Argumentet e KPA për lënien në fuqi të shkarkimit të prokurorit Sabri Kastrati

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e gjeti të drejtë konkluzionin e Komisionit se prokurori i Lezhës, Sabri Kastrati ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, pasi rezultoi me bilanc negativ në vlerë të madhe. Ndërkohë, u gjet i pabazuar përfundimi i arritur prej Komisionit lidhur me një njësi, si dhe ai për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pastërtisë së figurës.
Sabri Kastrati e filloi karrierën në fillim të viteve ’90 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 1995 dhe në vitin 1998 u largua me kërkesën e tij. Pas kthimit nga emigracioni Kastrati u riemërua prokuror në vitin 2005 dhe në 2013-ën u transferua në Prokurorinë e Lezhës, ku dhe e ushtroi funksionin, deri më 19 shtator të vitit 2024 kur u shkarkua prej KPK-së.
Deklarim i pamjaftueshëm
Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk ka provuar burimet financiare të ligjshme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 76 m2 në Tiranë në vitin 2006, për vlerën 55 mijë euro. Në deklaratën veting, ai ka shënuar si burime krijimi të ardhurat e qirasë nga një bar-restorant në Kukës, pasuri për të cilën ka shpjeguar se është trashëgimi nga babai dhe se është ndërtuar para se të fillonte punën si prokuror. Sipas një deklarate noteriale të vitit 2006, subjekti ia ka dhënë pjesën e tij takuese të bar-restorantit me qira të vëllait për një periudhë 5-vjeçare, për 800 Euro në muaj, në total 48 mijë euro.
Pasi KPK ka konstatuar mospagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat nga qiraja, subjekti ka ndryshuar qëndrim, duke shpjeguar se vlera 48 mijë euro nuk i është dhënë bazuar në një kontratë qiradhënie të mirëfilltë, por si një kompesim dhe shpërblim për kontributin e dhënë ndaj familjes e përdorimit pa pagesë të pjesës së tij takuese të objektit bar-restorant. Po ashtu, ka deklaruar se ka qenë dhe një formë ndihme për të blerë apartamentin në Tiranë.
Nisur nga këto pretendime, KPK ka zgjeruar hetimin për krijimin e vlerës 48 mijë euro. Subjekti ka shpjeguar se vlera 48 mijë euro që i ka dhënë i vëllai, përbëhej nga një hua 30 mijë euro që ka marrë ky i fundit nga shtetasi Y.E., si dhe të ardhura nga aktiviteti, në masën 18 mijë euro. Sipas Komisionit, nuk është provuar mundësia e vëllait të subjektit për kursimin e shumës 18 mijë euro. Po ashtu, nuk është vërtetuar as mundësia e shtetasit Y.E., për ti dhënë vëllait të prokurorit vlerën 30 mijë euro.
Komisioni ka konstatuar gjithashtu se subjekti nuk provoi mundësinë e tij për kursimin e shumës prej 7000 eurosh nga punësimi në emigracion të pretenduar se ka shërbyer për pagesën e pjesës tjetër të çmimit të apartamentit. Nga hetimi ka rezultuar se ai nuk i ka deklaruar këto kursime cash.
Kastrati ka kundërshtuar në ankim konkluzionet e KPK për këtë pasuri, duke pretenduar se të ardhurat e deklaruara si burim për krijimin e saj janë të ligjshme, si dhe ka ngritur një sërë pretendimesh në drejtim të burimeve financiare.
Lidhur me konstatimin për mos shlyerjen e detyrimeve për vlerën 48 mijë euro, Kolegji vëren se subjekti e ka deklaruar si të ardhur nga qiraja këtë shumë, nga për rrjedhojë kishte detyrimin të provonte se për ato të ardhura janë paguar detyrimet tatimore.
Në lidhje me verifikimin e burimeve të deklaruara për blerjen e apartamentit, Kolegji konstaton se prokurori Kastrati, në prapësimet ndaj rezultateve të hetimit, ka dhënë sqarime vetëm për shumën 30 mijë euro të marrë hua nga vëllai i tij shtetasit Y. E. dhe për kursimet e tij në shumën 7000 euro, por nuk ka paraqitur shpjegime për të ardhurat e të vëllait në vlerën 18 mijë euro.
KPA konstaton se pavarësisht se vëllai i subjektit ka qarkulluar të ardhura nga aktiviteti tregtar, fitimi ka qenë i pamjaftueshëm për krijimin e shumës 18 mijë euro.
Për arsye se prokurori Kastrati nuk ka ngritur pretendime mbi analizën e Komisionit për shumën 18 mijë euro, si të ardhura të vëllait të tij, Kolegji vlerëson se subjekti ka dështuar për të provuar të ardhurat që kanë shërbyer si burim për blerjen e apartamentit.
