Ambasadori LU: Në pranverë do të festojmë miratimin e reformës në gjyqësor
Kreu i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, iu përgjigj skeptikëve dhe atyre që kundërshtuan këtë reformë se, pas një viti punë, ajo tashmë është drejt finalizimit.
“Ishim shumë pak që e shkruajtëm dhe dinim se çfarë po synonim. Një pjesë – dhe jo pak, – e nënvlerësuan dhe, ose nuk e lexuan fare, ose i hodhën një sy atij relacioni dhe nuk e kuptuan fare. Megjithatë ishim me fat që ndodhi kështu. Një pjesë na quajtën të marrë, që guxonim të mendonim se kjo mund të ndodhte. Disa edhe nënqeshën, apo edhe u tallën haptazi. Normale për ata që i njohin dhe e dinë sesa shumë janë tallur me këtë vend. Shumica, e që fatkeqësisht ende vazhdojnë të mbeten shumicë, ishin skeptikë dhe me të drejtë. Nuk po kërkojmë të ndryshojmë pllakat e bulevardit, por mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes së 25 viteve, me atë që quhet ligj, shtet i së drejtës, themeli i funksionimit të shtetit dhe demokracisë funksionale”, tha Fatmir Xhafaj.
Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu tha se, njerëzit e pushtetshëm kanë frikë nga kjo reformë, se mos përfundojnë në burg.
“Shenja më e sigurtë që kjo reformë do të jetë një sukses është se, disa njerëz të pushtetshëm në Shqipëri kanë frikë, kanë frikë se do të humbasin vendin e punës dhe të ardhurat e pista. Por kanë frikë edhe se mund të përfundojnë në burg. Ndoshta duhet të kenë frikë. Kam besim se, si rezultat i punës dhe përkushtimit tuaj të madh, në pranverë do të festojmë miratimin e reformës në gjyqësor”, deklaroi ambasadori amerikan, Donald Lu.