë juridik dhe të jetë e detyrueshme për palët, duke u shndërruar në dispozita konkrete ligjore. Në thelb, ajo duhet të parashikojë një qeveri kujdestare vetëm për periudhën zgjedhore, me kompetenca të kufizuara dhe me detyrime të qarta të mosndërhyrjes në garë.

Në këtë kuadër, ndalimi i kandidimit për anëtarët e qeverisë kujdestare është një garanci kushtetuese në funksion të barazisë së garës. Ai shmang konfliktin e interesit dhe i jep kuptim parimit që kush administron zgjedhjet nuk duhet të jetë njëkohësisht garues. Kjo është një ide që mbështetet në logjikën e përgjithshme të shtetit të së drejtës: ndarja e funksioneve, shmangia e konfliktit të interesit dhe neutraliteti institucional. Po kështu, kontrolli i dyanshëm mbi administratën zgjedhore dhe mbi hallkat kyçe të shtetit gjatë fushatës është jetik për të zbatuar parimin e barazisë së subjekteve politike dhe për të ndarë shtetin nga partia. Në praktikë, kjo do të thotë që vendimet me ndikim elektoral (punësime, shkarkime, tendera, shpërndarje fondesh, investime publike të përshpejtuara, përdorim i aseteve publike) të futen nën një regjim kufizimesh të posaçme dhe transparence të detyrueshme, me raportim publik dhe me mekanizma ankimi të shpejtë.

Vetëm në këtë mënyrë mund të rindërtohet besimi i humbur: duke e kthyer procesin zgjedhor nga një duel i pabarabartë në një garë ku rregullat janë të qarta dhe të zbatueshme. Dhe pa besim, asnjë qeveri, as teknike, as politike, nuk do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza e saj e përhershme demokratike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button