Prokurori Kastrati ka pretenduar se huaja 30 mijë euro nuk është marrë prej tij, por nga i vëllai që nuk është subjekt rivlerësimi, e për rrjedhojë nuk ka detyrim për të vërtetuar burimin e saj.
Kolegji sjell në vëmendje se çështja e provueshmërisë së ligjshmërisë së burimit të krijimit të kësaj shume, ka ardhur si pasojë e deklarimeve të vetë subjektit, se të ardhurat në shumën 48 mijë euro nuk janë nga qiraja, por se përfaqësojnë një kompesim e ndihmë nga i vëllai. Sipas KPA, ky deklarim përbën devijim nga deklarimet e subjektit në deklaratën veting, në atë të vitit 2006, si dhe nga provat e paraqitura prej tij në lidhje me këto të ardhura.
Për shumën 7000 euro të deklaruar si kursim nga puna në emigrim, Kolegji vlerëson se subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion justifikues që të provojë sasinë e pretenduar të të ardhurave të përfituara prej tij gjatë periudhës që ka qenë emigrant në Australi. Po ashtu, nuk ka arritur të provojë as pretendimin e tij në lidhje me pamundësinë objektive për të gjetur dhe paraqitur dokumentacion provues lidhur me këto të ardhura.
Tjetër konstatim i Kolegjit është dhe fakti se Kastrati nuk ka shënuar në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2005, të ardhurat e përfituara nga punësimi në emigracion si kursime cash, si dhe nuk rezulton që të ketë deklaruar përdorimin e tyre si burim për apartamentin.
Për këto arsye, trupi gjykues i Kolegjit e gjen të drejtë qëndrimin e Komisionit për mospërllogaritjen e këtyre të ardhurave në analizën financiare.
Në përfundim të verifikimit të kësaj pasurie, ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 6.3 milionë lekë.
Ashtu si KPK, Kolegji ka gjetur pamundësi financiare në shumën 143 mijë lekë, edhe për blerjen e një automjeti.
Bashkëjetuesja e subjektit ka shënuar në rubrikën “të dhëna konfidenciale” se është bashkëporositëse me prindërit, e një apartamenti për çmimin 61 mijë euro. Ajo ka shpjeguar se kanë qenë prindërit që e kanë vendosur emrin e saj si porositëse të apartamentit, pa dijeninë e saj, duke paraqitur si argument dhe faktin se atë ditë kur është nënshkruar kontrata ka qenë jashtë shtetit.
Ky pretendim nuk është gjetur bindës nga KPK, që ka vlerësuar se këto qëndrime kanë si qëllim shmangien e përgjegjësive që rrjedhin nga pamjaftueshmëria financiare për krijimin e kësaj pasurie.
Kastrati e ka kundërshtuar këtë konkluzion, duke argumentuar se bashkëjetuesja e tij nuk ka lidhur kontratë me FSHU-në. Po ashtu, ka nënvizuar se nënshkrimi për furnizimin më ujë nuk është bërë prej saj, fakt që sipas tij provohet nga një aktekspertimi grafik që ka paraqitur si provë, ku përcaktohet se bashkëshortja nuk e ka nënshkruar kontratën me FSHU-unë.
Kolegji vlerëson se shpjegimet e subjektit nuk janë bindëse, pasi bashkëjetuesja e tij ka nënshkruar kontratën e porosisë para noteres. Po ashtu, konstatohet se Kastrati nuk ka verifikuar nëpërmjet ndonjë akti ekspertimi nëse nënshkrimi në kontratën e porosisë së sipërcituar është ose jo i bashkëjetueses së tij, sikurse ka bërë me kontratën e FSHU-së. Në vendimin e Kolegjit, konstatohet se subjekti është mjaftuar vetëm në pretendimin se, sipas të dhënave në sistemin TIMS, bashkëjetuesja e tij nuk ndodhej në Shqipëri ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate.
Aktekspertimi i dorëzuar nga subjekti konsiderohet pa vlerë provuese, pasi nuk lidhet me kontratën e porosisë. Në vijim, Kolegji evidenton se Kastrati nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ligjor për deklarimin e kontratës së porosisë si të falsifikuar.
Po ashtu, ka rezultuar se nuk përputhen deklarimet e shoqërisë ndërtuese për pagesën e apartamentit, më ato të prindërve të bashkëjetueses. Kjo, pasi nga dokumentet e pagesave sipas kontratës së porosisë dhe sipas informacioneve të dhëna prej shoqërisë ndërtuese, pagesat janë kryer nga bashkëjetuesja e subjektit në shuma e data të ndryshme nga ato të deklaruara prej prindërve të saj.
Bazuar në të dhënat e verifikuara, Kolegji vlerëson se kontrata e porosisë është lidhur nga bashkëjetuesja e subjektit në gusht vitin 2014, e cila në atë moment ka kryer dhe një pagesë prej 50 mijë eurosh.
