Argumentet e KPA-së për shkarkimin e prokurorit Gëzim Çopa

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i gjeti të bazuara thuajse të gjithë shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike, Irena Nino për pasurinë e prokurorit të Durrësit, Gëzim Çopa dhe e shkarkoi atë me argumentin se nuk arriti nivel të besueshëm në këtë kriter.
Çopa u konfirmua në detyrë më 22 shkurt të vitit 2024 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me shumicë, pasi i ishte kaluar barrë prove për një balancë negative totale në vlerën 25.8 milionë lekë. Ai argumentoi se pasuritë i ka fituar me trashëgimi ligjore dhe se janë krijuar para fillimit të detyrës së prokurorit në vitin 2015.
Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi vendimmarrjen e Komisionit duke kërkuar në Kolegj shkarkimin e tij nga detyra për mungesë burimesh e deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe për gjetje në kriterin e figurës dhe profesionalizmit, që në vlerësimin tërësor i konsideroi se e vendosnin subjektin në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Kolegji i vlerësoi problemet në dy çështje e hetuara nga subjekti si të pamjaftueshme për të arritur në konkluzionin e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, ndërsa u konkludua se ai duhej shkarkuar pasi nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore rezarta Schuetz dhe anëtarë Sokol Çomo, Ina Rama e Mimoza Tasi.
Problemet për pasurinë
Çopa ka shënuar në deklaratën veting të ardhura në vlerën 155 mijë e 800 USD nga dhënia me qira e një shtëpie në Durrës një shoqërie, si dhe prej punësimit të tij si ekonomist po në atë kompani.
Komisioni i ka analizuar këto të ardhura në funksion të kontrollit të burimeve financiare të ligjshme për blerjen e një toke bujqësore me sipërfaqe 3.682 m2 një një fshat të Durrësit.
KPK ka vlerësuar se këto të ardhura e kalojnë testin e ligjshmërisë, por Komisionerja Publike, Irena Nino, megjithëse nuk ngriti shkkak ankimi për tokën bujqësore, pretendoi se deklarimet e subjektit për të ardhurat nga qiraja dhe punësimi nga kjo shoqëri, janë kontradiktore dhe nuk përputhen me provat shkresore të depozituara nga vetë prokurori Çopa në ILDKPKI.
Në ankim u pretendua se subjekti nuk arriti të provojë përfitimin e të ardhurave nga qiraja në kohën dhe shumën e pretenduar, si dhe as shlyerjen e detyrimeve tatimore. Për të ardhurat nga punësimi i subjektit në këtë shoqëri, Komisionerja kërkoi që të konsideroheshin deri në masën që provohej nga dokumentacioni i ISSh-së. Në përfundim, Komisionerja Publike kërkoi që të ardhurat nga qiraja të mos përfshiheshin në analizën financiare, ndërsa nga punësimi të konsideroheshin vetëm të cilat provoheshin me aktet e Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ISSH.
Të njëjtin qëndrim mbajti në bisedimet përfundimtare, edhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, i cili kompetencat e institucionit të Komisionerëve Publik, pas përfundimit të mandatit të tyre.
Çopa prapësoi në tërësi konstatimet, duke pretenduar se të ardhurat nga qiraja dhe punësimi pranë shoqërisë në fjalë, plotësojnë standardin kushtetues të të ardhurës së ligjshme e duhet të përfshihen të plota në analizën financiare. Ai vërejti se këto të ardhura janë përfituar shumë kohë përpara fillimit të ushtrimit të funksionit si prokuror dhe jashtë periudhës së vetingut, e për rrjedhojë duhen vlerësuar nën dritën e parimeve të proporcionalitetit. Po ashtu, nënvizoi se detyrimet financiare duhej të shlyheshin nga qiramarrësi.
Kolegji arrin në konkluzionin se subjekti arriti të provojë përfitimin dhe ligjshmërinë e pagës vetëm për periudhën e referuar në dokumentacionin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Durrës.
Për të ardhurat nga qiraja, KPA çmoi se nuk përmbushej kriteri i ligjshmërisë. Trupi gjykues vëren se për periudhën nëntor 1998 – mars 2000, nuk ka dokumentacion provues për ekzistencën e qirasë, që përjashton edhe debatin për ligjshmërinë e të ardhurave. Për periudhën tjetër gjatë së cilës janë evidentuar gjurmë nga akte të kohës që vërtetonin marrëdhënien e qirasë, është vlerësuar se paraqiten probleme në drejtim të ligjshmërisë së të ardhurave, për shkak të mosshlyerjes se detyrimeve tatimore.
