Andi Hoxhaj: 10 vjet pas referendumit për Brexit-in dhe pasi ka ndërruar 6 kryeministra, Britania duket e paqeverisshme
Nga Andi Hoxhaj
Britania e Madhe po shkon drejt kryeministrit të saj të shtatë brenda një dekade, sepse mbetet e bllokuar nga procesi i dwshtuar i Brexit-it, të cilin as qytetarët dhe as udhëheqësit politikë nuk kanë arritur ta bëjnë funksional.
Partia Laburiste në pushtet, e tronditur nga humbjet e rënda përballë “Reform”, një partie populiste të ekstremit të djathtë të drejtuar nga Nigel Farage, pas zgjedhjeve lokale të 7 majit, po shqyrton seriozisht zëvendësimin e kryeministrit Keir Starmer.
Kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham, dhe ish-sekretari i Shëndetësisë, Wes Streeting, po përgatiten të sfidojnë lidershipin, duke besuar se kanë më shumë gjasa se Starmer për të ndalur “Reform” në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që pritet të mbahen në maj 2029.
Starmer hyri në 10 Downing Street në korrik 2024, diçka më pak se dy vjet më parë, pas një fitoreje dërrmuese të laburistëve, e cila pasoi lodhjen e publikut nga 14 vite qeverisjeje të Partisë Konservatore.
Por, në maj të 2026-s, pozita e tij ishte rrënuar: miratimi për të ishte pranë niveleve më të ulëta historike, me vetëm 19 për qind që e shihnin pozitivisht. Më shumë se 80 deputetë laburistë, pas humbjes në zgjedhjet lokale, i kërkuan të jepte dorëheqjen si lider i Partisë Laburiste dhe kryeministër, nga frika se papëlqyeshmëria e tij mund të dëmtonte shanset e laburistëve dhe t’ia dorëzonte çelësat e 10 Downing Street Farage-it në vitin 2029.
Nëse Starmer zëvendësohet, Britania do të kishte kryeministrin e saj të shtatë që prej referendumit të Brexit-it në vitin 2016, i cili e vendosi vendin në rrugën e daljes nga Bashkimi Evropian.
Hera e fundit kur Britania e Madhe ka ndërruar kryeministra me një ritëm të ngjashëm, ka qenë në periudha dhjetëvjeçare gjatë shekullin XVIII, 1760–1770, dhe në shekullin XIX, 1827–1837.
Ky qarkullim i shpejtë udhëheqësish nuk është thjesht një tipar i pazakontë i politikës bashkëkohore.
Brexit-i ka bërë më shumë sesa i ka kushtuar Britanisë disa kryeministra gjatë dekadës së fundit: ai ka riformësuar peizazhin politik britanik.
Nga dy parti në shtatë
Duopoli i vjetër Konservatorë–Laburistë, i cili ka dominuar që prej vitit 1721, është copëzuar në një sistem me pesë parti. Në zgjedhjet lokale të majit 2026, “Reform” mori rreth 26 për qind në nivel kombëtar, e ndjekur nga të Gjelbrit me 18 për qind, Konservatorët me 17 për qind, Laburistët me 17 për qind dhe Liberal-Demokratët me 16 për qind.
Ndryshimi i kryeministrave, në vetvete, nuk do ta zgjidhë problemin qendror: dështimin e Britanisë së Madhe për ta bërë Brexit-in funksional.
David Cameron dha dorëheqjen pas referendumit, ndërsa kërkesat për zbatimin e tij mposhtën Theresa May-n. Boris Johnson fitoi zgjedhjet duke premtuar se do ta “përfundonte Brexit-in”, por ra mes skandaleve. Mandati 45-ditor i Liz Truss-it shkatërroi tregjet dhe e zhyti paundin, ndërsa Rishi Sunak u përpoq të stabilizonte situatën me Kornizën e Windsorit, por i mungonte autoriteti për të rikthyer besimin.
Tani Starmer, i cili premtoi kompetencë dhe riparim të marrëdhënieve me BE-në, e gjen veten të goditur nga të njëjtat forca.
Brexit-i nuk wshtw burimi i tw gjitha problemeve me të cila përballet sot Britania. Por ai i amplifikoi shumë prej tyre: rritjen e dobët ekonomike, pagat e pandryshuara, sforcimin e shërbimeve publike, erozionin e besimit publik, politikën e polarizuar, pengesat tregtare, mungesat në fuqinë punëtore dhe ndjesinë gërryese të një krize të përhershme politike.
