Albin Kurti: Kapitull i ri për Kosovën, do të bashkëpunoj ngushtë me SHBA-në, me BE-në, NATO-n
Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se me fitoren e partisë së tij hapet një kapitull i ri për vendin, fitore të cilën ai e ka quajtur më shumë si të popullit se sa të partisë.
Ai tha se më Vetëvendosjen në qeveri, nuk do të ketë vend për hajna dhe këta të fundit tashmë do të hetohen e gjykohen dhe se i pret jetë e vështirë deri në humbjen e lirisë.
“Tash e hapim një kapitull të ri për Republikën tonë, me faqe të bardhë e me zemër të ngrohtë sepse ju jeni ata që na keni sjellë sonte në këtë binë e në qeveri pas fitores së madhe që sërish është më shumë e juaja sesa e jona. Me qeverisjen tonë nuk ka më hajna në qeveri, nuk ka më hajna në institucione, por me shtetin e së drejtës hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen, dënohen edhe në shoqëri, kudo që janë. Jeta e ndershme do të jetë e kollajshme, jeta e kriminelëve do të jetë vështirë deri në humbjen e lirisë”, deklaroi Kurti.
Kurti falënderoi edhe kandidatët e tjerë për kryeministra, e në veçanti pati fjalë të mira për kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmanin, për të cilin tha se ka inspiruar shumë femra që të jenë të angazhuara në politikë.
Ai tha se me Osmanin synon që të bashkëpunojë edhe në qeveri, pasi ndryshimi i vërtetë do të ndodhë kur në qeverisje të vijë opozita e djeshme.
Po ashtu, Kurti tha se do të bashkëpunojë ngushtë me faktorin ndërkombëtar dhe me partnerët strategjikë të vendit pasi sipas tij, Kosova ka nevojë për miq.
“Ne konsiderojmë që ndryshimi i vërtetë demokratik është kur opozita bëhet qeveri, opozita ka fituar bindshëm dhe kësaj fitore, dhe këtij ndryshimi opozitar i prinë Lëvizja Vetëvendosje dhe unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës. Si kryeministër i Kosovës do të bashkëpunoj ngushtë me faktorë ndërkombëtarë, me ata që na njohin pavarësinë e na kanë ndihmuar ngaherë, me SHBA-në, me BE-në, NATO-n, me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën e Italinë por edhe shtetet e tjera që neve na kanë mbështetur edhe na jenë gjend si në kohë luftë e në kohë paqe, pra unë do të jem partner me partnerët dhe aleat me aleatët sepse shteti ynë ka nevojë për miq, për përkrahje, ka nevojë për ndihmë”, tha Kurti.