Çopa ka deklaruar pronësinë individuale të një apartamenti në Tiranë, me sipërfaqe 150.9 m2dhe tre garazhe me sipërfaqe totale 62 m2. Subjekti ka deklaruar se këto pasuri janë blerë kundrejt vlerës 142 mijë euro, me burim një kredi bankare në shumën 40 mijë euro; të ardhura nga shitja e një sipërfaqe toke 2173 m2 së bashku me fushën e minifutbollit që gjendej aty, në shumën totale 95 mijë euro; si dhe 7000 euro nga çmimi i shitjes së një ngastre tjetër toke.
Megjithëse fillimin KPK konstatoi financiare në vlerën 8.9 milionë lekë, pasi u njoh me pretendimet e subjektit arriti në përfundimin se ai ka pasur burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e apartamentit dhe tre garazheve. Pasaktësitë e konstatuara në deklarimet periodike mbi këto pasuri, sipas Komisionit, nuk mund të kishin peshë në vlerësimin tërësor, përderisa ishin të pashoqëruara me mungesë të burimeve financiare.
Komisionerja Nino pretendoi në ankim se Çopa nuk provoi të kundërtën e barrës së provës lidhur me pamjaftueshmërinë e konstatuar fillimisht nga Komisioni. Sipas saj, ndryshimi i rezultatit financiar në KPK, ka ardhur si pasojë e përfshirjen në analizë të disa të ardhurave që nuk duhej të konsideroheshin të ligjshme.
Ajo i kërkoi Kolegjit, që nga të ardhurat e deklaruara se janë përfituar nga shitja e tokës dhe fushës së minifutbollit, të konsiderohet si burim i ligjshëm vetëm shuma prej 3 milionë lekësh, ashtu si është referuar në kontratën e shitjes dhe jo gjithë shuma 95 mijë euro e deklaruar nga subjekti.
Po ashtu, në ankim është konstatuar se KPK ka përfshirë në analizë 8.5 milionë lekë, me emërtimin “të ardhura të mundshme të kursyera nga familja Çopa”, por pa shpjeguar origjinën e tyre. Sipas Ninos, kjo shumë asnuk është deklaruar e as është pretenduar prej subjektit.
Edhe Dumani konfirmoi këtë shkak anikimi në bisedimet përfundimtare gjatë procesit në Kolegj.
Subjekti pretendoi se në analizën financiare të kësaj pasurie, duhej të përfshihej e gjithë shuma 95 mijë euro nga shitja e tokës dhe fusha e minifutbollit dhe jo vetëm vlera 3 milionë lekë e përcaktuar në kartelën e pasurisë. Për pagesën e tatimit vetëm mbi vlerën 3 milionë lekë, subjekti pretendoi se nuk ka pasur dijeni që duhej shlyer për gjithë të ardhurat, si dhe se në atë kohë nuk ishte subjekt deklarues. Për shumën 8.5 milionë lekë të përllogaritur nga KPK si mundësi kursimi, Kolegji vëren se subjekti nuk parashtroi pretendime konkrete.
Ndryshe nga Komisioni, Kolegji vlerëson se subjekti rezulton në pamundësi financiare për blerjen e apartamentit e garazheve në Tiranë, si dhe mbulimin e shpenzimeve. Nga analiza financiare e kryer në KPA, është konstatuar bilanc negativ në shumën 9.3 milionë lekë.
Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti dështoi të provojë përfitimin e shumës totale prej 95 mijë eurosh në vitin 2005, të pretenduar nga shitja e tokës bashkë me lokalin dhe fushën e minifutbollit, të deklaruar si burim për apartamentin dhe garazhet. Për rrjedhojë, është konsideruar vetëm shuma 3 milionë lekë për të cilën janë paguar detyrimet, ashtu si ka kërkuar dhe Komisionerja.
“…Është e pabazuar qasja e zgjedhur nga Komisioni për të përfshirë një vlerë konsiderueshëm më të lartë, që bie ndesh me aktet dhe bazohet krejtësisht në pretendimet deklarative të subjektit”, vlerëson Kolegji dhe vëren se subjekti nuk ka sjellë asnjë akt shkresor të kohës që të referojë qoftë edhe indirekt, një vlerë të ndryshme nga ajo e dakordësuar nga palët në kontratën e shitjes.