Këto nuk janë probleme të izoluara, por simptoma të një çarjeje politike dhe ekonomike me të cilën Britania ende nuk është pajtuar që prej largimit nga BE-ja në vitin 2016.
Promovuesit e Brexit-it, veçanërisht Farage dhe Johnson, premtuan rimarrjen e kontrollit. Në vend të kësaj, Britania e Madhe duket gjithnjë e më pak e aftë të formësojë ngjarjet brenda vendit apo të projektojë ndikim jashtë. Migracioni, që ishte gur themeli i fushatës së Farage-it për Brexit-in, u rrit pas Brexit-it, duke ekspozuar se një pjesë e madhe e debatit udhëhiqej nga narrativa dhe jo nga realiteti strukturor.
Qeveria e Starmer-it u ka dhënë partnerëve të BE-së një ndjesi parashikueshmërie: ai ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Francën, duke bashkëdrejtuar një “Koalicion të të Vullnetshmëve” me presidentin francez Emmanuel Macron në mbështetje të Ukrainës.
Në maj 2026, qeveria e tij prezantoi gjithashtu legjislacionin për partneritetin Britani e Madhe–BE, që synon përafrim më të ngushtë në tregti, teknologji, siguri dhe të drejtat e qytetarëve me BE-në, duke hapur potencialisht rrugën që Britania e Madhe t’i bashkohet tregut të përbashkët evropian për të zbutur rritjen e lartë të kostos së jetesës, e cila është shtuar me 20 për qind vetëm në katër vitet e fundit.
Çfarë fiton Brukseli? Jo shumë
Megjithatë, spektri i Farage-it dhe perspektiva e një qeverie anti-BE e ndërlikojnë për BE-në një angazhim më të thellë politik.
Pse duhet BE-ja t’i bëjë lëshime të vështira një Britanie nën laburistët, nëse ajo mund ta ndryshojë lehtësisht kursin brenda pak vitesh nën një qeveri të mundshme të “Reform”?
Çështja kryesore është se trazira politike e Britanisë nuk është thjesht rezultat i lidershipit të dobët, por buron nga një vend i kapur në pasiguri të vazhdueshme pas një vendimi të pazgjidhur për t’u larguar nga BE-ja.
Derisa Britania të përballet me pasojat e Brexit-it dhe me paqëndrueshmërinë që pasoi si në peizazhin e saj politik ashtu edhe në ekonomi, PBB-ja e saj është rreth katër deri në tetë për qind më e ulët, ndërsa investimet e biznesit kanë rënë me rreth 12 deri në 18 për qind krahasuar me nivelin që do të kishin qenë nëse Britania e Madhe do të kishte mbetur në BE.
Brexit-i është një “katastrofë”. Le të (mos) bëjmë asgjë
Ata që tani po pozicionohen për të zëvendësuar Starmer-in, veçanërisht Burnham dhe Streeting, e kanë quajtur Brexit-in një katastrofë. Nëse e kanë seriozisht, ata duhet të shkojnë përtej qasjes kozmetike me BE-në që Starmer tashmë po ndjek dhe të detyrojnë një përballje të sinqertë kombëtare: a duhet Britania e Madhe t’i ribashkohet BE-së?
Sondazhet sugjerojnë gjithnjë e më shumë se ka një shumicë që favorizon ribashkimin me BE-në, me një brez më të ri që tani po njeh gjithnjë e më shumë përfitimet e anëtarësimit pas një dekade Brexit, përkundrejt gjysmë-masave të propozuara nga Starmer, Burnham apo Streeting.
Por vetëm një debat i ndershëm për kostot e vërteta sociale dhe ekonomike të Brexit-it mund të ofrojë një rrugë të besueshme për të dalë nga trazira politike e dekadës së fundit.
Pas një dekade stanjacioni ekonomik, trazire politike dhe rënieje të peshës ndërkombëtare të shkaktuar nga Brexit-i, Britania e Madhe duhet të marrë në konsideratë ribashkimin me BE-në, sepse vendi thjesht është bërë i paqeverisshëm.
Por Britania e Madhe duhet së pari të përballet me pasojat e Brexit-it dhe të ndërtojë një axhendë të qartë politike për marrëdhëniet e saj me BE-në, qoftë përmes hyrjes në tregun e përbashkët evropian, qoftë përmes anëtarësimit të plotë në BE, dhe jo përmes një qasjeje gjysmake të përafrimit më të ngushtë me BE-në.
Vetëm zëvendësimi i kryeministrave do ta zgjasë ciklin e paqëndrueshmërisë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.