JEREVAN – Pashinyan: Armenia mund të paraqesë së shpejti kërkesën për anëtarësim në BE
JEREVAN, 24 gusht /ATSH-AFP/ – Armenia mund të paraqesë së shpejti kërkesën zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deklaroi sot kryeministri armen Nikol Pashinyan, ndërsa Jerevani po kërkon të forcojë lidhjet me Perëndimin dhe të distancohet nga Moska.
Rusia kundërshton ambiciet evropiane të Armenisë, ish-republikës sovjetike në Kaukaz, të cilën Moska e konsideron pjesë të sferës së saj të ndikimit.
Moska kërkon që Armenia fillimisht të zhvillojë një referendum për anëtarësimin në BE, duke argumentuar se një hap i tillë nuk përputhet me anëtarësimin e saj në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik.
Duke folur në parlament, Pashinyan tha se një referendum do të kishte kuptim vetëm pasi të ishte e mundur të “vlerësohej fizibiliteti” i anëtarësimit në BE.
“Armenia duhet së pari të paraqesë kërkesën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
“Ne mund ta iniciojmë këtë proces në të ardhmen e afërt, veçanërisht duke pasur parasysh kërkesat urgjente nga partnerët tanë në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik”, shtoi Pashinyan, pa specifikuar një datë.
Presidentët e Rusisë, Bjellorusisë, Kazakistanit dhe Kirgistanit u kanë bërë thirrje në maj autoriteteve armene që, përmes një referendumi, të vendosin nëse vendi do t’i bashkohet BE-së apo do të qëndrojë në bashkimin rajonal.
Orientimi i Jerevanit drejt Evropës ka tensionuar marrëdhëniet me Moskën, e cila ka vendosur sanksione ndaj Armenisë.
Rusia ka kufizuar gjithashtu importet e produkteve bujqësore armene, për të cilat përbën një treg të rëndësishëm.
Armenia dhe Rusia janë teknikisht aleate, por Jerevani e ka kritikuar Moskën për mungesën e mbështetjes gjatë luftës së vitit 2023 me Azerbajxhanin dhe po kërkon mbështetje më të madhe nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.
Armenia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në një pakt rajonal të sigurisë me Rusinë.
Pashinyan deklaroi se do të ishte i kënaqur nëse vendi i tij do të përjashtohej përfundimisht nga ky pakt, gjë që, sipas tij, do ta çlironte Armeninë nga dilema nëse do ta linte apo jo./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.