Një deklaratë noteriale e hartuar në janar të vitit 2017, në fillim të procesit të vetingut dhe 11 vjet pasi u pretendua se kishte ndodhur pagesa, në të cilën pretendohej se ishte hslyer vlera 70 mijë euro për investimet e kryera, çmohet prej KPA-së e pabesueshme. “…Jo vetëm për shkak të kohës kur është kryer, por edhe sepse nuk shpjegon përse palët nuk i kanë formalizuar veprimet e referuara në një akt noterial gjatë momentit të tjetërsimit të pasurisë”, argumenton Kolegji
Po ashtu, KPA nuk ka përfshirë në analizë vlerën 8.5 milionë lekë që KPK e ka konsideruar si kursime të mundshme të subjektit, duke theksuar se konsiderimi i kësaj shume nga shkalla e parë e vetingut bie ndesh me aktet në fashikull dhe me jurisprudencën e Kolegjit. “Konkretisht, përveçse nuk argumentohet se nga origjinon, kjo shumë nuk ka gjetur pasqyrim si gjendje cash-i jashtë apo në sistemin bankar as në deklaratën e pasurisë për vitin 2004, sikurse as është pretenduar nga subjekti në ndonjë fazë të procesit të rivlerësimit, përfshirë edhe bisedimet përfundimtare të depozituara në Kolegj”, argumenton KPA dhe arrin në përfundimin se është I bazuar qëndrimi i Ninos, se subjekti nuk provoi në Komision të kundërtën e barrës së provës për pamundësinë financiare prej 8.9 milionë lekësh.
Sipas KPA, subjekti rezulton në pamundësi financiare edhe për krijimin e një pjese të një depozite me vlerë 13 milionë lekë. Çopa ka deklaruar si burim krijimi të depozitës bonot e thesarit të krijuara nga shitja e një toke bujqësore në vlerën 10 milionë lekë në vitin 2007, si dhe 210 mijë euro të përfituara nga shitja e një ngastre tjetër toke në vitin 2013.
KPK ka konkluduar se subjekti ka deklaruar saktë të dhënat mbi gjendjen e kësaj pasurie, ndërsa Komisionerja publike ngriti dyshime mbi vërtetësinë e çmimit të shitjes së tokës bujqësore në vlerën 10 milionë lekë, që më vonë ka shërbyer për krijimin e bonove të thesari.
Çopa i kundërshtoi si të pabazuara pretendimet e Komisioneres për fiktivitet të çmimit të shitjes së tokës, duke argumentuar se fondet janë të evidentueshme në depozitimet bankare dhe investimet pasuese.
Edhe Kolegji, ndryshe nga sa ka kërkuar Komisionerja Publike, vlerëson se nuk ka provva që të vërtetojnë dyshimet për fiktivitet. Megjithatë, nga analiza financiare ka rezultuar bilanc negative në shumën 2.6 milionë lekë.
Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative totale për periudhënb 1992-2016 në shumën 13.5 milionë lekë.
Pretendimin e subjektit për të zbatuar parimin e proporcionalitetit, meqënëse është emëruar prokuror në vitin 2015, Kolegji e çmon të pabazuar. KPA vëren se Çopa ka qenë në vijimësi i punësuar në institucione që financohen nga buxheti i shtetit dhe duke filluar nga viti 2005, kur është emëruar oficer i Policisë Gjyqësore, ka qenë edhe pjesë e sistemit të drejtësisë. Më vonë, ai është punësuar në ILDKPKI, për kontrollin e pasurisë së funksionarëve publikë. Nisur ngakëto rrethana dhe nga bilanci negativ i konstatuar, KPA vlerëson se qenia e subjektit në pozicione të tjera përpara vitit 2005, e bën njësoj të qenësishëm standardin e integritetit të kërkuar nga një magjistrat.
Në përfundim, Kolegji arrin në konkluzionin se prokurori gëzim. Çopa ka mungesë të burimeve të ligjshme dhe se ai nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë. Për rrjedhojë, u vendos ndryshimi i vendimit të Komisionit dhe shkarkimi nga detyra i këtij subjekti rivlerësimi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.