Gjyqi për grupin e Laert Haxhiut, dëshmon në GJKKO babai i Elton Mermalit. Jep detaje nga vrasja e të birit
Babai i viktimës Elton Mermali, Kujtim Mermali këtë të mërkurë ka dhënë dëshminë e tij përpara trupit gjykues në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO për grupin e Laert Haxhiut. Gjatë dëshmisë ai ka treguar detaje mbi jetën e të birit, precedentët e tij penalë dhe njohjen e hershme me Laert Haxhiun.
Sipas dëshmisë së tij, djali njihej që prej fëmijërisë me pseudonimin “Kinezi” për shkak të syve të vegjël. Ai shtoi se pasi vuajti dënimet penale kishte ndërruar emrin në gjendjen civile duke e bërë Alban Semaku.
I pyetur mbi autorët e mundshëm apo motive të hakmarrjes për ngjarje të vjetra, Kujtim Mermali deklaroi se nuk mund të vërë gishtin mbi asnjë person. Ai tregoi se e njihte mirë Laert Haxhiun prej viteve të fëmijërisë së tij.
“Elton Mermalin e kam djalë. Një natë para ngjarjes, ditën e shtunë në darkë doli dhe nuk u kthye më në shtëpi. U njoftuam për vrasjen e djalit, kishin gjetur trupin. Fillimisht e çuam në Peqin, më pas në morgun e Elbasanit. Policia kishte lajmëruar vajzën e madhe që jeton në Itali, ajo më mori mua në telefon. Ika nga puna, shkova në morg, mora trupin e djalit dhe e solla në shtëpi. Motivet nuk i dija fare. Unë nuk vë dot gishtin se kush e ka bërë, sepse nuk e di.
Eltoni ishte fëmija im i dytë, nuk punonte. Pasi bëri burgun, nuk ishte në terezi dhe nuk punonte. Se për çfarë u fut në burg, nuk e di. Djali është arrestuar në vitin 2004 në Itali, fillimisht. Ndenji 2 muaj në burg, mbas gjyqit e kanë nxjerrë në arrest shtëpie për dy vite.
Gabimi i tij që theu arrestin e shtëpisë dhe pastaj e sollën këtu. E arrestuan atje sepse akuzohej për vrasje këtu në Shqipëri. Për vrasjen e Artan Sulçes. Në vitin 1997 djali ka qenë në Shqipëri. Në dijeninë time djali nuk ka qenë i përfshirë, sepse do merrej haku që në atë kohë, siç u mor për të gjithë. Djali ka qenë i akuzuar bashkë me grupin e Aldo Bares.
Laert Haxhiun e njoh shumë mirë, sepse hante bukë në shtëpinë time. E kam strehuar kur e rrihte i ati. Nuk di të them nëse vrasja e djalit tim është kryer për motive hakmarrjeje për shkak të vrasjes së Artan Sulçes e Bledar Haxhiut në vitin 1997. Djali im nuk i ruhej askujt. Doli nga burgu i Peqinit më 6 maj 2021, më 17 tetor 2021 u vra. Kur doli nga burgu djali nuk ishte mirë, nuk e mora vesh se kush i fuste lëndë narkotike brenda burgut.
Në shtëpi nuk pinte ndonjëherë lëndë narkotike. Sjellja e djalit në raport me mua ishte shumë e mirë, nuk ishte agresiv. Nuk më përmendi asnjëherë nëse kërcënohej nga dikush në burg, apo se me kë e ndau qelinë. Djali njihej me pseudonimin “Kinezi” sepse ka pasur sytë e vegjël, kështu i thërrisnin që i vogël. Kur doli nga burgu, shkoi në gjendje civile, ndërroi emrin, e bëri Alban Semaku. Artan Tafani do t’i gjente punë djalit kur ta takonte. Kështu më ka thënë djali”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.