Kronika

Avokati i Beketit ,Theodhori Sollaku: Sulm politik, prokuroria gaboi

Ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku ka reaguar dje pasdite pas sekuestrimit të disa bizneseve në pronësi të Françesko Beketit, mes të cilave edhe televizionin Agon Channel. Si mbrojtës ligjor i shtetasit italian, Sollaku tha se ky mund të jetë edhe një sulm politik, ndërsa argumentoi se prokuroria ka gabuar me sekuestrimin e disa kompanive apo me kërkesën për arrestimin e klientit të tij. Nga studioja e televizionit Agon Channel, ish-kryeprokurori tha se kjo është një situatë e frikshme.

“Në vendimin e gjykatës shkruhen faqe të tëra me transaksione, por nuk përmendet elementi kryesor, ai i pastrimit të parave. Të pastrosh para, do të thotë që paratë e ardhura nga krimi t’u fshihet origjina e tyre”, tha Sollaku.

Më tej, ai shpjegoi se në vendimin e gjykatës thuhet se prokuroria u ka kërkuar disa shteteve informacione nëpërmjet letërporosive, por që përgjigjet nuk u kanë ardhur. “Prokuroria gabon në këtë konkluzion, pasi në momentin që nuk kanë ardhur përgjigjet, si mund të vendosë një masë të tillë”, vazhdoi Sollaku, ndërsa shpjegoi se sekuestrimi apo bllokimi i parave do të kishte vlerë nëse të ardhurat do të kishin origjinë kriminale.

Për investimin e kapitaleve, ai tha se klienti i tij mund t’i investojë kudo. “Logjikën ekonomike e di unë, ti si prokurori duhet të vish kur konstaton se ka shkelje ligji. Nuk ka asnjë rast që të hedhin dyshimin se paratë janë me origjinë kriminale”, vijoi avokati Sollaku, ku theksoi se barra e provës i takon prokurorisë. Sipas tij, personat që u është prerë fletarresti kanë dhënë shpjegimet e tyre gjatë hetimeve, madje është paraqitur edhe një auditim dhe se prokuroria nuk ka bërë asnjë ballafaqim.

“Kompanitë kanë qenë të fuqishme dhe paratë që janë futur në Shqipëri janë të dokumentuara në bankat e nivelit të dytë. Koha do të tregojë që prokuroria do të dalë blof. Është një çështje e frikshme e nisur nga prokuroria, edhe gjykatat janë në të njëjtin nivel. Vendimi i gjykatës është kopjuar nga kërkesa e prokurorisë. Ka një rrezik që raste të tilla të përsëriten në biznese të tjera. Vendimi është një precedent i rrezikshëm. Mund të jetë edhe për interesa politike”, tha Sollaku, ndërsa shtoi se drejtësia, duke vepruar në këtë mënyrë, mund të shkatërrojë njerëz apo biznese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button