Politika

Basha: Bilanci i “kokoshit”, vetëm rrënim dhe kriminalizim

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas konferencës për shtyp të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si “bilanci 2015 i kokoshit të Surrelit”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha ka bërë një bilanc paralel, që pasqyron sipas tij situatën e vërtetë në të cilën ndodhet vendi.

“Rriti çmimin e energjisë, rriti taksat, rriti borxhin publik, uli konsumin, uli kreditimin, uli eksportin dhe importin, uli pagat dhe nuk rriti pensionet”, ka thënë Basha në profilin e tij.

Ai ka akuzuar kryeministrin se shtrenjtoi naftën, nuk realizoi asnjë investim të ri publik, shpunësoi 73 mijë kryefamiljarë vetëm në periudhën shtator-tetor dhe se vodhi 400 milionë dollarë në dogana e tatime dhe 780 milionë euro në prokurimë të drejtpërdrejta.

Ndërkohë, “dha hekurudha, troje dhe 340 milionë euro konçesione për oligarkët dhe ortakët e tij, largoi 100 mijë shqiptarë nga vendi, 200 mijë të tjerë bënë gati letrat, uli ndihmën ekonomike, shendetësinë e çoi në kolaps, privatizoi arsimin e lartë publik”, ka thënë Basha.

Ai ka përsëritur gjithashtu akuzat ndaj shefit të qeverisë për kriminalizimin e politikës. “Kandidoi Bushët, Roshët dhe kriminelë të tjerë për kryebashkiakë, emeroi ministrin e Brendshëm ambasador të krimit të organizuar në qeveri, ndaloi me ligj hetimin e vjedhjes së shekullit, pagoi me tendera të drejtpërdrejtë nga paratë e gjakut të shqiptarëve ndërtuesit e vilave të tij në Surrel, Dardhë e Durrës”, ka vijuar Basha.

Sipas tij, kryeministri vodhi dhe shkatërroi zgjedhjet lokale, u shpall nga OSBE kryeministri më i pasur me 200 milionë euro pasuri off shore, hapi 5 ekspozita me piktura në 3 kontinente (duke i nxjerrë e futur pikturat kontrabandë), arrestoi e burgosi berberë, fermerë, gra me fëmijë 4-vjeçarë për kuponin, ndërsa liroi Prengën, Ndokën dhe Ndreun, duke i bërë shantazh drejtësisë, fshehu kërkesën për ekstradim të Mark Frrokut, urdhëroi arratisjen e Arben Frrokut, dekoroi xhelatët e diktaturës, bëri ligjin për të burgosur gazetarët dhe opozitën dhe refuzoi testin e drogës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button