Politika

“Ata që janë përmendur i keni në Presidencë”/Balla për përgjimet: Pyetni edhe Bashën. Drejtësia duhet t’i shkoj deri në fund kësaj çështje

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “po vazhdojmë konsultimet e nevojshme për të garantuar lista sa më përfaqësuese të komuniteteve në të gjithë Shqipërinë, për zgjedhjet e 25 prillit”.

Në një prononcim për media nga selia e PS-së, Balla foli për përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit. “I kemi dhënë mundësi profesionistëve që të konkurrojnë në kuadër të një platforme. Kemi arritur të krijojmë një grup shumë të mirë profesionistësh, edhe me ata shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë territorit, por kanë vendosur të jenë pjesë e vendimmarrjes. Jam i sigurt që në të gjitha qarqet ne do të kemi përfaqësues që kanë ardhur përmes këtij procesi”, tha Balla.

Ai theksoi se “ne kemi përmbyllur edhe një proces tjetër për të vlerësuar ekipin aktual të deputetëve, ku kemi marrë një feedback shumë pozitiv mbi të cilin kryesia e PS-së do të diskutoj edhe listën përfundimtare”.

“Për shkak të dritares dhe mundësisë që ka ofruar ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të votuar jo vetëm partinë, por edhe kandidatët, e gjithë lista në të gjitha qarqet do të jetë uniforme nga kreu i listës deri te më i fundit në listë, sepse besoj dhe jam shumë i sigurt do të jenë qytetarët që do ta bëjnë renditjen. Kam besim se në shumë qarqe lista do të ndryshoj për shkak të preferencave të qytetarëve”, tha Balla.

Ai theksoi se “ne i kemi pothuajse gati listat dhe padyshim që vazhdojmë bëjmë konsultimet e nevojshme për të garantuar lista sa më përfaqësuese të komuniteteve në të gjithë Shqipërinë, nga Kukësi deri në Vlorë, nga Shkodra deri në Gjirokastër”.

“Padyshim që ky është një proces që po ecën shumë mirë. Jam krenar që PS është sot e vetmja alternativë për t’i besuar votën”, tha ai.

Balla iu përgjigj po ashtu edhe interesimit të gazetarëve lidhur me çështjen e përgjimeve të antimafias italiane.

“Jam kryetari i delegacionit shqiptar në PE dhe ju them me bindje të plotë që eurodeputeti që përfshihet është një mik i vjetër i Lulzim Bashës. Shkoni pyeteni Lulzimin e ka pasur edhe në zyrë, e ka takuar dhe në Bruksel edhe në Romë. Pyeteni Lulzimin, mund t’ju sqaroj edhe për këtë çështje”, tha ai.

Balla tha se “është një gjë shumë e mirë të bëhen hetime të thella dhe të plota”. “Ajo që po ju them meqë bëhet fjalë për një eurodeputet me emër, pyeteni Lulzimin se e ka pasur edhe në zyrë. Si politikan shqiptar, meqënëse është përmendur një politikan italian, ata që janë përmendur realisht me emër i keni në Presidencë, i keni dhe miq të kryetarit të opozitës. Për të tjerat duroni dhe dëgjoni. Ajo që unë përshëndes është fakti që Prokuroria Speciale Antikorrupsion do të bëjë verifikimet përkatëse dhe duhet t’i shkoj padyshim deri në fund kësaj çështje. Kjo çështje po hetohet nga organet e drejtësisë në vendin fqinj dhe unë nuk do të komentoj më tepër”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button