“Adria Airways” në vështirësi financiare, ndërpret përkohësisht fluturimet në Tiranë, Lubjanë, Prishtinë
Kompania e fluturimeve “Adria Airways”, e cila operon dhe në Shqipëri, përmes fluturimeve direkte në Lubjanë dhe Frankfurt, njoftoi mbrëmjen e djeshme, më datë 23/09/2019 pas mesnate, “ndalimin e përkohshëm të fluturimeve, për datat 24-25 Shtator 2019”. Kompania ka kohë që ka hasur vështirësi financiare, njofton Autoriteti i Aviacionit Civil.
Në njoftimin zyrtar thuhet, “Adria Airways njofton se, që prej orës 23:30 (LT), të datës 23 shtator 2019, do të ndërpresë përkohësisht të gjitha fluturimet (e martë, 24 shtator dhe e mërkurë, 25 shtator) në të gjitha bazat e saj (Lubjanë, Prishtinë, Tiranë).
Vendimi për të ndaluar përkohësisht fluturimet, vjen si pasojë e pasigurisë aktuale për të siguruar të ardhura, që kompania ajrore ka nevojë për të vijuar operimin e mëtejshën të fluturimeve. Në këtë pikë, kompania është duke kërkuar intensivisht zgjidhje, në bashkëpunim me investitorë të mundshëm. Qëllimi ynë i përbashkët është që Adria Airways të fluturojë përsëri dhe që ndërprerja e operimeve të jetë me të vërtetë e përkohshme.”
Kompania në njoftimin e saj jep dhe udhëzimet për pasagjerët që parashikonin të fluturonin me këtë kompani dhe i këshillon ata të kontrollojnë, se cila është kompania ajrore me të cilën ata do të udhëtojnë, para se të arrijnë në aeroport dhe nëse është Adria Airways, atëherë të kontaktojnë menjëherë zyrat e shitjeve ku kanë blerë biletat.
Adria Airways u sugjeron në faqen e saj pasagjerëve dhe partnerëve që të ndjekin njoftimet on-line në faqen www.adria.si.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Aviacionit Civil, kompania zinte 4% të tregut të fluturimeve në Aeroportin e Rinasit gjatë muajit gusht.
Nga Tirana, ditën e sotme është anulluar fluturimi drejt Frankfurtit në orën 12.20 dhe ai drejt Lubjanës në 14.35. Nga Frankfurti në Tiranë është anulluar fluturimi i orës 11.35 dhe nga Lubjana në Tiranë ai i orës 13.45.