Kronika

Arkivë moderne për Autoritetin e Dosjeve, Suedia mbështet projektin

 “E kaluara e Shqipërisë, është pjesë e trashëgimisë historike të njerëzimit, po ashtu trajtimi dhe shërimi nga diktatura”, tha ambasadorja suedeze Elsa Hastad, ndërsa u prezantua projekti i rikonstruksionit te institucionit te AIDSSH.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA) kanë prezantuar projektit e bashkëpunimit për rikonstruksionin e ndërtesës së AIDSSH-së dhe shërbimeve TIK për krijimin e një arkive moderne.
Kryetarja AIDSSH, Gentiana Sula tha se qëllimi ynë është krijimi i kushteve optimale me standardet teknike të një arkivi europian, me rëndësi historike për brezat që vijnë, që plotëson edhe kushtet e sigurisë, sipas ligjeve në fuqi.
“Ndihma e Qeverisë suedeze vjen pas një pune shumë të imët dhe profesionale për hartimin e një projekti të plotë e produktiv që, duke plotësuar këto standarde, synon edhe krijimin e kushteve më të mira për bashkëpunimin me shtresat e prekura, studiuesit, si dhe qytetarët e grupmoshave të ndryshme, të etur për të mësuar përmes formave më bashkëkohore të edukimit historik për demokraci dhe paqe”, tha ajo.
Nga ana e saj, Ambasadorja Suedeze Elsa Hastad tha se  jemi këtu për të shpallur këtë bashkëpunim të ri mes Shqipërisë e Suedisë, nëpërmjet projektit me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Pse po e bëjmë këtë? Sepse besojmë që kjo mbështetje për arkivin, në mjediset e reja të Autoritetit, do të përbëjë një ndryshim të madh pozitiv në punën e përditshme të institucionit. Këta janë të persekutuarit dhe familjet e tyre, po ashtu studiuesit që po punojnë mbi të kaluarën e afërt, me synimin që ta bëjnë të njohur të vërtetën për shoqërinë dhe brezat që do të vijnë. Gjithashtu, vetë qeveria e Shqipërisë duhet të dijë nëse kandidatët për poste publike kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, në mënyrë që të mos lejohen të emërohen në poste të tilla, siç e kërkon ligji”, tha ajo.
Në vijim ajo shtoi se “Me sa duket, nuk ka asnjë institucion tjetër ku puna dhe misioni i të cilit të mbështetet kaq shumë në arkivin e tij, si AIDSSH, për dosjet e Sigurimit. Pa e grumbulluar në një vend një arkiv të tillë, të mbrojtur dhe të sigurt e për më tepër, të organizuar e të rikuperueshëm në trajtë digjitale, nuk do të jetë bërë mjaftueshëm për t’ua bërë të njohur të vërtetën të gjithëve. Fatkeqësisht, kujtimet e gjalla do të zbehen e do të vdesin, por dokumentet, qoftë ato të shkruara, filmike, audio apo të tjerë, me siguri do të kenë jetë shumë më të gjatë, nëse trajtohen si dëshmi e gjallë e së kaluarës, dhe ndërtues të kujtesës kolektive, me njohuri e të dhëna për pasojat e diktaturave, autoritarizmit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut”.
Ambasadorja tha se ne po mbështesim rikonstruksionin dhe rinovimin e mjediseve të reja të AIDSSH-së, përfshirë arkivat, në mënyrë që t’i kemi mbledhur në një vend të vetëm të gjitha dokumentet e arkivuara që Autoriteti përdor për punën e vet dhe të instalojmë infrastrukturën e nevojshme IT për digjitalizimin e tyre.
“Kjo është e gjithë ana teknike me të cilën ka të bëjë projekti. Por ajo që synon është shumë më e rëndësishme! Është fakti që do t’i shërbejë drejtësisë për të përndjekurit në komunizëm, të paktën përmes zbulimit të së vërtetës për persekutorët e tyre, nëpërmjet përpjekjes për gjetjen e trupave të atyre që humbën në duart e shtypësve dhe ajo që është shumë e rëndësishme, për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë për anët më të errëta të regjimeve autoritare dhe koston e tyre në jetët njerëzore, dinjitetin dhe mirëqenien, jo vetëm në disa, por në shumë mënyra, për të gjithë shoqërinë”, tha ajo.
Po ashtu Hastad  ai e tillë, e kaluara e Shqipërisë, është pjesë e trashëgimisë historike të njerëzimit, po ashtu trajtimi dhe shërimi nga diktatura. Kjo është një trashëgimi që duhet të mbahet gjallë, në mënyrë që të mos përsëritet kurrë e njëjta gjë ose një situatë e ngjashme. Ne mësojmë nga e kaluara, që të kemi një të ardhme më të mirë e më të sigurt. Dhe e dimë mirë se kjo nuk do të jetë e lehtë, nëse institucionet që kanë mision dhe mandat të kërkojnë të vërtetën dhe ta bëjnë të njohur atë, nuk i kanë mundësitë ta kryejnë punën e tyre në të gjitha përmasat”, tha ajo.
“Rezoluta e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në vitin 2009, u bën thirrje shteteve të ndërmarrin hapa për të lehtësuar përpjekjet e viktimave ose të afërmve të tyre për të përcaktuar të vërtetën që lidhet me shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut dhe faktin që publiku e individët kanë të drejtë të kenë qasje në masën më të plotë të zbatueshme në informacionin që ka të bëjë me veprimet dhe proceset e vendimmarrjes të qeverive të tyre. Gjithashtu, Konventa e Gjenevës përcakton detyrimet e palës shtetërore ndaj të zhdukurve dhe të vdekurve”, theksoi ajo.
Ambasadorja tha se “Ky projekt është bashkëpunim me financim të drejtpërdrejtë, për herë të parë për AIDSSH, me 10 MSEK. Angazhimi ynë i përbashkët është t’i shohim rezultatet e planifikuara për një periudhë dyvjeçare.
“Presim me padurim kryerjen e punimeve dhe premtojmë se Ambasada Suedeze do të jetë me kënaqësi pjesë e rrugëtimit të Autoritetit në përmirësimin e shërbimeve të tij dhe përmbushjen e rolit për t’i shërbyer drejtësisë dhe ndërtimit të demokracisë”, përfundoi ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button