Asad: Bashkëpunim të ‘sinqertë’ kundër IS-it!
Obama e pati refuzuar kategorikisht “ndihmën” e Damaskut, pak ditë më parë
Presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka thënë dje se ‘bashkëpunimi ndërkombëtar’ ka qenë i nevojshëm për të shkatërruar militantët e Shtetit Islamik (IS). Në një fjalim para anëtarëve të partisë së tij “Baath” në Damask, Asad ka thënë se parakushti më i rëndësishëm në përcaktimin e rezultateve të fushatës ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik, IS, është nëse ekziston “një bashkëpunim i vërtetë dhe i sinqertë ndërkombëtar’ kundër xhihadistëve. Fjalimi i Asadit vjen vetëm pak ditë pasi Presidenti amerikan, Barack Obama, ka refuzuar bashkëpunimin me Presidentin sirian në luftën kundër IS, militantët e së cilës kontrollojnë një pjesë të madhe të territorit në Siri dhe Irak. Presidenti Obama është shprehur se përfshirja e Asadit në koalicionin ndërkombëtar kundër IS, vetëm sa do të ‘kthejë më shumë sunitë myslimanë në drejtim të grupit ekstremist’. Refuzimi amerikan ka qenë i qartë, duke mos i lënë asnjë dritë jeshile regjimit të Asadit, i cili vazhdimisht ka spekuluar se ka dashur dhe është vënë në dispozicion të synimeve e objektivave të koalicionit ndërkombëtar, duke dhënë madje edhe lejen zyrtare për aplikimin e sulmeve ajrore në territorin sirian, i cili sipas të drejtës ndërkombëtare, zyrtarisht vijon t’i takojë Damaskut, i cili gjithashtu mban edhe një karrige në Pallatin e Qelqtë të OKB-së. Federata Ruse e pati akuzuar SHBA dhe aleatët e saj në koalicionin ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, se po shkelte të drejtën ndërkombëtare, duke mos marrë lejen përkatëse nga regjimi sirian, por çuditërisht Damasku zyrtar pohoi se SHBA tashmë e kishin lejen e Presidentit Asad për të ndërhyrë me inkursione ajrore. Hapi i Asad në atë moment, u duk se ishte vetëm një manovër për ta afruar atë me Perëndimin, i cili tashmë prej kohësh e sheh atë vetëm si diktatorin që ashtu sikurse edhe IS-i, ka shkaktuar shumë vuajtje e dhimbje për popullin e tij e madje si shkaktarin kryesor për ngritjen më këmbë e suksesin e grupimit radikal islamik, IS. Megjithatë, nga ana tjetër, SHBA ka lënë të kuptohet se nuk posedon plane për rrëzimin e tij nga pushteti. Sidoqoftë, herë pas here vijnë iniciativa e propozime të fshehta e publike nga aktorë politikë e mediatikë në Perëndim, që arrijnë të shohin një rol të Asadit për të vepruar me pragmatizëm kundër kërcënimit të Shtetit Islamik. Me gjithë masat e ndërmarra nga SHBA e koalicioni ndërkombëtar, duket IS-i se e ka shtrirë thellë ndikimin e vet dhe për t’ia arritur qëllimit final, do të duheshin – sipas disa analistëve – më shumë kohë e përpjekje me të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë këtu së pari edhe vetë Presidentin e rizgjedhur tashmë, Bashar Al Asad, i cili ka arritur megjithatë t’u rezistojë tri viteve konflikt të brendshëm e përpjekjeve ndërkombëtare për ta rrëzuar nga pushteti.