KPA vlerëson se subjekti i është shmangur shpjegimit të burimit të ligjshëm të krijimit të kësaj pasurie, si dhe se ka dështuar të provojë se bashkëjetuesja e tij ka pasur burime financiare të për pagesën e shumës 50 mijë euro në gusht të vitit 2014.
Gjyqtari Kastrati ka kundërshtuar si të pabazuar në Kolegj, edhe konkluzionin tjetër të KPK, për mungesë të dokumentacionit justifikues ligjor mbi të ardhurat e ligjshme të vëllait që ka porositur e paguar një njësi shërbimi në Tiranë për çmimin 100 mijë euro – pasuri e cila de jure figuron e regjistruar në pronësi të subjektit.
Kastrati ka pretenduar se kjo pasuri rrjedh nga një veprim juridik shkëmbimi të njësisë me pjesën takuese të bar-restorantit. Por, Komisioni ka konstatuar se, ky veprim bazohet në një deklarim noterial midis subjektit dhe vëllait, akt i cili mund të shfuqizohet në çdo moment nga palët, ndërkohë që gjyqtari Kastrati figuron pronar i vetëm i ligjshëm i njësisë.
Kolegji konstaton se Komisioni ka bërë një vlerësim sipërfaqësor në lidhje me marrëdhënien e krijuar midis subjektit të rivlerësimit dhe vëllait të tij, duke e konsideruar të pabazuar në një hetim dhe konstatim të plotë të situatës faktike. Sipas KPA, mungesa e një kontrate përfundimtare shkëmbimi për shkak të mosregjistrimit të pasurisë së ndodhur në Kukës, nuk nënkupton mosekzistencën reale të kësaj marrëdhënieje shkëmbimi.
Në vijim, Kolegji vlerëson se marrëdhënia e shkëmbimit të pasurive të paluajtshme nuk bën pjesë në situatat e parashikuara në legjislacionin e vetignut për kontrollin e pasurive, e për rrjedhojë subjekti nuk ka detyrimin të provojë burimet e ligjshme të vëllait të tij për pagimin çmimit të njësisë në vitin 2010, kur është kryer porosia.
Nga analiza financiare e përgjithshme e kryer në Kolegj për periudhën e vlerësimit 2005-2016, ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën totale prej 14.7 milionë lekësh.
Vlerësimi i figurës
Subjekti ka kundërshtuar në ankim vlerësimin e Komisionit se ai nuk ka plotësuar me vërtetësi deklaratën për kontrollin e figurës, si dhe ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në këtë kriter. Sipas KPK, Kastrati nuk qartësoi mënyrën e fitimit të shtetësisë australiane dhe gjithashtu nuk depozitoi kopje të pasaportës së tij as gjatë hetimit dhe as në prapësime, dokument i cili do të qartësonte situatën mbi gjeneralitetet e subjektit në pasaportat e përdorura.
Refuzimi i subjektit u konsiderua mungesë bashkëpunimi dhe i krijoi bindjen Komisionit se ai ka pasur për qëllim të shmangë verifikimin e të dhënave të pasaportës, për të arritur një rezultat në favor të tij.
Lidhur me konstatimin mbi ekzistencën dhe përdorimin e dokumenteve të identifikimit me gjeneralitete të ndryshme nga ato të konfirmuara nga Zyra e Gjendjes Civile, nga ana e KPK u çmua se Kastrati nuk arriti të provojë të kundërtën. Shpjegimet e tij për mundësinë e hedhjes gabim të të dhënave nga oficerët e policisë, u vlerësuan të paqarta dhe jobindëse, pasi nga hetimi rezultoi i provuar përdorimi i këtyre dokumenteve në mënyrë të përsëritur, në periudha e vite të ndryshme.
Kolegji konstaton se, konkluzioni i KPK se subjekti i rivlerësimit nuk ka plotësuar me vërtetësi deklaratën për kontrollin e figurës, si dhe ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për këtë kriter, duket të jetë bazuar në mosdeklarimin e faktit se në pasaportat e përdorura prej tij ka pasur gjeneralitete të ndryshme nga ato të konfirmuara nga zyra e gjendjes civile.
Sipas KPA, deklarata për kontrollin e figurës nuk përcakton detyrimin e subjektit për të bashkëlidhur kopje të dokumenteve të identifikimit dhe nuk konstaton pasaktësi në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figures.
Për rrjedhojë, megjithëse Kolegji gjen të drejtë konkluzionin e KPK se Kastrati nuk ka qenë i besueshëm në deklarimet e tij sa i takon pasaportës australiane, si dhe ka dëshmuar mungesë vullneti për t’iu përgjigjur kërkesave në lidhje me këtë dokument me qëllim aarritjen e një rezultati pozitiv, nga ana tjetër nuk gjendet i bazuar përfundimi për mosplotësimin me vërtetësi të deklaratës së figurës dhe se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në këtë kriter.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.