Politika

“Akuzat e Llallës ndaj 2 deputetëve, Një lajm i paparë, po 21 janari??!”

Një lajm i paparë, po 21 janari?

NGA ARTEMISA HOXHA

rama ndokaKryeministri Edi Rama e cilëson kallëzimin e dy deputetëve të PS-së, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, duke i kujtuar kryeprokurorit çështjen e “21 Janarit”. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama shkruan: “Prokuroria lajmëroi se do të çojë para gjyqit, me sa duket nën akuzën për goditje për shkak të detyrës, dy deputetë socialistë. Arsyeja: Grushtimi i një deputeti demokrat në një korridor të Kuvendit. Në historinë e një Kuvendi ku janë zbrazur deri edhe armë përveç sharjeve me libër shtëpie dhe dufeve me këmbë e me duar, apo ku kanë rënë përtokë disa dhëmbë të thyer brenda një raundi të vetëm, masa e lajmëruar nga prokuroria është e paparë. Ndërsa në historinë e një vendi ku goditja për shkak të detyrës ka çuar në vrasje me plumba në mes të bulevardit, në rrahje masive me pasojë jo thjesht skuqjen e pjesëve lakuriqe të kokës, po përgjakjen e shumë njerëzve, por ku s’është parë ende asnjë pasojë penale për përgjegjësit, hapi i hedhur nga prokuroria në drejtim të dy deputetëve të shumicës parlamentare ngjan në përpjesëtim goxha të zhdrejtë me vendnumëronë e organit të akuzës mbi një sërë çështjesh të mëdha penale”. Pavarësisht kësaj kontradikte, Kryeministri ka bërë të ditur se ndryshe nga qeverisja e mëparshme, e drejtuar nga Berisha nuk do ta anatemojë Prokurorinë e Përgjithshme. “Sidoqoftë ne, shumica qeverisëse, nuk i japim vetes të drejtën të ankohemi për prokurorinë dhe as na shkon mendja të hakërrehemi ndaj saj apo të përdorim policinë, siç kanë bërë paraardhësit tanë, për t’iu shmangur drejtësisë duke e penguar me përdhunë prokurorinë të bëjë detyrën. I siguroj të gjithë se ky do të jetë qëndrimi ynë në çdo rast që organi i akuzës do të ngrejë pandehma të kompetencës së vet ligjore, ndaj kujtdo që përfaqëson koalicionin tonë në qeveri, Parlament apo pushtetin vendor”, shprehet më tej Rama. Kreu i Ekzekutivit nuk kursen që të vërë në pah mungesën e integritetit të këtij institucioni, paçka se qeveria drejtohet nga një mazhorancë tjetër. “Prokurorinë në këtë vend e kanë penguar prej shumë vitesh shumë gjëra, duke filluar nga mungesa e kurajës dhe integritetit të shumëkujt brenda saj. Por prej një viti i është hequr një pengesë e lartë: Qeveria! Sepse ka ndodhur një ndryshim i madh në Shqipëri 23 qershorin e shkuar dhe edhe qasja e re e shumicës qeverisëse ndaj organit të akuzës – edhe kur ndodh që nën akuzë të vihen njerëz të kësaj shumice -, është një tjetër shembull kuptimplotë i këtij ndryshimi”, mbyll komentin e tij Rama. Ky është reagimi i parë i kryesocialistit Edi Rama, i cili ka bërë të qartë se do ta respektojë vendimin e organit të akuzës në lidhje me akuzën e bërë ndaj dy deputetëve të mazhorancës, Ndoka dhe Ndreu, të cilët u paditën në Gjykatën e Lartë për goditjen në ambientet e brendshme të sallës së seancave të deputetit të PD-së, Gent Strazimiri. Ngjarja ndodhi më 10 korrik, e pas kallëzimit të bërë nga kryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka, në adresë të dy deputetëve, Prokuroria vetëm para dy ditëve bëri të ditur dorëzimin në gjykatë të dosjes ndaj Ndokës dhe Ndreut. Që prej 10 korrikut, opozita nuk ka qenë e pranishme në Kuvend, duke e bojkotuar jetën parlamentare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button