Adria Airways shtyn dhe dy ditë pezullimin e fluturimeve, si të veprojnë pasagjerët
Pas njoftimit të parë të ndalimit të operimeve nga ana e kompanisë Adria Airways, Autoriteti i Aviacionit Civil, ka monitoruar nga afër situatën në ambientet e aeroportit TIA, duke asistuar të gjithë pasagjerët që parashikonin të udhëtonin me kompaninë.
AAC ka kontaktuar menjëherë me autoritetet sllovene, të cilëve u ka kërkuar informacion mbi situatën e krijuar dhe reagimin me masa konkrete për çdo skenar të mundshëm. Drejtori Ekzekutiv i AAC, z. Krislen Keri, ka zhvilluar takim me përfaqësues të autoriteteve sllovene, gjatë punimeve të asamblesë së 40-të të ICAO, nga të cilët ka marrë angazhimin maksimal për informimin rreth kompanisë, e cila është në vështirësi financiare.
Nga ana e përfaqësuesve të AAC në aeroport, raportohet se kompania ka marrë masa duke mbrojtur pasagjerët, të cilët dy ditët e fundit kanë fluturuar me kompani të tjera. Përfaqësuesit e Adria në aeroport konfirmojnë, se ka filluar njoftimi i pasagjerëve të prekur dhe e njëjta strategji e ri-rezervimit me kompani të tjera do të përdoret dhe për fluturimet që do të anullohen dy ditët në vazhdim, përkatësisht në datat 26 dhe 27 Shtator 2019, sipas vendimit për ndalimin përkohësisht të operimeve nga ana e kompanisë.
AAC i rekomandon të gjithë pasagjerët që kanë planifikuar të fluturojnë me kompaninë Adria Airways, të kontaktojnë me zyrën e shitjes së biletave, në mënyrë që të kërkojnë ri-rezervimin me kompani të tjera ose të kompensohen.
Së fundmi, AAC sjell në vëmendje të pasagjerit shqiptar, se biletat e fluturimeve janë kontratë individuale e pasagjerëve me kompaninë dhe duhet të përzgjidhen si të tilla. Pasagjerët këshillohen, që para blerjes së biletave të mësojnë më shumë mbi reputacionin e kompanive në internet. Një kërkim i thjeshtë, do ju pajis me të gjithë informacionin e nevojshëm për të bërë zgjedhjen e duhur që tregu ofron.