ANALIZË – Si u kthye Ngushtica e Hormuzit në “armën e artë” të Iranit dhe kartën e tij strategjike përballë Perëndimit?
– Kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit është shndërruar në një “armë të artë” për Iranin, i cili është i gatshëm të rrezikojë përshkallëzime të reja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta ruajtur atë, shkruan “Reuters”.
Për Teheranin, kjo çështje tashmë ka përparësi ndaj programit bërthamor, për të cilin vendi ka përballuar sanksione ndërkombëtare për disa dekada.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me karburant, është bërë pika kryesore e strategjisë iraniane.
Këtë javë, anijet që kaluan në këtë rrugë ujore, pa miratimin e Teheranit u sulmuan, duke shkaktuar përplasje me forcat amerikane dhe duke rrezikuar marrëveshjen e përkohshme të paqes, të arritur muajin e kaluar.
Për vite me radhë, udhëheqësit iranianë kanë shmangur mbylljen e Hormuzit, për shkak të pasojave ekonomike dhe reagimit ndërkombëtar.
Por tani ata e shohin kontrollin mbi këtë ngushticë, si kartën më të fortë ndaj Perëndimit.
“Njihni rendin e ri iranian në Ngushticën e Hormuzit. Kjo është e vetmja rrugë përpara”, shkroi Ebrahim Azizi, anëtar i komisionit parlamentar iranian për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.
Sipas dy burimeve të larta iraniane, në Teheran nuk ka kundërshtime ndaj kësaj strategjie.
Edhe pse është diskutuar rreziku i përdorimit të tepërt të kësaj arme politike, qëndrimi dominues është se, asnjë vend racional nuk do të hiqte dorë nga një avantazh kaq i rëndësishëm strategjik.
Marrëveshja e përkohshme mes Iranit dhe SHBA-së, që synonte uljen e konfliktit, hapi rrugën për qarkullimin e anijeve në Hormuz, por nuk përcaktoi qartë se kush do të ketë kontrollin afatgjatë mbi këtë rrugë ujore.
Irani e interpreton marrëveshjen si njohje të së drejtës së tij për të menaxhuar ngushticën, ndërsa SHBA-ja dhe vendet e Gjirit e kundërshtojnë këtë, duke thënë se Teherani duhet vetëm të garantojë kalimin e sigurt të anijeve dhe nuk mund të vendosë kufizime me forcë.
Hormuzit i jepet përparësi ndaj programit bërthamor
Një nga arsyet kryesore të qëndrimit të Iranit është mosbesimi ndaj SHBA-së, i thelluar pas vendimit të Donald Trump në vitin 2018, për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore dhe pas përshkallëzimeve të fundit ushtarake.
Sipas një zyrtari iranian, nëse Teherani do të tërhiqej nga çështja e Hormuzit, Uashingtoni do të kërkonte më shumë lëshime për programin bërthamor dhe raketat konvencionale.
“Kjo do të nënkuptonte dorëzim dhe kjo nuk është e pranueshme”, tha ai.
Edhe pse Irani prej vitesh ka kërcënuar se mund ta mbyllë ngushticën, duke thënë se do të ishte “aq e lehtë sa të pish një gotë ujë”, zyrtarët iranianë e kanë konsideruar gjithmonë këtë si një masë ekstreme.
Por pas sulmeve amerikane dhe izraelite, të cilat sipas artikullit, vranë udhëheqës të lartë iranianë, Teherani mendoi se nuk kishte më shumë për të humbur dhe kufizoi trafikun në Hormuz, duke shkaktuar një nga ndërprerjet më të mëdha të furnizimeve globale me energji.
Presioni ekonomik i krijuar nga kjo situatë detyroi palët të negocionin një marrëveshje.
Irani tani beson se aftësia për të kontrolluar ngushticën duhet të njihet zyrtarisht.
Sipas profesorit të historisë moderne në Universitetin e St Andrews, Ali Ansari, të dyja palët mendojnë se kanë fituar dhe po përpiqen për të arritur objektivat e tyre.
Ndërkohë, Irani duket se është më i fokusuar te Hormuzi sesa te çështja bërthamore, e cila për rreth 25 vite ka qenë burimi kryesor i përplasjeve me SHBA-në dhe arsyeja kryesore e vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Teherani ka refuzuar të nisë bisedime të reja për programin bërthamor, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të pranojnë rolin e Iranit në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.