Ambasadorja Vasak: Sipërmarrja franceze interes për investime në Shqipëri
Franca është prezente në disa sektorë në Shqipëri dhe trendi i investimeve në sektorë të rëndësishëm strategjikë është në rritje.
Rreth 60 sipërmarrës të rajonit të Auvergne-Rhône-Alpes, që ka një peshë të madhe në ekonominë franceze dhe i katërti në Europë, u rikthyen javën e shkuar në Tiranë, pas vizitës së zhvilluar shtatorin e shkuar.
Përfaqësuesit e biznesit francez morën pjesë në forumin ekonomik frankofon që u mbajt në Tiranë, ku u njohën mbi reformat e thella strukturore ekonomike të ndërmarra nga qeveria dhe mundësitë për të investuar në Shqipëri.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak në një intervistë për ATSH-në shprehet se shtatorin e kaluar, një grup i të njëjtit rajon, që është një rajon shumë i madh francez, Auvergne-Rhône-Alpes erdhi në Shqipëri, në Tiranë, por jo vetëm për të parë se çfarë mund të bëhet në fushën e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Shqipërinë.
“Grupi u kthye i magjepsur nga kjo vizitë në Shqipëri dhe ranë dakord që të rikthehen. Ne mendonim se ky grup do të vinte më vonë. Por, më në fund dalëngadalë, ndodhi që grupi u rikthye në Shqipëri”, deklaroi ajo.
Vasak shprehet se përfaqësuesit e biznesit francez qëndruan jo vetëm në Tiranë, por ky grup prej rreth 60 burrash dhe grash të biznesit ka vajtur në Vlorë dhe në Berat, gjithashtu.
“Bëhet fjalë që të rigjallërohen marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, me një rajon si Auvergne-Rhône-Alpes që ka një peshë të madhe në ekonominë franceze dhe që është rreth Lionit, një prej qyteteve më të mëdha të Francës”, tha ajo.
Kjo sipas saj, ishte edhe në fokus të forumit ekonomik frankofon, që u mbajt në kuadër të pranverës së frankofonisë që u hap nga ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
Vasak thotë se ministri Bushati e vuri theksin kryesisht në dy elemente. “Fillimisht mbi rëndësinë për t’u vendosur në Shqipëri dhe për t’u përhapur në gjithë rajonin. Së dyti, mbi rëndësinë e marrëdhënieve me Francën dhe ai e di shumë mirë që rajoni Auvergne-Rhône-Alpes është një prej rajoneve më të mëdha në Francë, madje mendoj se është rajoni i katërt ekonomik në Europë”, deklaroi Vasak.
Ndërsa si sektorë potencialë për investime nga ana e sipërmarrjeve franceze në Shqipëri, ambasadorja franceze në Tiranë, veçoi industrinë ushqimore.
“Ju keni industri ushqimore shumë mirë të përfaqësuar, për më tepër një pjesë e delegacionit ka qenë në sallonin e industrisë ushqimore. Ju keni industrinë dhe ju keni sektorin terciar”, nënvizoi ajo.
Pyetjes se, a ka pasur interes të drejtpërdrejtë nga sipërmarrja franceze për tregun shqiptar, Ambasadorja franceze i përgjigjet qartazi, po.
“Pyetja juaj është shumë e saktë dhe i përgjigjem po. Por, zoti Gazmend Toska që është një prej këshilltarëve të jashtëm të tregtisë së jashtme të Francës dhe që është gjithashtu presidenti i Klubit të Sipërmarrjes në Lion, “France-Albanie Business” e organizoi këtë vizitë për t’u thënë ‘Po’.
Por ka pasur shumë marrëdhënie direkte, kontakte, takime mes sipërmarrësve francezë dhe shqiptarë, si në qendër të Tiranës, edhe në Panairin Ushqimor”, deklaroi Vasak.