Politika

Basha: Koalicioni ynë instrumenti i ndryshimit, 25 Prilli dita kur shqiptarët do të çlirohen nga politika e kapur nga krimi

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka konfirmuar se nuk është materializuar ende nga ana teknike se si do të paraqitet opozita në zgjedhjet e 25 Prillit, me një apo dy lista.

“E rëndësishme është që koalicioni ynë është i bashkuar dhe i vendosur të realizojë peshën e misionit që kanë ngarkuar mbi shpatullat tona shumica dërrmuese e shqiptarëve. Në 25 Prill zgjidhja është e qartë, o me Edi Ramën dhe kundër Shqipërisë, o me Shqipërinë dhe kundër Edi Ramës. Dhe koalicioni ynë politik si dhe shumë faktorë të tjerë që nuk janë pjesë formale e koalicionit tonë politik, janë instrumenti i ndryshimit. Vota për koalicionin tonë, vota për Partinë Demokratike dhe aleatët tanë është rruga e duhur që të fitojë Shqipëria, që të fitojnë shqiptarët”, tha Basha gjatë një interviste televizive.

I pyetur nëse opozita do paraqitet me një listë apo dy lista në zgjedhjet e 25 Prillit, Basha tha se është detaj teknik pa pikë rëndësie.

“Nuk ka pikë rëndësie sesi vendimmarrja e cila ka të bëjë me aspektet teknike do të materializohet. Rëndësi ka që ne jemi një koalicion, kemi një qëllim dhe qëllimi është largimi i Edi Ramës dhe rikthimi i Shqipërisë në duart e shqiptarëve”, – u shpreh Basha.

Nëse do kandidojë Sali Berisha, Basha tha se, “unë e kam bërë fare të qartë që është në dorën e Berishës nëse do të kandidojë dhe të kandidojë ku dëshiron të kandidojë. Zoti Berisha ka qenë dhe mbetet një vlerë dhe një aset i Partisë Demokratike, përvoja e tij është e jashtëzakonshme dhe është vënë gjithmonë në shërbim jo thjesht dhe vetëm të Partisë Demokratike, por të demokracisë shqiptare dhe të interesit të shqiptarëve”.

“Unë jam kryetari i Partisë Demokratike dhe unë kam nevojë për këdo që do të ndihmojë në një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri që funksionon për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për një grusht njerëzish. Pa pikë diskutimi në këtë betejë ndihem i privilegjuar, pse jo i bekuar nga ndihma, vëmendja, këshilla, inkurajimi jo thjesht dhe vetëm i figurave të Partisë Demokratike, por edhe i figurave të shoqërisë civile që shohin te Partia Demokratike instrumentin e zgjidhjes së krizës më të rëndë do të thoja unë dhe që ka përjetuar vendi në 3 dekada. Një krizë ekonomike, një krizë politike, një krizë besimi dhe që shikon te Partia Demokratike po kështu shpresën për rikthimin e normalitetit dhe nisjen e rimëkëmbjes ekonomike dhe stabilizimin të një Shqipërie që funksionon, siç e thashë, për të gjithë shqiptarët jo për një grusht njerëzish që sot e trajtojnë si plaçkën e tyre”, – tha kreu i Demokratëve.

Basha garantoi barazi gjinore në listat e PD. “Pa pikë diskutimi Partia Demokratike i ka prirë gjithmonë betejës për barazi gjinore. Mos harroni, ishim ne që propozuam 50 % përfaqësimin e grave në këshillat bashkiakë. Problemi nuk është vetëm tek numrat, është tek mënyra se si i trajton gratë dhe vajzat shqiptare. Në qoftë se i merr për fasadë dhe pastaj i dhunon apo i vë si viktimat e para të politikave të tua, se politikat e Ramës shpopullimi, varfërimi, rritja e taksave, papunësia me të vërtetë rëndojnë mbi gjithë shqiptarët, por rëndojnë më shumë mbi nënat shqiptare dhe mbi gratë shqiptare dhe mbi motrat tona. Apo do të arrijmë ti promovojmë ato duke iu dhënë përgjegjësitë e duhura, duke i trajtuar si partnere të denja të rrugës për ndryshimin e Shqipërisë. Unë besoj tek e dyta. Dhe këtu padiskutim përgjegjësia e përfaqësimit të grave do të  vazhdojë të dominojë në zgjedhjet që Partia Demokratike dhe unë personalisht do të bëjmë”, – thekson Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button