Ekonomia

Bankers pas ardhjes së kinezëve; Rreth 90 milionë dollarë investime

Flet CEO i Bankers Petroleum Albania, Xingyun Sun

2107-a ishte viti i parë kur Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në Europë, atë të Patos-Marinzës, ishte nën administrimin e kinezëve të Geo Jade Petroleum, që e blenë Bankers në fund të 2016-s. CEO i Bankers Petroleum Albania, Xingyun Sun, pohon në një intervistë për “Monitor” se grupi i ri (Geo Jade) synon të zhvillojë më tej Patos-Marinzën, këtë aset të rëndësishëm, duke rritur investimet, duke aplikuar teknika dhe teknologji të reja.

Si ishte performanca e kompanisë në vitin 2017 dhe gjatë vitit 2018?

Ecuria e përgjithshme e Bankers ka qenë e qëndrueshme, por ritmi i aktivitetit dhe nivelet e prodhimit janë ndikuar nga çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore. Në vitin 2017, ne kemi ulur shpenzimet tona kapitale, për t’u përshtatur me situatën e çmimeve, duke mbajtur kështu një program të balancuar, bazuar në paranë në qarkullim që kemi në dispozicion. Brent-i ishte rreth 50 dollari/fuçi, një nivel që nuk na lejoi të rrisnim investimet në shpime të reja.

Por viti 2018 duket shumë më pozitiv. Ne kemi rifilluar shpimin e puseve të reja, pas një ndërprerje në korrik 2017 dhe aktualisht kemi dy sonda shpimi që operojnë në fushën e naftës Patos-Marinzë. Çmimet e Brent-it janë mbi 70 dollarë/fuçi dhe për këtë arsye, plani i shpimit dhe prodhimit është më ambicioz. Për vitin 2018, kemi në plan të shpojmë rreth 40 puse të reja, pothuajse dyfishi në krahasim me vitin 2017.

Çfarë ka ndryshuar në planet e kompanisë pasi Geo Jade mori pronësinë?

Transferimi i aksioneve nga grupi i kapitalit privat te Geo Jade Petroleum do të përfundojë këtë vit. Grupi i ri (Geo Jade) synon të zhvillojë më tej Patos-Marinzën, këtë aset të rëndësishëm, duke rritur investimet, duke aplikuar teknika dhe teknologji të reja me mbështetjen e një ekipi shumë profesional dhe shumë efektiv në Shqipëri.

Pas ndryshimit të pronësisë, fokusi i kompanisë tani është përqendruar në Shqipëri dhe për këtë arsye, zyra qendrore e Bankers Petroleum ka lëvizur nga Calgary (Kanada) në Shqipëri çka na mundëson të jemi më të shpejtë në vendimmarrje, të forcojmë bashkëpunimin me qeverinë dhe komunitetet lokale.

Ju keni qenë në konflikt me qeverinë shqiptare për kostot e pakthyeshme. Sa larg është zgjidhur ky konflikt dhe kur prisni t’i merrni pagesat nga qeveria?

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (ICC) vendosi në favor të Bankers në fillim të këtij viti. Tani, ne jemi fokusuar në gjetjen e një zgjidhje me qeverinë se si të na rimbursohen efektivisht detyrimet tatimore për të mirën e të gjithë aktorëve tanë, duke përfshirë, por jo kufizuar, edhe rritjen e investimeve në Shqipëri.

Cilat janë planet tuaja të ardhshme të investimeve?

Kemi plane ambicioze për të ardhmen. Në fund të këtij viti, ne presim që të realizojmë mbi 89 milionë dollarë shpenzime kapitale dhe të arrijmë një prodhim të përgjithshëm të naftës nga fusha e Patos-Marinzë prej 780 mijë tonësh. Me një likuiditet të qëndrueshëm dhe me çmime të qëndrueshme të Brent-it mbi $ 70-75 / bbl parashikojmë të shpojmë mbi 80 puse të reja nafte në vitin 2019.

Programi ynë i operacioneve do të fokusohet në metodat primare dhe sekondare, ku përveç injektimit të polimerit dhe ujit, së fundmi kemi prezantuar injektimin e avullit, një teknologji unike e përdorur edhe nga kompani të rëndësishme ndërkombëtare në zhvillimin e naftës së rëndë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button